Kadare: Mungesa e dritave dhe e ujit, barbare
Shkrimtari i njohur Ismail Kadare flet për situatën në Shqipëri dhe çështjen e fesë
Zoti Kadare, Kosova ndodhet sot më pranë se kurrë më parë, realizimit të aspiratës së saj për pavarësi. Bashkimi Evropian, ndonëse jo i unifikuar, si dhe Shtetet e Bashkuara, janë shprehur në favor të njohjes së pavarësisë. Por, ndonëse vëmendja sot është përqendruar tek zhvillimet e ditës, duket se sfida më e madhe për Kosovën do të jetë periudha që do të pasojë. Si e shikoni ju mbarë këtë proces?
Natyrisht, që problemi i Kosovës po shkon drejt zgjidhjes përfundimtare. Duhet të jetë njeriu i verbër, që mos e shikojë këtë gjë, ose që mos jetë normal që mos e kuptojë. Problemi i Kosovës nuk ka qenë asnjëherë problem administrativ, politik, fetar, e aq më pak, çështje sentimentale, siç është paraqitur disa here. Ai ka qenë problem i madh i lirisë; liria është problemi numër një i çdo populli dhe problemi i Kosovës, mund të trajtohet edhe vetëm si i tillë, pra si problem vetëm i lirisë; dhe ai u trajtua si i tillë. Kur Evropa Atlantike, e nxitur nga shqiptarët e Kosovës vendosi t'i ndihmonte ata, ajo nderoi vlerat e saj dhe nderoi në radhë të parë, konceptin e lirisë. Zgjatja që ndodhi, ishte një fare tërheqjeje. Ne e kemi përjetuar në sytë tonë këtë, nën një presion të madh të propagandës serbe dhe pastaj asaj ruse, u bë një përpjekje për simetrizim të krimit, dmth, për një ngatërrese, një mjegullim midis xhelatëve dhe viktimave, për të paraqitur Serbinë si viktimë, për të zgjuar keqardhje për të, për të harruar çka ndodhur. Unë jam një europianist i vendosur, dhe gjithmonë kam theksuar dhe theksoj që mirënjohja shqiptare për Evropën Atlantike, për Evropën, për Shtetet e Bashkuar, duhet të jetë në jetë të jetëve, do të jetë e pandryshueshme; por kjo s'do të thotë aspak, që ne, të mos themi mendimin tone, kur ka gjëra, kur ne nuk jemi dakord me qëndrimet që mbahen. Në qoftë se do të kihen parasysh për shembull, e vërteta, çka ndodhur në Kosovë, në qoftë se do t'i bëheshin të njohura botës krimet që kanë ndodhur atje, masakrat, shpërnguljet e shqiptarëve, vrasjet e foshnjeve dhe sidomos një krim i madh, për të cilin është folur shumë pak, ose nuk flitet ende, përdhunimi në masë i grave dhe i vajzave të reja në Kosovë, vizioni për atë që ka ndodhur do të ishte shumë më i qartë dhe zgjidhja do të kishte qenë, për mendimin tim, më e shpejtë. Këto nuk i them aspak për revansh, askush nga ne nuk i thotë për revansh, përkundrazi, i them, meqë problemi zgjidhet vërtet në rrënjët e tij, në thellësinë e tij, që të mos ketë dilema më, se dilemat janë shumë të këqija, kur ka probleme të tilla madhore; unë jam për atë, që sytë t'i mbajmë nga e ardhmja, në kërkim të paqes, të mirëkuptimit me popujt fqinj, duke përfshirë, natyrisht edhe popullin serb; por kjo nuk mund të ndodhi me anë të harresës. Populli shqiptar nuk mund të trajtohet në këtë mënyrë, sepse kështu mund të trajtohet vetëm një popull i dorës së dytë. Për të ardhur tek pyetja juaj, tek sfidat më të mëdha që do të ketë Kosova. Kosova, është, do të jetë dhe ka marrë dhe po merr qysh tani, konturet e një zone shqiptare, evropiane, me të gjitha standardet humaniste të kontinentit evropian. Ai është dhe do të jetë atdhe i të gjithë njerëzve që banojnë dhe jetojnë në të, duke zbatuar të gjitha standardet më të larta në këto norma që ka arritur njerëzimi dhe qytetërimi. Në qoftë se thuhet dy shtete shqiptarë në Ballkan, nganjëherë kjo është një pyetje që zgjon pak habi. Si do të ekzistojnë dy shtete shqiptare në Ballkan? Natyrisht, që nuk është një zgjidhje e shkëlqyeshme, por natyrisht, që është një zgjidhje kompromisi, e vetmja që ngelet tani për tani.
Dhe çfarë marrëdhëniesh mendoni që do të kenë mes tyre këto dy shtete, ai i Kosovës dhe ai i Shqipërisë?
