E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: Berisha të qartësojë koalicionin e së djathtës

Presidenti i nderit të Partisë Republikane i kërkon Kryeministrit të qartësojë idetë për koalicionin e ardhshëm elektoral. Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të kësaj partie, Sabri Godo kujtoi se në proceset e shkuara, e djathta vajti me koalicione që kanë qenë pak a shumë të qarta. "Ne duhet të përpiqemi sërish që të krijojmë një aleancë të forcave të djathta, që nuk e di se si do të quhet", theksoi Godo. Sipas tij, si do të jetë aleanca, si do të jetë koalicioni, si do të bëhet, kjo varet nga forca politike kryesore e mazhorancës dhe personalisht nga vetë doktor Berisha. Ky i fundit, në vlerësimin e Godos, duhet të caktojë emrin e këtij koalicioni, kush do të bëjë pjesë në këtë koalicion dhe si duhet të funksionojë ky koalicion. Për fat të keq, konstatoi Godo, deri sot që po flasim bashkë, të gjitha këtyre pyetjeve nuk jemi në gjendje t‘u japim përgjigje, por do të shikojmë se çdo të ndodhë në ditët e ardhshme. Para të pranishmëve në forumin e lartë vendimmarrës e mori fjalën edhe kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Teksa ju referua programit politik të partisë, ai insistoi se disa nga idetë u kundërshtuan, u konsideruan të papranueshme nga mazhoranca. "Në mënyrë të veçantë kjo ndodhi me atë të kthimit të pronës private te pronari i ligjshëm. Edhe sot që flasim për kthimin e pronës, edhe pse është më e pranueshme logjika se prona i takon pronarit të ligjshëm, sjellja ndaj saj vazhdon të jetë e padrejtë dhe jo në rrugën e duhur", theksoi Mediu. Ai këmbënguli në faktin se ata që e shfrytëzuan dhe që e vranë sikur të ishte e tyre, u bazuan në koncepte tërësisht leniniste. "Ajo që ngelet e drejtë është ideja jonë, ideja e republikanëve për kthimin e pronës te pronari i ligjshëm", ngulmoi Mediu. Partia Republikane është forca politike e cilësuar aleate tradicionale e Partisë Demokratike, në opozitë dhe pushtet. Në vijimësi nuk kanë munguar pakënaqësitë rreth "pjesës së tortës" që selia blu u ka caktuar republikanëve. Aktualisht këta të fundit përfaqësohen në qeverisje me postin e ministres së Shëndetësisë, Anila Godo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›