Mijëra në shesh kundër qeverisë
Opozita protestoi dje kundër qeverisjes "Berisha" dhe problemeve që ka shkaktuar në vend
TIRANË- Së bashku me mijëra qytetarë të Tiranës, partitë e opozitës kanë protestuar kundër qeverisë "Berisha", situatën kritike në të cilën kjo qeveri e ka çuar vendin tonë dhe probleme të shumta që ajo i ka shkaktuar të gjithë shqiptarëve, me mënyrën se si ajo po qeveris prej më shumë se dy vjetësh. Nën tingujt e këngës "Për ty Atdhe" krerët e partive të opozitës kanë ngjitur podiumin e improvizuar para sheshit "Skënderbej" dhe kanë përshëndetur mijëra protestues që gjendeshin në shesh dhe që mbanin në duar pankarta, në të cilat shprehej pakënaqësia e tyre ndaj qeverisjes aktuale. "Kur do i lani duart zoti Berisha?", "Qeveria e uzurpimit të institucioneve", "Jo mashtrimit të pensionistëve", "Ndal diktaturës së korrupsionit", "Duam ujë, duam Drita", shkruhej në disa prej pankartave, që mjaft qytetarë mbanin dje në duar, ndërsa mbështesin partitë e opozitës në protestën e tyre kundër qeverisë, ndërsa nuk pushonin thirrjet kundër kryeministrit Berisha dhe ato në mbështetje të opozitës. Protesta është hapur me fjalën e një studenteje, e cila ashtu siç bënë më pas pensionistët, ushtarakët apo arsimtarët, shprehu vështirësitë në të cilat gjendet sot shtresa e studentëve. Pasi morën me radhë fjalën kundër qeverisë, liderët e opozitës u drejtuan, së bashku me qytetarët, drejt Kryeministrisë dhe Presidencës, duke përcjellë protestën e tyre përpara godinave në fjalë. Pak minuta, para selisë së kryeministrit Berisha dhe më pas, para asaj të presidentit Topit, krerët e opozitës zhvendosën refuzimin e tyre dhe të qytetarëve për gjendjen në të cilën ndodhet sot vendi. Ajo çfarë ra menjëherë në sy për të gjithë, përveç numrit të madh të qytetarëve që shoqëronte opozitën në këtë protestë, ishte dhe numri i madh i punonjësve të Policisë së Rendit dhe të Gardës, që kishin rrethuar dy institucionet përkatëse.
Deklaratat
Duke folur para qytetarëve që merrnin pjesë në protestën e djeshme në sheshin "Skënderbej", kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka bërë thirrje për një bashkim të ri për Shqipërinë dhe fatin e saj të përbashkët, që sipas tij, është përtej të majtës dhe së djathtës. Kreu i socialistëve tha se, opozita dhe qytetarët shqiptarë janë mbledhur në shesh për të dëshmuar se, 17 vjet më pas, Shqipëria nuk është ajo e të drejtave dhe lirive të garantuara për çdo shqiptar. "Ku është Shqipëria e dritave dhe ujit 24 orë?",- tha Rama. Ndërkohë, kreu i LSI-së, Ilir Meta e konsideroi protestën e djeshme veçse një shprehje të padurimit të shumicës dërrmuese të Shqipërisë për të ndërruar sa më shpejt qeverinë "Berisha". "Shqiptarët u lodhën nga premtimi i pacipë, se do kishte 24 orë drita në fund të vitit 2007. Jemi sot në këtë shesh dhe do të jemi në të gjitha sheshet e Shqipërisë, se i kemi konsumuar përpjekjet konstruktive në Parlament",- theksoi Meta. Nga ana e tij, kreu i PDS-së, Paskal Milo tha se protesta është një kartolinë që "opozita i dhuron Berishës për Vitin e Ri, e nënshkruar nga të papunë, pensionistë, arsimtarë, ushtarakë, nga të gjithë ata që aspirojnë për një Shqipëri realisht demokratike". Ndërsa kreu i PSD-së, Gjinushi, duke e konsideruar qeverinë "Berisha" si qeverinë e korrupsionit dhe mashtrimit, tha se ajo ka zhgënjyer jo vetë të majtët, por edhe të djathtët.
Ushtarakët: Sot protestojmë për krizën në vend
TIRANË- Edhe ish-ushtarakët kanë protestuar dje kunder qeverisë, së bashku me opozitën, në sheshin "Skënderbej". Presidenti i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë, Mehdi Pogaçe i është drejtuar pjesëmarrjeve në protestë, duke i bërë thirrje që të protestojnë edhe në të ardhmen për problemet e tyre. Pogaçe e ka konsideruar shtresën e ushtarakëve në vrezervë si një nga shtresat më të keqtrajtuara të qeverive të të gjitha kohërave, por veçanërisht nga qeveria aktuale. "Shpeshherë krijohet përshtypja sikur ushtarakët marrin pensionet maksimale, por ato marrin pensionet minimale prej vitesh, si mijëra e mijëra të tjerë, si mësuesit apo minatorët. Prandaj, ne kemi ardhur së bashku me ju që të protestojmë jo vetëm për pensionet tona, por të protestojmë për ato probleme që sot janë përkeqësuar më shumë se më parë, e vijnë përditë duke u përkeqësuar",- u shpreh Pogaçe, duke vënë theksin në mungesën e energjisë elektrike, mungesën e ujit të pijshëm apo korrupsionin galopant, dhe në nevojën e protestave në të ardhmen.
