E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria evropiane dhe roli i minoritetit grek

Kosta Barka 

Shqipëria dhe Greqia kanë rrugëtuar në histori si dy vende fqinje, që kanë ndarë bashkërisht të mirat dhe të këqijat, kanë përfituar apo kanë humbur prej lëvizjeve të mëdha arkitektonike të qytetërimeve. Por, si fqinjë, këto dy popuj, që në lashtësi dhe deri në ditët tona, kanë shfaqur, në jo pak raste, shembuj të shkëlqyer të mirëkuptimit, sakrificës dhe bashkëjetesës së ndërsjellë. Por, ditët e sotme, mbase, shënojnë një ndër momentet më pozitive të historisë së marrëdhënieve mes këtyre dy popujve. Tashmë, shqiptarët dhe grekët janë pjesë e një familjeje në Aleancën e madhe ushtarake Euro-atlantike, dhe po ecin me ritme të shpejta që Shqipëria të bëhet pjesë të Bashkimit Evropian.   Në këtë kontekst, Athina zyrtare nuk ka treguar ndonjëherë vullnet dhe mbështetje kaq të fortë sesa tani për të lehtësuar rrugën e Tiranës zyrtare në procesin e integrimit euro-atlantik. Kjo nuk lidhet thjeshtë me faktin e të qenit vende fqinje, por, me linjën qartë, me filozofinë e miqësisë dhe të bashkëpunimit që ka marrë një tjetër dimension në ditët e sotme. E gjitha kjo është në funksion të krijimit të një hapësire të përbashkët paqeje dhe begatie ekonomike, si rruga më e drejtë për të zhdukur praktikat e vjetra; qofshin ato edhe në emër të nacionalizmave. Vetë proceset integruese presupozojnë forcimin e  lidhjeve të gjithanshme; ekonomike, kulturore, shoqërore; presupozojnë krijimin një koncepti të ri për kufijtë, duke i shndërruar ata në baza komunikimi material dhe shpirtëror; në baza për shkëmbimin e progresit të vazhdueshëm.
Shqipëria është bërë pjesë e NATO-s që me 2 prill të këtij viti, duke shënuar një faqe të re në historinë e saj. Dhe, padyshim, Greqia e mbështeti fort një hap të tillë; u bë pjesë e lobingut pozitiv, duke treguar se fiksionet e sëmura nacionaliste të së kaluarës nuk ekzistojnë më dhe gjuha e sëmurë i takon një historie të shkuar. Qeveria dhe shteti grek tani po investohen në projektin e Shqipërisë evropiane, duke nxitur proceset e liberalizimit të vizave për shtetasit shqiptarë dhe marrjen sa më shpejt të statusit të vendit kandidat. Mjafton të përmendim këtu se Greqia, bashkë me Francën dhe Çekinë kanë nënshkruar kërkesën për tu hapur rrugë aplikimit të Shqipërisë si vend kandidat në Bashkimin Evropian.
Padyshim, plazma e këtyre marrëdhënieve të shëndosha mbetet komuniteti grek në Shqipëri, i cili sot ndihet një komunitet i privilegjuar, pasi ka mundësinë që të përfitojë njëherësh nga zhvillimet dhe progresi i të dy vendeve. Elementë të rëndësishëm jetësorë janë shkrirë dhe unifikuar në mënyrën e jetesës dhe kulturës së përbashkët. Në të njëjtën mënyrë, edhe komuniteti shqiptar i emigruar pas viteve “90 në Greqi, ndihet, po ashtu, i privilegjuar nga përfitimet respektive. Janë rreth 1/4 e popullsisë, emigrantët shqiptarë që e shikojnë Greqinë si vendin e të ardhmes së fëmijëve të tyre.
Po ashtu, janë të shumtë investitorët grekë që shikojnë Shqipërinë si vendin e sigurt për kapitalet dhe investimet e tyre. Kjo simbiozë e rëndësishme shoqërore padyshim që i ka çuar në një stad tejet të lartë dhe të pakthyeshëm marrëdhëniet mes dy popujve dhe dy qeverive.
Ato tani janë një realitet përtej klithmave nacionaliste të dikujt që kërkon ta përdorë një gjë të tillë, arkaikisht, thjesht për kapital politik apo për pasione të sëmura. Reminishencat e së kaluarës, të cilat ende shfaqen tek disa politikanë, që për të fituar mbështetjen e ekstremistëve nuk shkëputen nga ato mentalitete e praktika që pengojnë proceset integruese, janë një zë në humnerë, që kthehet thjesht vetëm në veshët e tyre.
