E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të kërkosh notën pa dhënë provimin

Nga Mero Baze

Aplikimi i Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për anëtare e Bashkimit Evropian është një ngjarje që meriton të respektohet, për shkak të peshës historike që mbart si vendim. Çdo vend që ndërmerr një hap të tillë, e kthen këtë ditë në një ditë feste, ku demonstron gjithë vlerat evropiane që ka krijuar, dhe troket i sigurt në dyert e Evropës. Dhe mysafirët që të presin dhe të urojnë mirëseardhjen në këtë ditë feste bëjnë kujdes të të përmendin vlerat dhe meritat për këtë vendim.

Por ne, ndryshe nga çdo vend që e ka bërë këtë hap, ia hoqëm vetes shansin ta kishim një festë të natyrshme këtë ditë ose së paku ta kishim një festë të të gjithëve.

Kryeministri, Sali Berisha, vrapoi me dosje nën sqetull në një derë, për të cilën kanë muaj që i thonë mos trokit para zgjedhjeve. Dhe pasi kjo kërkesë nuk u dëgjua, dhe pasi gjithë rregullat e mikpritjes u thyen nga bujtësi, kryeministri Berisha arriti ta zvogëlonte këtë ngjarje, ta kthente nga kombëtare në partiake, nga perëndimore në lindore, nga protokoll i lartë, siç ishte data e nënshkrimit të MSA, në protokoll nëpunësish të thjeshtë të BE.

Por mbi të gjitha, kjo ngjarje nuk u dëmtua aq nga protokolli i sforcuar prej sikletit të shkuarjes me çdo kusht në Pragë, por nga fjalia që shoqëroi çdo lider evropian në komentet e veta për aplikimin e Shqipërisë. Që nga “miku ynë i madh” Karamanlis, e deri te Sarkozy, që nga figurat e larta politike të Brukselit e deri te nëpunësi i thjeshtë që ishte në ceremoni me Berishën, kthyen në kryefjalë të ngjarjes së djeshme faktin që janë duke pritur që Shqipëria të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të drejta. Një koncentrim i tillë paralajmërimesh dëshpëruese për imazhin e një vendi që tenton të trokasë në Perëndim, është në të vërtetë fyerja reale që na bëhet në këtë ditë të shënuar, të cilën nuk e meritojmë.

Një vend, i cili kërkon me ngulm të aplikojë për në Bashkimin Evropian dhe mikpritësit i kujtojnë se po kërkon të marrë notën pa dhënë provimin, ndjehet realisht i poshtëruar nga këto paralajmërime. Zgjedhjet tona mund të dështojnë vërtet, por mund të bëhen dhe dinjitoze. Zgjedhjet e vitit 2005 ishin një hap i rëndësishëm përpara, dhe ato të vitit 2007 po ashtu treguan se vendi po ecën drejt një pjekurie elektorale sa i përket procesit. Por dyshimet për zgjedhjet e 2009 janë rritur ndjeshëm, pasi figura e kryeministrit Berisha është lehtësisht e goditshme, kur lidhet me cilësinë e zgjedhjeve. Pikërisht për këtë arsye ai duhet të përmbahej dhe nuk duhet ta zvogëlonte këtë festë ose, më mirë të themi, ta shpërdoronte këtë festë për truket e tij. Rasti i aplikimit të Shqipërisë për në BE ishte një rast i madh që Shqipërisë t’i kujtohej identiteti i saj evropian, t’i kujtoheshin vlerat evropiane dhe cilësitë e një kombi të qytetëruar. Në të vërtetë, gjithë komentet e shtypit ndërkombëtar dhe sot janë të mbushura me vizatime të dyshimta për vlerat tona evropiane. Lajmi i agjencisë franceze të lajmeve, vendit të presidentit Sarkozy, niste me fjalinë “një ish-vend komunist, i njohur për pushtetin e shërbimit sekret, me një kulturë banditeske dhe korrupsion, do të paraqesë formalisht kërkesën për anëtarësim në BE….” (AFP Tirana - ‎Apr 26, 2009‎). Raporte të tjera të gjitha përmendin si kryefjalë të tyre se Shqipërisë nuk do t’i jepet asnjë përgjigje pa kryer zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Kur lexon këto lajme, pyetja e parë që të lind është: Pse duhet ta përdhosnim këtë ditë dhe pse duhet të detyronim botën të na kujtonte cilësinë më antievropiane, ditën që trokasim në dyert e Evropës? A ka gjë më poshtëruese se sa ditën që troket në dyert e Bashkimit Evropian të të thonë lëre dosjen këtu se do ta hapim pas zgjedhjeve?

Kryeministri, Sali Berisha, i cili mund të ndodhë që të bëjë dhe zgjedhje të lira e të ndershme, në të vërtetë i ka vënë një pikëpyetje të madhe imazhit të Shqipërisë dhe ka poshtëruar pa shkak dhe thjesht për interesa të tij të ditës vendin, i cili, edhe pse është i tejplaçkitur prej tij, nuk është ende i gjithi i tij. Është dhe i një pjese tjetër të shqiptarëve që kanë pritur të festojnë dhe të dëgjojnë fjalë të mira ditën që do të trokasin në dyert e BE. Kurse dje gjithë bota mësoi se, ne që duam të hyjmë në Evropë, kemi ende problem zgjedhjet e lira, problem që vendet e tjera e kanë fshirë nga kujtesa e tyre bashkë me rënien e komunizmit. Kryeministri, Sali Berisha, mund të ishte përmbajtur të mos na e përdhoste këtë ditë. Por me sa duket nuk mundet. Dhe kur një kryeministër nuk përmbahet të prodhojë lajme kundër vendit të tij, nuk meriton ta përfaqësojë atë vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›