Klosi: Qeveria, jo transparente për kartat e identitetit
Socialistët konstatuan dje se procesi i pajisjes me karta identiteti është në mungesë të plotë transparence. Deputeti Blendi Klosi shprehu shqetësimin për faktin se vendimi i datës 7 janar është ende nëpër tavolinat e zyrtarëve, por jo në dijeni të qytetarëve. "Sot, kur ngelen vetëm dy ditë nga dita e fillimit të procesit, nuk ka as edhe një shqiptar të vetëm, përfshi dhe qeveritarët konfuzë, që të jenë të qartë ku do të aplikojnë, sipas kujt kalendari duhet të aplikojnë dhe kur do të pajisen me letërnjoftimin", tha Klosi. Sipas tij, paaftësia qeveritare vonoi procesin dhe ndaj aplikimi për kartë po fillon vetëm kur kanë mbetur më pak se 6 muaj nga data e zgjedhjeve, duke rritur shumë koston dhe amullinë e procesit. PS këmbëngul se dy familjarëve madhorë që marrin ndihmë ekonomike, do t´u duhet të paguajnë 80% të këstit mujor për të marrë kartat e identitetit, dhe janë 90 mijë familje të tilla në Shqipëri. "Pensionistit të fshatit do t´i duhet të paguajë 1/5 e këstit mujor të pensionit për të marrë kartën e identitetit, dhe janë 150 mijë pensionistë të tillë pleqërie në fshat", tha Klosi. Një tjetër kategori sipas tij janë të papunët, që do t‘u duhet të paguajnë 1/5 e këstit mujor të përfitimit për të marrë kartën e identitetit, dhe janë 10 mijë të papunë të tillë në Shqipëri. "Edhe ish-minatorit do t´i duhet të paguajë 1/5 e këstit mujor të trajtimit. Dhe janë 5 mijë ish-minatorë të tillë në Shqipëri", vijoi Klosi. Për këto arsye, insistoi ai, ne i kërkojmë me forcë qeverisë që të ulet të negociojë me kompaninë që po zbaton koncesionin, për të gjetur mundësitë dhe rrugët që për të gjithë personat e grupeve të mësipërme, kostoja e pajisjes me kartë të përballohet nga shteti.