Unë them se këto do të kenë marrëdhënie krejtësisht të veçanta, dmth nuk them se do të kenë marrëdhënie si dy fqinj, këto janë më tepër se dy fqinjë. Këto janë dy shtete, që kanë një lidhje të brendshme, një lidhje tektonike të brendshme, sepse janë dy shtete të përbëra nga i njëjti komb, sepse janë një komb i ndarë në dy shtete; prandaj dhe do të kenë marrëdhënie korrekte, në radhë të parë, marrëdhënie të standardeve të larta demokratike, evropiane, dhe marrëdhënie siç ka një pjesë e një kombi, me pjesën tjetër të një kombi, njëkohësisht. Nuk mund të konceptohet ndryshe kjo gjë.
T'i kthehemi pak ngjarjeve në Shqipëri. Po mbushen pothuajse dy dekada që nga përmbysja e komunizmit dhe ende nuk mund thuhet se tranzicioni atje ka mbaruar. Shpeshherë, vihet re një ndjenjë pesimizmi për mundësinë e përmirësimit të gjendjes. Nga ana tjetër Shqipëria sot është pranë marrjes së një ftese për anëtarësim në NATO. Si do t'i komentoni ju këto zhvillime në Shqipëri?
Natyrisht, unë e kuptoj gjithë atë ligështimin që përmendët ju, e kuptoj fare mire dhe kjo nuk do të thotë që ne të harrojmë dhe të mos marrim parasysh atë çka ndodhur, kanë ndodhur edhe gjëra të mira në këtë kohë, psh ne, vetë fakti që ne, nga një vend që prisnim të na sulmonte NATO-ja, ja kishim mbushur mendjen vetes se do të na sulmojë NATO-ja dhe bënim gati disa shtiza dhe disa maja gjilpërash çative, që të mbroheshim prej saj, kurse tani presim ftesën që të hyjmë, kuptohet çfarë ka ndodhur, në botë edhe në Shqipëri; por unë e kuptoj edhe padurimin shqiptar, sepse ky tranzicion, siç thatë ju, zgjati shumë, dhe po kthehet në një fare ngecjeje, ngecje historike; se gati 20 vjet që po bëhen, nuk është më fjala tranzicion që i përshtatet. Problemi që kemi, është se ka disa probleme bllokuese në Shqipëri, që duken nganjëherë banale nga ana e jashtme, por s'janë banale, janë shumë të thella, ai që është problemi i dritave dhe i ujit. Na vjen turp të gjithëve, që duhet të flasim, të merremi me këtë problem. Mirëpo, nuk di si të mos merremi, sepse kjo është sikur të na ketë ardhur një gjë që nuk ndodh sot në botë, ose në një pjesë të madhe të planetit, të jetë kthyer, ta zëmë një sëmundje e Mesjetës, Murtaja, dhe ne të kemi punë me të. Mungesa e ujit dhe dritave, është barbare, është jo e epokës tonë, prandaj na acaron ne fakt, na bllokon në çdo gjë, paralizon vullnetin në këtë vend, krijon ligështim moral; dhe në këtë mënyrë, mungon ai që është normaliteti i jetës; në këtë mënyrë, Shqipëria s'mund të jetë një shtet i lire dhe sovran, duke pasur këtë problem kaq të rëndë, që në pamje është banal dhe mua më vjen tashti pak zor, që detyrohem të flas për të, kështu na vjen zor të gjithëve, është uji dhe dritat. Uji ka qenë një mjet shtypjeje, historikisht është njohur, mjet dhune; madje ekziston një terminologji, një term që quhet, "diktatura hidrike", diktatura të bazuara mbi sundimin e ujit, pra diktatura që bazoheshin më tepër se në burgje dhe në polici, në mungesën e ujit, në ndërprerjen e ujit, Natyrisht, që nuk dua të bëj krahasim, pa dyshim, por ne na ka mbetur pra nëpër këmbë, një gjë, një relike e kohërave barbare, e epokave të vdekura. Prandaj, kështu, shpjegohet që në Shqipëri krijohet ky ligështim, me të drejtë, si të thuhet, sepse duke mos zgjidhur disa probleme madhore, ato bllokojnë të tjera dhe bllokimi kalon në zinxhir dhe krijohet ajo që thashë, ngecja.
Zoti Kadare, në këto ditë festash, kur sapo lamë pas Bajramin dje dhe presim Krishtlindjet, nuk mund të mos kujtojmë përsëri faktin se shqiptarët gjithmonë janë shquar për tolerancën e tyre fetare dhe mirëkuptimin mes besimeve. Por sot dëgjon herë pas here, qoftë në Perëndim, qoftë nga fqinjët e shqiptarëve në Ballkan, se feja e shumicës së tyre, myslimanizmi, përdoret për argumente të caktuara. Ku mendoni ju se i ka bazat kjo?
