Godo: Duam ministri e njerëz në administratë
TIRANE-Një javë pas zgjedhjeve dhe kur Berishës i është dashur të bëjë koalicion me Metën, aleatët e PD-së shfaqin synimet. Republikanët duan të ruajnë kuotat, 1 ministri dhe pjesëmarrje në administratë. Pas maxhorancës që arritën të krijonin me Lëvizjen Socialiste për Integrim, demokratët do të përballen me oreksin e aleatëve të saj, me ose pa mandat në Parlamentin e ardhshëm. Republikanët, njëri nga aleatët më besnikë të Partisë Demokratike, edhe pse përfaqësohet me një deputet në Parlament, me kreun e saj, Fatmir Mediu, do të kërkojë njësoj si në mandatin e kaluar, një vend ministror në kabinetin Berisha. Presidenti i nderit, Sabri Godo, thotë se do të jetë kjo kërkesa e republikanëve, si dhe ruajta e posteve në administratë, pavarësisht se PR-ja nuk përfaqësohet më me 11 deputet. “Ne nuk kemi nisur ende bisedimet me palët e tjera, sidomos me Partinë Demokratike. Unë mendoj se na takon të kemi pjesën që zotërojmë sot në administratën publike. Nuk ngulim këmbë për një ministri, mjafton të jetë një ministri që shkon barabartë me kontributin e Partisë Republikane”, - theksoi Sabri Godo.
(d.b/BalkanWeb)