E Diel, 1 Nëntor 2026

Godo: Berisha premtoi shume, por nuk bëri as 20 km rrugë

Republikani Godo flet edhe për bisedën e para disa viteve me Presidentin grek lidhur me kërkesat e Greqisë ndaj Shqipërisë
TIRANË- Sabri Godo i është drejtuar dje me tone mjaft të ashpra qeverisë së djathtë, duke deklaruar se ajo ka premtuar shumë, por nuk ka bërë as 20 kilometra rrugë përgjatë dy viteve. I ftuar në emisionin "Përballë", Presidenti i Asamblesë së PR-së është shprehur se, kjo qeveri, e cila ka folur me zë të lartë për korrupsionin, i ka hyrë korrupsioni vetë në një pjesë të administratës, çka sipas tij është dhe problemi kyç. "Kjo qeveri premtoi shumë, por asnjeri nuk mund të thotë se kjo ka bërë 20 km rrugë gjatë dy vjetëve. Ka nisur shumë gjëra dhe nuk ka përfunduar asgjë. Nuk duhet të mohohen punët që janë nisur, fjala vjen rruga Durrës-Morinë. Ajo sikur të bëhet për mua, unë do të falja shumë gjëra të tjera. Por ama, një e gjen ta thuash sot dhe për tjetrën të kujtohesh nesër, hap pas hapi, sipas asaj, që të del. Nuk ecim këtu si marinarët qëmoti që venë dorën mbi ballë në ç'breg do të dalin",- është shprehur Godo. Duke vijuar arsyetimin e tij, republikani u shpreh se, sot çdo ministër ka krijuar një lloj principate të tijën, duke emëruar në rrethe ata që i quan simpatizantë të partisë së vet, që sipas Godos, çon në shkatërrim të administratës publike. Gjatë intervistës së djeshme, Sabri Godo ka zbardhur disa ngaçështjet që, shpesh herë kanë vënë në pozite marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë.Ai bëri me dije për herë të parë se, kur ka qenë së bashku me ish Presidentin Mejdani në një vizitë zyrtare në Greqi, palës shqiptare i janë drejtuar katër kërkesa kryesore: shtetësia e Janullatosit, Universiteti grek në Tiranë, varrezat e ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri dhe njohjen e Himarës si krahinë e minoritetit. Një gjë e tillë, sipas Godos, u bë pak a shumë edhe me Presidentin Bamir Topi. Kërkesat e mësipërme, sipas Godos, ishin arsyet se pse Meidani u ftua atëherë në Athinë. "Mejdani, doemos u vu në një pozitë të vështirë se do të dështonte vizita, do të qe një..., por e mora fjalën unë në të vërtetë dhe i thashë mendimin tim për të gjitha këto presidentit të atëhershëm grek",- tha Godo, duke theksuar se, për Janullatosin i kishte thënë presidentit grek që ai është një njëri i shkëlqyer, që të "magjeps me fjalën e tij" që Godo do ta pranonte me gjithë qejf nënshtetësinë e tij, por "ne nuk kemi ç'i bëjmë kësaj punës së kombësisë". Një përgjigje e tillë, shtoi republikani, inatosi në kulm presidentin grek. "Ai nuk qe i informuar mirë, ai nuk e dinte që janë 4 fshatra në Himarë, nga 7 fshatra që ka Himara që nuk dinë greqisht fare. Ai e dinte tërë atë popullsi grekfolëse atje dhe greke. E kështu me radhë për problemet e tjera",- tha ai. Ndërsa për varrezat greke në Përmet, Godo u shpreh se, "unë kam thënë gjithnjë që ne duhet t'i shikojmë ata si dëshmorë të luftës tonë të përbashkët antifashiste dhe duhet t'u bëhet nderim këtu, por kjo duhet me marrëveshje të plotë me qeverinë shqiptare. Nuk mund të vish ti prej andej të gërmosh, të caktosh dhe vendet e varreve e t'i bësh të gjitha vetë a thua se je në kopshtin tënd. Kjo nuk duhet të ndodh. Le të nënshkruajmë një marrëveshje se çfarë detyrimesh do të përmbushi ana jonë dhe çfarë do të bëjnë grekët për ta zgjidhur këtë çështje që mbetet që nga lufta e dytë botërore"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›