E Shtunë, 31 Tetor 2026

Profesor Ismet Elezi: Mehmet Shehu e kundërshtoi dënimin e Todi Lubonjës

 

Vijon nga numri i kaluar

“Kushtetuta e vitit ‘76 e çoi vendin në një vakum ligjor të paparë në tërë historinë e shtetit shqiptar. Qeveria komuniste e drejtuar nga Mehmet Shehu u paralizua tërësisht dhe fuqinë e mori urdhri politik që zëvendësoi ligjin. Tashmë Partia u bë forca e vetme udhëheqëse”.Dëshmia tronditëse i përket përfaqësuesit të ligjit të asaj kohe dhe profesorit të njohur të jurisprudencës Ismet Elezi, i cili për rreth dy dekada ka drejtuar Byronë Juridike të Këshillit të Ministrave dhe ka marrë pjesë në komisionin e hartimit të Kushtetutës së vitit ‘76. Në vazhdim të rrëfimit të tij për emisionin “Histori me zhurmues” të Pandi Laços në TV Klan, ish-bashkëpunëtori i kryeministrit komunist tregon rrethanat në të cilat u përgatit mjedisi për tjetërsimin e dokumentit themeltar të shtetit, të cilit i parapriu tragjedia e ndodhur në drejtësinë shqiptare pas vitit 1975, kur Byroja Politike urdhëroi zbatimin e modelit kinez për revolucionarizimin e jetës së vendit. Më herët, në harkun e dy viteve, vë në dukje profesor Elezi, në zbatim të këtij vendimi politik u shfuqizuan më se 400 ligje dhe u suprimua Ministria e Drejtësisë bashkë me disa institucione të tjera të drejtësisë. Ndërkaq, pasojat do të vazhdonin më dramatike pas miratimit të Kushtetutës, ku iu hap rruga hartimit të ligjeve antidemokratike, si ai i internim-dëbimeve, shpronësimeve në fshat, shtimi i rasteve të dënimit me vdekje etj. Profesori 90- vjeçar Ismet Elezi më poshtë tregon për situatën e rënduar në administratën e shtetit, kur drejtësia mori regresin e fuqishëm drejt greminës dhe makthin pa kthim te krerët e ekzekutivit të kryesuar nga Mehmet Shehu, të cilët ishin të detyruar t’u thoshin vetëm “Si urdhëron!” urdhrave politikë të udhëheqjes së lartë komuniste...
Në këtë linjë arritëm te çështja e afirmimit të partisë si forca kryesore udhëheqëse, gjë që nuk ishte në Kushtetutën e vitit ‘46...
E vërteta është se në Kushtetutën e vitit ‘46 nuk ishte, por në atë të vitit ‘50 u vu, pavarësisht se ishte në një formë tjetër. Në Kushtetutën e ‘50 u vu roli i organizatave të masave dhe roli udhëheqës i partisë mbi to. Pra, në një mënyrë tjetër, jo si ai i Kushtetutës së ‘76. Kë kushtetutën e ‘76 roli udhëheqës i partisë ishte kategorik, absolut dhe i tillë u sanksionua dhe në dokumentin bazë.
Sa herë u mblodhën grupet e punës që përgatitën projektin e Kushtetutës?
E vërteta është se puna e grupeve vazhdoi rreth tre vjet. Ne si grup pune mblidheshim shpesh. Nëngrupet punonin pandërprerje dhe na i dërgonin ne materialet. Aty i shqyrtonim...
Është thënë se projekti i Kushtetutës i është nënshtruar dhe një diskutimi popullor. Cila është e vërteta?
Po, u bë një diskutim popullor. Në atë kohë u tha se rreth 300 mijë vetë bënë propozime konkrete. Po ashtu u raportua se në këtë diskutim popullor morën pjesë 1 milion e 500 mijë vetë. Vërejtjet dhe sugjerimet e mbledhura nga ky diskutim popullor i morëm në shqyrtim një për një në sensin cilat janë të arsyeshme, cilat jo. Ishte një punë shumë serioze dhe tepër intensive për ne pjesëtarët e grupeve. Ndër anëtarët e tyre mund të përmend Behar Shtyllën dhe Karaman Yllin, që gjatë tërë kohës demonstronin kompetencë dhe kulturë të lartë.
Pra, ju thoni se ata dalloheshin për kulturë profesionale, apo jo?
Nuk mund të them se kishin kulturë të lartë profesionale në fushën e ligjshmërisë, por ata ishin shumë të vëmendshëm në vlerësimin e zërit të specialistëve të fushës, siç ishin Luan Omari, Aranit Çela, Gramozi dhe unë. Gjërat në komision ishin të ndara. P.sh., për çështjen e rolit udhëheqës të partisë merrej një grup më vete dhe ne të tjerët as që kishim lidhje fare me të. Kryesisht me të merrej grupi që trajtonte çështjet ideologjike. Unë personalisht merresha me problemet e organizimit shtetëror siç ishin ato për organizimin e Kuvendit Popullor dhe qeverisë...