Kjo ka një bazë, jo më kot që bëhet me kaq këmbëngulje, natyrisht. Tani, Ballkani shquhet si vendi i krijimit të përrallave, i fantazive. Një nga përrallat që lidhej me problemin e Kosovës ka qenë, se Kosova u shpall për një kohë të gjatë si djepi i serbizmit, Jeruzalemi i serbëve etj, etj., tani po krijohet një përrallë e re, jo më lidhur me serbët, por lidhur brenda një problemi ndërshqiptar – çështja e fesë tek shqiptarët. Shumë të interesuar janë shumë njerëz, që ta theksojnë këtë gjë, ta theksojnë se në Shqipëri ka dy besime ose tre besime, më saktë dhe është e habitshme sepse kjo krijon një lloj surprize tek shumë të huaj sidomos. Kanë qejf të surprizohen, të ndjehen të habitur prej kësaj. Unë nuk kam dëgjuar ndonjëherë të them të drejtën që në Evropë ku kjo dukuri është e njohur, njerëzit të habiten për këtë gjë. Në Gjermani, në Francë, në vende të tjera evropiane ka dy dhe disa herë tre besime kryesore. Nuk kam dëgjuar kurrë që një francez të thotë jam francez protestant apo katolik, ose një gjerman ta thotë këtë gjë. Janë gjermanë, janë francezë, tani është shtuar edhe feja myslimane, ku ta zëmë, në Francë ta zëmë ka më shumë myslimanë sesa në Shqipëri e në Kosovë bashkë. Pra vetëm kjo, për ne bie shumë në sy, ose më tepër ka një theksim me një farë padurimi që nga kjo gjë të ndodhi diçka në Shqipëri. Harmonia fetare, siç e përmendët ju, ka qenë vërtetë një sfidë e jashtëzakonshme që populli shqiptar i ka bërë në radhë të parë historisë së vet, që nuk e ka lejuar atë të preket dhe që po i bën në një farë mënyre mendësisë botërore, evropiane. Ku e ka bazën tani gjithë kjo pritje e gjatë që të ndodhi diçka me këto fe? Kjo e ka bazën tek një ide e mbrapshtë, e vjetër, që shqiptarët nuk janë evropianë; shqiptarët duke qenë se kanë një pjesë të madhe myslimanësh midis, këta myslimanë shqiptarë së paku, në qoftë se s'janë të gjithë shqiptarët evropianë, së paku myslimanët shqiptarë s'janë evropianë, domethënë shumica e tyre. Kjo është një tezë e mbrapshtë, me një qëllim të caktuar, që lidhet me krimet e vjetra dhe me projekte të ardhshme të cilat jam i bindur që nuk do të kryhen kurrë. Domethënë, kush janë krimet e vjetra që lidhen me këtë? Shpërngulja – ka qenë një doktrinë antishqiptare. Shpërngulja ka qenë një mënyrë që ne e kemi provuar. Kosova sot do të kishte 3 milionë banorë në qoftë se nuk do të kishte disa shpërngulje të tmerrshme në vitet 30 dhe 40, shpërngulje të mëdha në Turqi. Domethënë ata shqiptarë që kanë qenë 300 – 400 mijë në atë kohë që kanë ikur do të ishin një milionë. Pra shikoni se si shpërngulja është një mjet që është shfrytëzuar dhe ky mjet vazhdon të jetë në projektet e mbrapshta, të besohet gjithmonë, të ëndërrohen gjëra të shkuara, që të bëjnë që të quhen shqiptarët miq të huaj për kontinentin evropian. Domethënë ne, serbët e këta, janë evropianë dhe shqiptarët nuk janë, meqenëse kanë këtë problemin e fesë. Këtu është prapavija, mendoj unë, e keqe e këtij problemi që neve me sukses, populli ynë, kombi ynë e ka sfiduar, duke vërtetuar se myslimanët shqiptarë janë po aq, ndihen anëtarë të kontinentit, pjesëtarë të këtij kontinenti që quhet Evropë, po aq sa katolikët, po aq sa të tjerët, ortodoksët, ateistët etj..
Mungesa e ujit dhe dritave, është barbare, është jo e epokës tonë, prandaj na acaron ne fakt, na bllokon në çdo gjë, paralizon vullnetin në këtë vend, krijon ligështim moral; dhe në këtë mënyrë, mungon ai që është normaliteti i jetës; në këtë mënyrë, Shqipëria s'mund të jetë një shtet i lire dhe sovran, duke pasur këtë problem kaq të rëndë
Ku e ka bazën tani gjithë kjo pritje e gjatë që të ndodhi diçka me këto fe? Kjo e ka bazën tek një ide e mbrapshtë, e vjetër, që shqiptarët nuk janë evropianë; shqiptarët duke qenë se kanë një pjesë të madhe myslimanësh midis, këta myslimanë shqiptarë së paku, në qoftë se s'janë të gjithë shqiptarët evropianë, së paku myslimanët shqiptarë s'janë evropianë, domethënë shumica e tyre. Kjo është një tezë e mbrapshtë, me një qëllim të caktuar, që lidhet me krimet e vjetra dhe me projekte të ardhshme të cilat jam i bindur që nuk do të kryhen kurrë.
Domethënë ne, serbët e këta, janë evropianë dhe shqiptarët nuk janë, meqenëse kanë këtë problemin e fesë. Këtu është prapavija, mendoj unë, e keqe e këtij problemi që neve me sukses, populli ynë, kombi ynë e ka sfiduar, duke vërtetuar se myslimanët shqiptarë janë po aq, ndihen anëtarë të kontinentit, pjesëtarë të këtij kontinenti që quhet Evropë, po aq sa katolikët, po aq sa të tjerët, ortodoksët, ateistët etj..