Kryeministri Berisha kujtohet për çamët
Kryeministri Berisha u kujtua një ditë pas ikjes së kryeministrit grek, Karamanlis, për çështjen çame. Në një njoftim të shpërndarë për medien, Berisha bëri akuzën e tij tradicionale se, media e blerë nga Edi Rama theksoi që Berisha shmangu çështjen çame nga biseda me kryeministrin Karamanlis.
Në të vërtetë ky ishte lajm i gjithë medies shqiptare dhe asaj greke.
Shpresojmë që Edi Rama të mos ketë blerë as zëdhënësen e kryeministrit, madje as vetë kryeministrin, i cili një ditë më parë nuk e zuri në gojë çështjen çame, as në bisedime, as para gazetarëve. Website-i i Kryeministrisë e dëshmon një gjë të tillë. Urojmë që kryeministri Karamanlis mos ta ketë dëgjuar njoftimin e djeshëm për shtyp të kryeministrit Berisha, pasi do të ndjehet i çuditur për një bisedë që nuk e ka bërë.