E Shtunë, 31 Tetor 2026

Truku i qeverisë, ndryshohet llogaritje e inflacionit

Norma e larta të inflacionit, qeveria gjen zgjidhjen për të mbajtur çmimet brenda kontrollit
INSTAT publikon shportën e mallrave të konsumit që do të përdoret për llogaritjen e inflacionit
Nga simulimet që kemi bërë, rezultoi që nëse peshën e "ushqimeve" do e pakësonim nga 42.6 në 33%, pra nëse supozojmë se 1/3 e shpenzimeve shkon për ushqim, supozim i cili nga sa thuhet më lart duket i arsyeshëm, atëherë inflacioni për gushtin e shtatorin do ishte përkatësisht 3.4 e 3.7%",- bën të ditur Ministria e Financave.
Ministria e Financave ka ndryshuar metodikën e llogaritjes së inflacionit, që tashmë do të ketë një shportë të re mallrash dhe një indeks po të ndryshuar krahasueshmërie. Në shportën e re të mallrave që do të përdoret për të llogaritur inflacionin, do të ketë një ulje të ndjeshme të peshës specifike të mallrave ushqimore dhe gjithashtu të grupit "Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji". Edhe për grupin e mallrave "Hotele, kafene e restorante" ka një përgjysmim të peshës që ato zinin në shportë. Këto janë edhe mallrat që kanë sjellë edhe inflacionin në 6-mujorin e dytë të vitit 2007. Një ide e ndryshimit të peshave të mallrave që do të llogariten në shportën e re, kjo në favor të mallrave të quajtura si luks, është edhe zgjidhja për të dalë realisht në letër nga normat e larta të inflacionit.
Më pak para për ushqim
Shqiptarët e vitit 2008, sipas INSTAT shpenzojnë më pak për ushqim dhe më shumë për veshje, argëtim, komunikim, shërbim shëndetësor, etj. Ulje e shpenzimeve për grupin "Ushqime, pije dhe duhan" është me 3.6%. Nga 42.6% që është shporta e shpenzimeve për mallrat ushqimore që prej 2001 shkon në 39.0% në këtë muaj. Ndryshimi i shportës së mallrave të konsumit në indeksin e çmimeve është deklaruar se do ndryshohej që gjatë diskutimit të buxhetit, ku Ministria e Financave ka bërë të ditur se nëse do të kishim këtë shportë të re edhe në muajt e mëparshëm, nuk do kishim inflacion jashtë targeteve.
Qiraja, karburantet dhe energjia
Në këtë kategori, rënia e peshës së shportës është me 8%. Kështu, sipas INSTAT shporta e re që do të llogaritet do të ketë vetëm 16.4% të shpenzimeve për qira, ujë, karburante dhe energji elektrike. Ulje të peshës specifike në llogaritjen e inflacionit, do të ketë edhe për kategorinë kafene dhe shpenzime hotelerie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›