Zoti Ismet! Të vijmë te një çështje tjetër. Në të gjitha kushtetutat normale parashikohen edhe krizat qeveritare. U shkoi ndërmend kur hartonit projektin e Kushtetutës së ‘76 ta sanksiononit edhe ju këtë nen apo jo?
Nuk bëhej fjalë fare ta vinim një nen të tillë, pasi parashikohej në çdo rast koncepti i pavdekësisë së sistemit...
Megjithatë, në nenin për qeverinë nuk ka referenca konkrete për rolin e partisë dhe raportet Qeveri-Byro Politike...
Kjo çështje ezaurohet në nenin që përcakton se Partia është forca e vetme udhëheqëse dhe drejtuese e shtetit dhe shoqërisë. Te rendi politik i sanksionuar ligjërisht. Kjo do të thoshte se i gjithë mekanizmi shtetëror, duke filluar nga poshtë-lartë, është nën udhëheqjen e partisë...
Të gjitha kushtetutat strukturoren sipas modeleve të ndryshme. Çfarë kushtetute kishit për model kur ishit duke hartuar projektin e dokumentit të ‘76?
E vërteta është se moto e punës tonë ishte hartimi i një dokumenti origjinal, që do të thoshte se nuk do të kishim ndonjë huazim qoftë edhe për ndonjë nen të veçantë. Padyshim që mbështetja kryesore ishte Kushtetuta e vitit ‘46 dhe ajo e vitit ‘50. Fjala ishte që në projektin e ri të sillnim ato formulime që ishin të përshtatshme për aktualitetin, ndërkohë që do të përshtatnim nenet e tjera me realitetet aktuale. Kur ishim duke ristudiuar Kushtetutën e ‘46 dhe atë të vitit ‘50, vumë re se ajo e vitit ‘46 ishte një dokument më serioz e profesional. E gjitha kjo kishte të bënte me faktin që për hartimin e saj kishin punuar specialistë që kishin studiuar në Perëndim, të cilët më vonë u larguan përdhunshëm nga profesioni. Në Kushtetutën e vitit ‘50 dominonte influenca sovjetike...
Cilat janë karakteristikat kryesore të Kushtetutës së ‘76?
E para, ajo është e përshkruar e tëra nga ideologjia marksiste-leniniste, tipar ky që nuk ishte as në dokumentin e ‘46 dhe as në atë të ‘50. Kushtetuta e ‘76 sanksionoi me ligj natyrën e shtetit si shtet i diktaturës së proletariatit. Më përpara thuhej Republika Popullore e punëtorëve dhe fshatarëve, tani shteti i diktaturës së proletariatit. Dokumenti i ri shpallte rolin udhëheqës të partisë në gjithë jetën e vendit, luftën e klasave  etj. Përsa i përket bazës politike bëri ndryshimin se në ‘46 nuk flitej për Kuvend Popullor, por thuhej se baza e pushtetit janë këshillat popullore. Tanimë pushteti fillonte te Kuvendi Popullor dhe përfundonte te Këshillat Popullore. Baza ekonomike ndryshoi rrënjësisht, sepse në Kushtetutën e ‘76 sanksionohej karakteri socialist i ekonomisë mbi bazën e pronës socialiste të shprehur në dy forma, prona shtetërore dhe ajo kooperativiste. Po kështu sanksionohej zhdukja e pronës private dhe përcaktohej struktura klasore e shoqërisë, ku bënin pjesë klasa punëtore, fshatarësia kooperativiste dhe inteligjenca popullore. Të tjera tipare mund të përmendim vendosjen e parimit të centralizmit demokratik, të kontrollit punëtor-fshatar, atë të vijës së masave etj...
Cilat ishin pasojat që solli kjo Kushtetutë në jetën e vendit?
E para dhe mbi të gjitha ishte pasoja negative që solli përqendrimi i gjithë pushtetit në duart e partisë. Pra, i gjithë pushteti u bë monopol i një partie të vetme, e cila komandonte qeverinë dhe të gjitha hallkat e shtetit. Ishte një centralizim absolut që u shtri dhe në fushën ekonomike, ku e tërë baza ekonomike u përqendrua në duart e shtetit. U përligj kësisoj një realitet, ku çdo gjë kontrollohej nga partia. Numëroheshin edhe vezët e pulave, siç e thashë, vezët që duhej të prodhonin pulat e fshatarit, jo ato të prodhuarat etj. Të tjera pasoja shkaktoi kjo kushtetutë, sidomos në zbatimin e të drejtave të njeriut, si liria e medias. E fesë etj...
A u bënë ndryshime të tjera në legjislacionit e kohës pas miratimit të Kushtetutës së vitit ‘76?
Po, dolën kodet. Tipik ishte ndryshimi i Kodit Penal. Dënimet me vdekje në të arritën shifrën 33. Pra, Kushtetuta u lidh me ashpërsimin e luftës së klasave. Ajo doemos do shpinte në sanksione të ashpra penale. Të gjitha sanksionet në këtë aspekt u shtuan. Rritja e rasteve të dënimit me vdekje u rrit aq shumë sa nuk kishte as një vend tjetër, madje as edhe ato të vendeve të Europës Lindore.
