E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: ISHP të marrë masa për sezonin e verës

Autori i Lajmit: red.
Skema e re e vetëfinancimit të spitaleve dhe strukturave të tjera shëndetësore, do të jenë hallka e parë e reformës, në shëndetësi. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, në një takim me drejtuesit e shëndetit publik në Tiranë e rrethe, si dhe specialistë, ka folur rreth reformës që tashmë pritet të konkretizohet në fund të muajit prill me lidhjen e kontratave, ndërkohë që është shprehur se vetëfinancimi dhe pajisja me të gjitha mjetet e nevojshme do të sjellë shërbimin e duhur dhe profesional pranë pacientëve. “Institucionet shëndetësore në të gjitha nivelet duhet të funksionojnë në bazë të një logjike ekonomike, me rregulla të përcaktuara qartë, duke respektuar të gjitha standardet për një shërbim profesional cilësor, në respekt të të drejtave të pacientit. Unë sot shpreh bindjen që duke u pajisur me instrumentet e nevojshme, ju do të jeni në gjendje të realizoni me sukses misionin tuaj të parandalimit të sëmundjes dhe të ruajtjes së Shëndetit”, shprehet Godo. Ndërkohë në takim është folur dhe për masat parandaluese që duhet të marrë Instituti i Shëndetit Publik dhe Inspektorati Sanitar për sezonin e verës, gjatë të cilit sëmundjet infektive janë dhe më të shpeshta në popullatë.

Ky lajm është publikuar: 24/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›