Tryeza, 30% e shqiptarëve të papunë
Shqipëria mbetet ndër vendet me nivelin më të lartë të papunësisë në Evropë
TIRANË- Shqipëria vazhdon të jetë një ndër vendet me papunësi më të lartë në gjithë Evropën, ndërkohë që qeveria nuk po bën asgjë për përmirësimin e kësaj situate. Një panoramë konkrete të nivelit të papunësisë në vend, ka pasqyruar dje Fondacioni "Qemal Stafa" në tryezën e organizuar me temë "Zhvillimi Tregut të Punës,- Punësimi dhe Papunësia". Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit "Qemal Stafa", Saimir Tahiri tha dje, ndër të tjera, se Shqipëria është ndoshta ndër të vetmet vende që deklaron rritje ekonomike, e cila çuditërisht nuk shoqërohet me hapjen e vendeve të reja të punës. "Ne sot mund të themi se papunësia është "femërore", pra, gratë dhe vajzat janë më të "penalizuara" nga zhvillimet e deformuara të tregut të punës. Jo pa shkak, mbi 51% e të papunëve janë gra dhe vajza. Papunësia është "rinore", pra janë të rinjtë që janë penalizuar më shumë nga papunësia, duke përbërë jo vetëm shumicën e ushtrisë së të papunëve, por gjenden edhe pa perspektivë për të ardhmen",- tha Tahiri. Ai shtoi se papunësia është "analfabete", dhe se individët e paarsimuar ose me pak arsim përbëjnë shumicën e të papunëve, fakt ky, që, sipas tij, ka ardhur si shkak i politikave të dobëta të arsimit dhe formimit profesional. "Edhe po të bësh një analizë të thjesht territoriale, do të shohim se papunësia është e shpërndarë gjeografikisht në mënyrë të zhdrejtë, pra niveli i papunësisë në Veri është 24%, në Shqipërinë e Mesme 12.5% dhe në Jug 12%",- tha ai. Ndërkohë, kryetarja e grupit parlamentar e PS-së, Valentina Leskaj, e ftuar në këtë tryezë, tha se zgjidhja e problemit të papunësisë kërkon qasje te re dhe adresim shumëdimensional. "Duke iu referuar gjendjes së papunësisë në vend, mjafton të them se sipas vlerësimeve të institucioneve ndërkombëtare, vetëm rreth 60% e popullsisë në moshë pune është e punësuar. Në fakt, niveli zyrtar i papunësisë vërtitet rreth 14% po kjo ka të bëjë vetëm me ata që janë të regjistruar në zyrat e punësimit, ndërkohë që shumica nuk shkojnë në këto zyra për shkak të humbjes së shpresës, dhe arrin te 30%",- tha ndër të tjera, Leskaj.