Qeveria, bixhoz me krizën
Trupi i shefit të Financave të gjigantit të pasurive të paluajtshme, Freddie Mac, u gjet këtë javë i vetëvarur në bodrumin e shtëpisë së tij në Virxhinia, sipas burimeve policore të SHBA, të cituara në medien ndërkombëtare. David Kellermann ishte caktuar në krye të Freddie Mac, pasi shteti amerikan mori kontrollin e kompanisë, kur kjo e fundit shpalli falimentin.
Kellerman, 41 vjeç, është në fakt viktima e radhës së krizës ekonomike botërore që nisi pikërisht në kompanitë financiare amerikane, për të rezultuar më pas në viktima të tjera, ndonëse jo me çmim jetën, edhe në vende të dorës së tretë. Shqipëria nuk bën përjashtim. Importimi i krizës i kushtoi vendin e punës ish-kreut të Tatimeve shqiptare, Arben Sefgjini, në janar të këtij viti dhe këto ditë lista u pasurua edhe me ish-drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Përparim Dervishi. Të dy këta zyrtarë që me sukses i kishin mbijetuar proceseve penale apo akuzave në media për afera (ende të pavërtetuara në rrugë ligjore), nuk i shpëtuan dot baticës së krizës, e cila rezultoi në ulje të vëllimit të shkëmbimeve të mallrave e të shërbimeve që në tetor 2008. Në fakt, arsyeja e shkarkimit të të dyve ishte pikërisht mosrealizimi i të ardhurave të planifikuara. Burime konfidenciale nga organigrama qeveritare thonë se lista e viktimave të karrierës pritet të rritet edhe me ndonjë emër tjetër para zgjedhjeve parlamentare të qershorit. E gjithë kjo përkthehet qartazi se buxhetit të shtetit po i mungojnë ta ardhurat e parashikuara, çka logjikisht duhet të përkthehej në ulje shpenzimesh, qoftë në investime, por edhe në nivel administrativ, siç është zëri i pagave për shembull.
Viktimat e tjera të krizës janë nëpunësit publikë në përgjithësi, të cilët në shumë vende po përballen me ulje pagash deri në shkurtim të radhëve të administratës. Vendet fqinje po i zbatojnë këto masa shumë seriozisht. Serbia vendosi t’i ulë pagat e administratës publike që janë mbi mesataren, me 40% për herë të parë në histori. Maqedonia, nga ana tjetër, uli shpenzimet buxhetore me 9%. Tablo të ngjashme po paraqiten në të gjitha vendet në rajon, madje edhe në Eurozonë. Por ky nuk është rasti i Shqipërisë. Qeveria shqiptare ka deklaruar se para zgjedhjeve do të rrisë pagat dhe pensionet, por pa ulur shpenzimet buxhetore që lidhen me investimet.
Qeveria ka shpallur se do të rrisë pagat me 10 deri në 20% që nga 1 maji i këtij viti, një masë që synon qartazi të japë ndikim në zgjedhjet e ardhshme. Pensionet listohen po ashtu në këtë prirje rritëse. Por zëri i pagave në buxhetin e shtetit nuk ka parashikuar rritje. Zyrtarisht, një fond kontigjence është lënë mënjanë për të përballuar rritjen e pagave dhe pensioneve, por ky fond kontigjence përbëhet nga pará që nuk janë mbledhur ende. Ndërkohë që mbetet ende mister se nga do të vijnë të ardhurat për të rritur pagat, vetë ministri i Financave, Ridvan Bode, thotë se ka realizuar të ardhurat doganore dhe tatimore, por ndërkaq ka realizuar shkarkimet e lartpërmendura pikërisht me arsyen e mosrealizimit të parashikimeve.
Pagat, një odise e krizës
Është rregull i pandryshueshëm se rritja e pagave duhet të jetë e barabartë ose më e ulët se rritja ekonomike, me parimin e vetëm që administrata publike të mos varfërohet përkundrejt pjesës tjetër të popullatës. Në çastin që rritja e pagës është më e lartë sesa rritja ekonomike, teorikisht dhe praktikisht përkthehet në inflacion. Vetëm të punësuarit në sektorin publik dalin më të humbur, sepse inflacioni prek para së gjithash shtresat e mesme dhe të ulëta. Ndodh shumë shpesh në Serbi që sa herë ka zgjedhje - dhe zgjedhjet atje janë të shpeshta - rriten edhe pagat. Pas zgjedhjeve qeveria rrit inflacionin dhe merr mbrapsht rritjen e pagës. Siç thotë Milton Fridman, inflacioni është një formë taksimi, për të cilën nuk ka nevojë të miratohet ligj në parlament.