 Përballë këtyre klithmave pa bereqet; – qeverisja 4-vjeçare ka thyer tabutë e së kaluarës së largët dhe të afërme; ka lejuar hapjen e shkollave në gjuhën greke; ka firmosur marrëveshje për varrezat e ushtarëve grekë të rënë në luftën italo-greke; ka përshëndetur dyshtetësinë dhe ka investuar në infrastrukturën e zonave minoritare. Padyshim, që nuk i ka bërë të gjitha, por kahja pozitive është përvijuar tashmë edhe interesimi konstant i qeverisë ndaj minoritetit etnik grek tregohet qartësisht.
Autori i këtyre radhëve e ndjen veten qytetar të privilegjuar dhe të nderuar nga Shqipëria dhe Greqia, por, njëherësh të përgjegjshëm dhe të zellshëm për të mbjellë dhe kultivuar farën e mirësisë, harmonisë dhe zhvillimit të ndërsjellë. Jam njëherësh greku dhe shqiptari që ka jetuar dhe punuar në realitetin e ri, të cilit sot po i marrim frytet e mira, për të cilat kemi punuar; që më janë besuar përgjegjësi të mëdha, të cilat, kam luftuar ti orientoj dhe kanalizoj në këtë frymë të mirë.
Më është besuar nga maxhoranca që përmbyllin me sukses misionin e parë katërvjeçar të qeverisjes drejtimi i Ministrisë së Punës Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta për disa vjet me radhë dhe kam synuar, jo vetëm të realizoj detyrat e mija kushtetuese dhe ligjore, por, njëherësh, të kontribuoj konkretisht dhe shpirtërisht që Shqipëria dhe Greqia të jenë pjesë harmonike e këtij realiteti të ri evropian. Gjej rastin këtu që të falënderoj veçanërisht zotin Berisha, i cili e ka ndjerë shumë mirë këtë realitet dhe ka punuar për ngritjen në një dimension kaq të lartë të raporteve tona.
Edhe në garën për zgjedhjet e 28 qershorit, unë u bëra pjesë e ekipit konkurrues të maxhorancës, jo vetëm për shkak të frymës së miqësisë dhe bashkëpunimit, por, se isha i bindur e Shqipëria ka fituar shumë gjatë katër viteve që lamë pas, gjë që u duk qartë edhe në votëbesimin më të fundit popullor. Unë konkurrova në emër të “Bashkimit për Ndryshim” në Qarkun e Vlorës dhe padyshim u ndjeva i privilegjuar gjatë gjithë fushatës, qoftë përballë bashkëkombësve të mi grekë, qoftë përballë zgjedhësve të zonës për shkak të interesit të madh dhe investimeve të jashtëzakonshme që ka bërë Qeveria në bregdetin e Jugut. Një gjë e tillë, duket qartë, në dritën e diellit, teksa sheh rrugën moderne përgjatë bregut, e cila i ka dhënë jetë turizmit të zonës.
Paçka se unë nuk arrita të merrja mandat për shkak të presjeve dhjetore dhe kalkulacioneve të ftohta matematikore që prodhoi Kodi i ri Zgjedhor, unë jam pjesë e fitores, si kontribuues i saj; Por, jo vetëm unë; - një pjesë e madhe e komunitetit grek në Qarkun e Vlorës i besuan dhe votuan projektin evropian të maxhorancës; besuan investimet dhe vlerat e treguara gjatë katër viteve të qeverisjes, vlerësuan edhe kandidatët e Aleancës. Paçka se unë nuk jam mandatuari i tyre në Kuvendin e ri të Shqipërisë, gjej rastin t’iu them atyre që na besuan votën e tyre se do të luftoj dhe sakrifikoj që interesat e tyre të ligjshme dhe qytetare të jenë të përfaqësuara institucionalisht edhe në 4-vjeçarin e ardhshëm. Për këtë shkak, i kërkoj edhe kreut të maxhorancës që të marrë në konsideratë domosdoshmërinë e përfaqësimit dhe integrimit të minoritetit grek deri në nivelet më të larta të institucioneve të shtetit, dhe veçmas, atë grupim që ka qenë pjesë reale e koalicionit për një Shqipëri evropiane; dhe që ka luftuar për promovimin dhe krijimin e këtij realiteti të ri mes shqiptarëve dhe grekëve. Unë, bashkë me shumë bashkëkombës të mi, shtetas shqiptarë, që jemi në radhët e komunitetit tonë, nuk jemi të kompleksuar; edhe as pjesë e gabimeve të vogla apo të mëdha, e besëprerjeve dhe kulisave, e pazareve në emër të vlerave dhe patriotizmit që prodhohet në strofkullën demagogëve. Të gjithë ne jemi pjesë e projektit për të cilin investuam dhe punuam bashkërisht; e programit që mori votën popullore më 28 qershorit; e planit për një Shqipëri evropiane. Për hir të këtij ideali dhe sukseseve që kemi korrur të gjithë bashkërisht, komuniteti grek është gati të sakrifikojë dhe marrë përgjegjësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›