Godo: ”Berisha të ndërhyjë, të shkarkojë Bollanon”
Historiani dhe politikani Sabri Godo ka reaguar ndaj ngjarjes së ndodhur në Himarë, ku një grup personash ka hedhur parulla për autonomi, pasi është vizituar nga zëvendësministri i Jashtëm grek. Godo ka kërkuar nga kryeministri Berisha që të ndërhyjë menjëherë dhe me kopetetencat e tij të shkarkojë nga detyra kryetarin e Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. “Është koha që Ministria e Jashtme dhe qeveria shqiptare të bëjë përpara për të ndaluar një precedent të tillë, pasi është mbushur kupa. Tani kryeministri Berisha duhet domosdoshmërish ta shkarkojë këtë kryetar bashkie që shkel ligjet e shtetit të cilit duhet t’i shërbejë. Është në seriozitetin e shtetit tonë të thotë se nuk lejon askënd të çdo lloji të bëjë atentat ndaj territorit të Republikës së Shqipërisë. Atje herë pas here shkon ndonjë deputet apo zëvendësministër grek, të cilët flasin dhe mbledhin njerëz si të ishte shtëpia e tyre dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë bëjnë një nxitje të këtyre ekstremistëve”, - tha Godo.
14 Prill 2008