Godo: Berisha gaboi me Kushtetutën
Republikani Sabri Godo shprehet kritik për qeverisjen dhe hedh sërish idenë e senatit
"Këtu vjen një parti dhe fillon ndryshon nëpunësit e vet, duke i mbushur me militantë"
TIRANË- Deklarata e kryeministrit Sali Berisha dy ditë më parë se pas ndryshimeve kushtetuese, de fakto dhe de jure, kemi të bëjmë me një Kushtetutë të re, nuk mund të kalonte pa ndonjë kritikë nga republikani Sabri Godo. "Është e kotë të qahemi për atë që u bë. Vetëm se duhet të frenohen disa gjëra, që mbrëmë në televizion Berisha tha: "Kushtetuta e vjetër". A ishte një lajthitje aty për aty, apo vërtet e quan këtë një kushtetutë të vjetruar që duhet vënë në dollap, këtë duhet ta mendojë dhe ta thotë prapë ai, sepse nuk ka dhe nuk mund të ketë ndryshim të Kushtetutës në asnjë vend. Është termi i gabuar. Ka vetëm amendim të Kushtetutës dhe kjo kushtetutë u amendua në katër pika",- tha dje Godo. Duke folur pikërisht për amendimet që iu bënë Kushtetutës, Godo citoi se ai mund të ishte dakord me çështjen e zgjedhjes së Presidentit, por me kusht. "Unë mund të isha dakord vetëm më atë të Presidentit, vetëm me një kusht. Në qoftë se në njëfarë mënyre zvogëlohet përgjegjësia politike e Presidentit, atëherë duhet të gjejmë një mënyrë tjetër për të balancuar atë që quhet pushtet legjislativ. Ne kemi folur për senatin, le të bëjmë një propozim për senatin ne si grup parlamentar. Të bëjmë një formulim si ide, pa e dhënë të plotë atë kuadrin se si duhet bërë senati. Duhet të kemi një senat, i cili t'i mbajë në njëfarë mënyre dorën këtij parlamenti kur i hipën entuziazmi dhe fillon e bën gjëra të papjekura, sepse nuk mund të pranohet që një Kuvend me 50 deputetë atje të votojë një ligj që ka të bëjë me të drejtat themelore të njeriut, siç bëri me Ligjin e Legalizimeve",- tha dje Godo.
Reforma zgjedhore
Republikani Godo ka folur dje edhe për reformën zgjedhore, të cilën e cilësoi një angazhim tërësor të dy partive të mëdha, përmbajtjen e së cilës, partitë e vogla nuk kishin rrugë tjetër veçse ta pranonin. "Dy partitë bënë atë që deshën. I kanë bërë llogaritë e tyre. Për ne mbetet vetëm një gjë, që t'i nënshtrohemi këtij vendimi",- tha Godo, duke ftuar republikanët që të mendonin se si duhej kuptuar kjo reforme.
Qeveria
Me tone të ashpra, republikani Sabri Godo ka folur dje edhe për qeverinë aktuale.
"Ne kemi thënë gjithnjë që duhet të forcojmë atë që quhet fizionomi, dhe duket sikur kërkojmë diçka në errësirë. Ne kemi fizionomi të qartë. Por sa punojmë për ta qartësuar fizionominë tonë, që ka të bëjë me pronën, familjen dhe interesat e kombit? Ky aparat qeveritar, administrata publike që kemi përballë, nuk i përgjigjet më kohës. Nuk është eficiente sa duhet dhe duhet të ndryshojë në koncept dhe jo në njerëz. Këtu vjen një parti dhe fillon ndryshon nëpunësit e vet, duke i mbushur me militantë. Kështu nuk do të kemi një administratë eficiente. Ne duhet të kërkojmë tani, që të bëhet një kontratë mes shtetit dhe nëpunësit",- tha Godo.