Pensionisti, Kotobelli: Berisha na dha vetëm një pulë
"Pensionistët përbëjnë shtresën e shoqërisë që po përjeton më shumë keqqeverisjen dhe mashtrimin e qeverisë së korruptuar". Kështu e ka nisur fjalimin e tij të shkurtër në protestën e djeshme pensionisti Meleq Kotobelli i cili, duke shprehur protestën ndaj situatës që po kalon shtresa e pensionistëve sot, përmendi disa nga premtimet e bëra nga kryeministri Berisha dhe që sot janë të parealizuara. "Kryeministri na premtoi rritjen e pensioneve, por më shumë na rrit çmimet. Na premtoi 24 orë drita, e po na jep çdo ditë zhurmën e gjeneratorëve. Na premtoi rritjen e rimbursimit të ilaçeve e po na jep çdo ditë ilaçe kontrabandë dhe të skaduara. Na premtoi nga një tufë me gjela, por na jep në fund të vitit vetëm një pulë",- u shpreh përfaqësuesi i pensionistëve, duke theksuar se qeveria e Berishës është një qeverie e korruptuar, së cilës dita-ditës i shtohet mashtrimi, numri i të papunëve dhe varfëria. Në këtë kuptim, sipas tij, largimi nga pushteti i qeverisë "Berisha" dhe klani i tij, është një domosdoshmëri.
Arsimtarja, Zanaj: Berisha mbushi shkollat me militantëTIRANË- Ashtu si pensionistët dhe ushtarakët, edhe arsimtarët kanë shprehur zërin e tyre kundër qeverisë, në protestën e zhvilluar dje nga opozita e majtë. Natasha Zanaj, një mësuese prej 30-vjetësh, ka treguar para liderëve të opozitës dhe pjesëmarrësve të tjerë në protestë se, si ajo ishte bërë dëshmitare e largimit nga qeveria aktuale e shumë mësuesve në një nga shkollat e Tiranës, që sipas saj u zëvendësuan më pas me militantë politikë, që u përdorën nga e djathta në zgjedhjet vendore. "Jam dëshmitare se si brenda javës, pa asnjë lloj motivacioni, të gjithë mësuesit e shkollave të një prej njësive të Tiranës u larguan nga puna, për t'u zëvendësuar me mësues militantë, që më pas do të uleshin në tavolinat e numërimit të votave për zgjedhjet vendore. Kjo situatë u ndoq në të gjithë Tiranën",- është shprehur ajo, ndërsa i ka bërë thirrje qeverisë që ta shohë arsimin si një ndër prioritet kryesore dhe ta shprehë këtë me vepra, e jo me demagogji. "Zëri ynë i protestës nuk do të heshtë",- përfundoi ajo.
Qytetarët protestojnë paqësisht para Kryeministrisë e Presidencës
TIRANË- Ndryshe nga çfarë ndodh çdo ditë, opozita dhe qytetarët kanë shprehur dje protestën e tyre kundër qeverisë "Berisha". Për më shumë se një orë, në sheshin "Skënderbej" dhe në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" është ngritur zëri për problemet e shumta që po kalon shoqëria dhe vendi ynë sot. Në duart e përfaqësuesve të opozitës dhe të qytetarëve shqiptarë nuk kanë munguar as shfaqja e pankartave, në të cilat shkruhej me fjalë pakënaqësia ndaj qeverisjes. Ato ishin të ndryshme dhe përçonin mesazhe të ndryshme. Shumica i drejtoheshin kryeministrit Berisha dhe lidhen me mjaft probleme jetike, si mungesa e energjisë elektrike, ujit të pijshëm, varfërisë, papunësisë, por edhe korrupsionit. "Kur do i lani duart zoti Berisha", "Qeveria e uzurpimit të institucioneve", "Shqipëria vendi më i varfër në Evropë", "Qeveria kundër vlerave intelektuale", "Jo mashtrimit të pensionistëve", "Ndal diktaturës së korrupsionit", "Duam drita, duam Ujë, duam Punë", ishin disa prej parullave që shkruheshin në pankartat që mbanin në duar të pranishmit në protesta. Gjatë protestës nuk munguan as thirrjet në mbështetje të opozitës. Një prej tyre ishte dhe "Duam ujë, duam drita, shpresa jonë opozita", e cila u shqiptua nga protestuesit gjatë gjithë bulevardit "Dëshmorët e Kombit", ndërsa protesta u zhvendos drejt Kryeministrisë dhe Presidencës, e drejtuar nga krerët e partive të opozitës. Gjatë gjithë kohës së zhvillimit të saj, protesta e djeshme shfaqi nota paqësore, të cilat u dëshmuan nga vetë kreu i PS-së, Edi Rama. Ky i fundit, nuk ka lejuar protestuesit të përdornin parulla që në përmbajtje ishin fyese ndaj kryeministrit Berisha. Kështu, ndërsa para Presidencës një grup protestuesish po thërrisnin me fjalë fyese kundër Berishës, kreu i PS-së i është drejtuar atyre duke i kërkuar me duar që të pushonin.