Por Shqipëria këtë vit, të paktën teorikisht, është parashikuar të jetë pa inflacion. Ndërkaq, kur rriten pagat në kushtet e mungesës së rritjes ekonomike dhe të mundësive buxhetore, atëherë kjo rritje e pagave konvertohet drejtpërdrejt në deficit tregtar. Deficiti tregtar konvertohet në interesa të larta të borxhit publik dhe në zhvlerësim të lekut. Zhvlerësimi i lekut në vetvete është inflacion, të cilin tashmë po e paguajnë në kohë reale disa dhjetëra-mijëra familje që kanë kredi në euro nëpër banka. Përndryshe nga sa thotë FMN se rritja ekonomike do të jetë 0.4%, qeveria beson se rritja ekonomike do të jetë 4%. Ndërkaq, vetë qeveria parashikon t’i rrisë pagat me 10%-15%, çka shkon përtej edhe vetë parashikimit të rritjes ekonomike të vetë qeverisë. Pyetja që shtrohet është: Nga dalin paratë për të rritur pagat, në kushtet kur nuk ka rritje ekonomike? Teoritë dhe praktika e deritanishme ekonomike nuk jep asnjë përgjigje, por sakaq qarkullojnë zëra se Ministria e Financave po zhvillon “in vitro” një teori të re ekonomike.
Përgjigjja reale, por që përligj deri diku edhe hipotezën e mësipërme anekdotike, është edhe më e thjeshtë. Sipas JCR Ratings (kompania që vlerëson borxhin publik shqiptar), borxhi i brendshëm publik i Shqipërisë këtë vit do të shkojë nga 34% në 40% të GDP. Kjo është teoria e re ekonomike e qeverisë: futen shqiptarët në borxhe për të rritur paga e pensione. Kjo do të thotë se po i jepen pará borxh administratës publike dhe pensionistëve me interes në rritje, duke i ngarkuar me borxhe më shumë nga sa mund të mbajnë. Në njëfarë mënyre kjo masë mund edhe të përkufizohej me zërin e “kredive të këqija”. Me gjysmë miliardi euro që qeveria do të marrë borxh këtë vit, është sikur një bankë t’i japë një rrogëtari me 30 000 lekë pagë një kredi konsumatore 3 milionë lekë. Ndërkohë, vetë bankat besojnë se një kredi konsumatore në këtë rast do të ishte e pakuptimtë, nëse do të kalonte nivelin e 600 mijë lekëve, sepse marrja e huasë kryhet mbi atë çka ke mundësi të shlyesh dhe jo mbi çka nuk mundesh.
Në rrafshin personal ky quhet faliment, ndërsa në rrafshin kombëtar quhet zhvlerësim monedhe. Në këtë kuptim, stabiliteti ekonomik thellohet edhe më tej. Ndonëse mund të cilësohet si argument i përsëritur, sërish duhet vënë në dukje se kjo rritje pagash e pensionesh po ndodh para zgjedhjeve parlamentare. Praktika mund të mos jetë e re në Shqipëri, por modeli i kësaj radhe i ngjan shumë marifetit të rritjes së pagave-pensioneve në Serbi, çka rezulton kurdoherë në dëm të përfituesit. Dhe nëse Serbia në këtë rast i ka ulur pagat, ndoshta edhe për arsyen se nuk janë në zgjedhje, qeveria shqiptare po vë në jetë të njëjtin model, rezultat e të cilit janë provuar tashmë.
Rrugës patriotike i mbaron karburanti?
Burime konfidenciale nga Ministria e Financave thanë këtë të mërkurë për “Mapo” se, ndërsa kriza ekonomike ka rrënuar pritshmëritë e të ardhurave në buxhetin e shtetit të këtij viti, rruga Durrës-Kukës mund të vuajë nga mungesa e parave në arkë. Ndërsa vetë rruga duhet të përfundojë, zërat e prekur nga kriza parashikohet të jenë investimet dytësore, si kanalizimet, pastrimi i “maleve” me inerte të krijuara nga gërmimi i maleve origjinale etj. Vendimi është marrë në një takim të brendshëm të Ministrisë së Financave dhe mësohet se vetë ministri i Financave, Ridvan Bode, ka dhënë “bekimin” për ndryshimet në plan. Dhe ndërsa informacioni nga burimet e pakonfirmuara mbetet edhe në rastin më të mirë me karakter spekulativ, vetë varianti zyrtar duket se mbështet skenarin pesimist. Bode ka deklaruar pak javë më parë, se deri më 30 qershor të këtij viti - çka do të thotë 2 ditë pas datës së zgjedhjeve - rrugës Durrës-Kukës do t’i duhen edhe rreth 150 milionë euro investime. Asgjë për çka vjen pas kësaj date.
