Rama viziton Tropojën, i pari lider i PS pas 16 vitesh
Lideri i socialistëve, Edi Rama pritet me respekt në Tropojë. I vihet në dispozicion edhe një traget
Nga kulla e Mic Sokolit, fshatarët e Bujanit shkëmbejnë me liderin e opozitës mesazhe paqeje e bashkëpunimi
TROPOJË- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi dje një vizitë të suksesshme në rrethin e Tropojës, duke qenë i pari lider socialist që shkel në këtë trevë pas 16 vjetësh. Edi Rama ka vizituar dje në mesditë rrethin e Tropojës, ku me banorët e kësaj treve të Malësisë së Gjakovës ka shkëmbyer mesazhe paqeje e bashkëpunimi, në të mirë të së ardhmes së banorëve të kësaj zone dhe mbarë Shqipërisë. Një traget në dispozicion është venë nga shërbimet private të transportit ujor të Liqenit të Komanit, për ta çuar dhe për ta përcjellë liderin e opozitës. Lideri i PS-së është ndalur në fshatin Bujan, i njohur në Shqipëri për figurat që ka nxjerrë ky fshat dhe për ngjarjet historike në periudha të lavdishme të popullit tonë. Ndalesa e parë e tij ka qenë pikërisht në kullën e Mic Sokolit në fshatin Bujan. "Je i mirëseardhur në këtë kullë, në kullën e Besëlidhjes së Malësisë, ku lidhen besën për të luftuar pushtuesit Ali Ibra e Haxhi Zeka, Sulejman Vokshi e Dedë Gjo Luli. Kërkojmë nga kjo kullë që politika të shpërndajë mesazhe paqe e bashkëpunimi, për të mirën e vendit dhe brezave që do të vijnë", ka qenë kërkesa e banorëve të Bujanit. Në vijim, kreu i PS-së, Edi Rama, në kuadër të turit "Dialog me Shqipërinë", ka bashkëbiseduar me banorët e komunës së Bujanit dhe fshatrave përreth. Në këtë takim, Rama është shprehur i mahnitur nga bukuritë natyrore të Tropojës dhe nuk ka kursyer vlerësime për to, por siç theksoi ai, pavarësisht këtyre, pushtetet e kanë harruar. Kryesocialisti Edi Rama ka ftuar tropojanët të bashkëpunojnë përtej kufijve partiakë. Vizita e kreut të selisë rozë ka vazhduar në qytetin e Bajram Currit, ku në pallatin e kulturës "Dardania", Rama ka bashkëbiseduar me anëtarë e simpatizantë të PS-së dhe banorë të qytetit të Bajram Currit. "Ky shtet nuk ka sy të shohë se ku jetojnë njerëzit, ky shtet nuk ka veshë për të dëgjuar atë që kërkojnë fëmijët, të rejat dhe të rinjtë, të moshuarit, prindërit, ky shtet nuk ka zemër për të ndier se çdo të thotë të jetosh përditë me varfërinë, çdo të thotë të jetosh përditë i izoluar. Ne na duhet një shtet që t'i ketë sytë për të na parë, t'i ketë veshët për të na dëgjuar, ta ketë zemrën për të na ndier dhe ta ketë vullnetin për të na shërbyer. Të jetë një shtet i yni, një shtet i qytetarëve, jo një shtet i politikanëve, i interesave tona të përbashkëta, jo i interesave të atyre që me votën tonë, na afrojnë një shfaqje bajate në kutinë e televizorit, ku kacafyten në emrin tonë",- tha Rama Ai shtoi ndër të tjera se, "ne nuk jemi as të mallkuar, as të harruar nga Zoti. Ne jetojmë në mes të Europës, ne jetojmë në mes të kontinentit të mirëqenies dhe zhvillimit. Ne jetojmë mes milionave mundësi. Por, ne jemi të izoluar nga politika e vjetër e paaftësisë, papërgjegjshmërisë dhe e korrupsionit, nga politikanët, të cilët në emër të së majtës apo të djathtës, na kanë ndarë, na kanë përçarë, na kanë futur në sherr, duke hapur mes nesh kanale dhe hendeqe, kanë hapur mes nesh gropa, duke na bërë që të grindemi me njëri-tjetrin deri në fshatin më të humbur, se kush është socialisti, e kush është demokrati".
Më pas, një shëtitje në qytet dhe një kafe me miqtë e bashkëpunëtorë nga Tropoja ka qenë fundi i vizitës së parë të një lideri socialist në Tropojë pas 16 vjetësh. Rama shoqërohej gjatë vizitës në Tropojë nga deputetët socialistë Namik Dokle, Arben Malaj e Andis Harasani. Vizita e kryetarit të Partisë Socialiste ka qenë e suksesshme dhe është shoqëruar pa asnjë incident, ndryshe nga ish-kreu i PS-së, Fatos Nano, i cili në 1992 u detyrua të ndërpriste vizitën e tij dhe të kthehej në Kukës, po ashtu në vitin 2000 vizita e Ilir Metës si ish-Kryeministër u shoqërua me protesta dhe incidente, duke u detyruar që të mbarojë para afatit vizitën dhe, së fundi, as kryeministri Sali Berisha nuk ka shkuar për arsye sigurie në Tropojë, që prej vitit 1997.