Sipas planifikimit aktual, punimet për rrugën duhet të përfundojnë në pranverë të vitit 2010. Por vetë planifikimi nuk kishte planifikuar krizën ekonomike, ndaj në këtë pikë, ashtu si çmimi i rrugës, mund të shtohet edhe periudha e ndërtimit të rrugës deri në përfundim të saj. Në pikëpyetje janë edhe segmentet e tjera të rrugës. Shifra e deritanishme prej 1 miliard eurosh e rrugës Durrës-Kukës i referohet vetëm segmentit prej 57 kilometrash, Rrëshen-Kalimash. Këtu nuk përfshihet vlera e segmenteve të tjera Milot-Rrëshen (rreth 32 kilometra), Kalimash-Kukës-Morinë (mbi 40 kilometra). Pa folur pastaj për një tjetër segment, i cili nuk përmendet askund, që duhet të lidhë autostradën Tiranë-Durrës me Milotin, sepse rruga ekzistuese është thjesht dhe vetëm rrugë fshati.
Deklarata e ministrit të Financave thotë gati hapur edhe diçka tjetër - presionin elektoral në buxhetin e shtetit dhe pritshmëritë e publikut për investimet e programuara. Por data 30 qershor mund të justifikohet në çdo çast si momenti i buxhetit shtesë, çka do të shpjegonte të paktën teorikisht, edhe mungesën e planifikimit të mëtejshëm. Por edhe në këtë rast do të jetë si buxheti suplementar i vitit të kaluar që ndonëse nga termi nënkupton shtesë, në fakt ishte shkurtim i shpenzimeve të planifikuara.
Kjo histori nuk mbaron këtu. Revista ka publikuar më parë se Durrës-Kukës rezervon kosto shtesë përveç atyre të parashikuara deri më sot. Sipas standardeve botërore, një rrugë ka nevojë për një mirëmbajtje vjetore që luhatet në vlerën 1-2% të kostos së ndërtimit. Për rrugë me infrastrukturë të komplikuar si ajo Durrës-Kukës kjo përqindje ka gjasa të rritet. Sakaq, vetëm segmenti Rrëshen-Kalimash është vlerësuar në rreth 1 miliard euro. Sikur vlera totale e krejt rrugës do të kufizohej në këtë shifër, vendi do të duhej të paguante nga 10 milionë euro deri në 20 milionë euro çdo vit vetëm për mirëmbajtje. Duke qenë se një rrugë e ndërtuar sipas standardeve ndërkombëtare në 10-vjeçarin e parë ka një kosto mirëmbajtjeje prej vetëm 1%, vetëm në 10-vjeçarin e dytë, kjo vlerë shkon në 2%.
Eksperti i njohur infrastrukturës, Sokol Kikino, vlerëson se një rrugë si Durrës-Kukësi ka gjasa të kërkojë shërbime mirëmbajtjeje rreth vlerës 1% brenda 8 viteve të para, ndërsa pas kësaj periudhe, kostoja e mirëmbajtjes do të shkojë në 2% të vlerës së ndërtimit. Në terma të thjeshtuar, kjo do të thotë se taksapaguesit shqiptarë do të paguajnë rreth 10 milionë euro çdo vit vetëm për mirëmbajtje - duke marrë parasysh vlerën fillestare prej 1 miliard eurosh të rrugës. Pas dhjetë vjetësh, kjo normë do të shkojë në 2%, ndryshe 20 miliardë euro çdo vit, mirëmbajtje plus amortizim. Duke shtuar këtu edhe interesat e kredisë së marrë, kjo do të thotë se vetëm gjatë 10-vjeçarit të parë, taksapaguesit do të kontribuojnë me të paktën 35 milionë euro çdo vit për rrugën Durrës-Kukës. Pa folur këtu për zhvlerësimin e natyrshëm të monedhave, zhvlerësim nga i cili Euro nuk bën përjashtim. Pas dekadës së parë shqiptarët do të paguajnë plot 20 milionë euro çdo vit vetëm për mirëmbajtjen e rrugës.