U bë kod i ri apo u modifikua ai ekzistues?
U bë Kod i ri, i cili pati për kusht përshtatjen me Kushtetutën e re. Ai njihet ndryshe dhe si Kodi i vitit ‘77. Po ndryshime themelore u pasqyruan edhe në Kodin Civil.. Aty u hoq prona private. Pra, pati reflektime të jashtëzakonshme në të gjithë legjislacionin e kohës...
Kushtetuta e vitit ‘76 e ndalonte marrjen e kredive dhe me se justifikohej ky sanksion?
Sanksionimi i këtij neni kishte të bënte me frikën e ndërhyrjeve të monopoleve të huaja. Kjo, sipas filozofisë së arkitektëve të Kushtetutës minonte pushtetin e diktaturës së proletariatit...
U diskutua kjo në grupet tuaja apo jo?
Kjo nuk u diskutua në grupin tonë, por mesa mbaj mend natyra izoluese për t’i shpëtuar një invazioni në ekonomi arrinte deri në grotesk. Kështu p.sh., në një mbledhje qeverie u shtrua çështja që edhe shërbimi i transportit ndërkombëtar TIR, si quhej atëherë, të shkëputej nga bashkëpunimi me të huajt...
A kishte kundërshtime nga juristë të veçantë për vendosjen e këtyre sanksioneve në Kushtetutë?
Unë di të flas për ato praktika që bënim ne në Byronë Juridike dhe mund të them se shpesh ndesheshim edhe me kundërshtime të ekspertëve e juristëve të Këshillit të Ministrave. Një nga kundërshtimet e Byrosë Juridike ishte ai për prishjen e Ministrisë së Drejtësisë dhe sidomos ai për prishjen e institucionit të avokatisë. Ne si institucion ngritëm tezën se me këto masa ekstreme do shkeleshin të drejtat e njeriut si parime universale. Teza se do t’i mbronte gjykata të drejtat e të pandehurve ishte e gabuar. Gjykata nuk është për mbrojtjen e tyre, por për dhënien e drejtësisë. E argumentuam këtë me forcë, por verdikti politik vendosi apriori si për shumë çështje të tjera.
Po Mehmet Shehu çfarë thoshte për këtë?
Mehmet Shehu ka qenë kundër për prishjen e Ministrisë së Drejtësisë dhe Avokatisë. Pavarësisht që nuk e shprehu hapur e publikisht, ai në momentin që në mbledhjen e qeverisë kur do të merrej vendimi për t’i prishur ato si institucione, u ngrit dhe doli nga mbledhja, duke ia lënë gjithçka në dorë Zija Beqirit, sekretarit të tij...
Tjetër kundërshtim çfarë keni patur?
Kemi patur kundërshtimin për miratimin e dekretit për internim dëbimet... Unë kam qenë kategorikisht kundër këtij akti ligjor. Internimet ishin arbitrariteti më i madh që ka bërë ai sistem. Në qoftë se arratisej djali, me këtë dekret që u bë dhe ligj internohej e gjithë familja. Kështu arbitrariteti arriti kulmin. Jo vetëm për këtë rast, por edhe në shumë të tjera ne si juristë kërkonim të bëheshin ligje brenda normave ligjore. Por kishte urdhra të prerë dhe nuk kishe se çfarë të bëje. P.sh., doli ligji i shtetëzimit të shtëpive dhe pronave të braktisura në fshat. I thashë Haki Toskës që e pruri këtë projekt në Byronë Juridike, se ky ligj nuk mund të bëhej. Pse, i thashë, shtëpinë tuaj në Gjirokastër duhet ta sekuestrojmë vetëm se ju tani nuk jetoni aty. Mirëpo urdhrat ishin të prerë. Kështu që dilnin ligje antidemokratike. Ato ligje nuk duhej të dilnin. Mirëpo kishte vetëm dy alternativa, ose do bëje atë që të urdhëronin, ose do shkoje me të tjerët në ferrin e dënimeve.
A pati ndryshime në Kushtetutë porsa i përket rolit të qeverisë?
Kushtetuta e re në një farë mënyre përligjte dualizmin Parti- qeveri. Qeveria punonte, realizonte detyrat që ishin konkrete dhe Byroja Politike bënte sehir dhe vërejtje. Pra, kishim një mekanizëm që punonte ditë e natë dhe një tjetër parazitar që jepte direktiva.
Përballë këtij realiteti a keni dëgjuar reagime të Mehmet Shehut për anëtarë të veçantë të Byrosë Politike?
E vërteta është se reagime të Mehmet Shehut në mënyra të ndryshme ka patur disa. Kështu p.sh., kur erdhi puna e goditjes së Todi Lubonjës dhe Fadil Paçramit, unë e kam dëgjuar me veshët e mi kur ai u shpreh se nuk ishte dakord që ata të dënoheshin. Në një mënyrë apo në një tjetër, Mehmeti i bëri prezent rezervat e tij, kuptohet në mjedise të besuara. Mehmet Shehu ka qenë vërtet burrë shteti. Ai kishte një veçori si askush tjetër nga udhëheqësit politikë të kohës: Të gjitha raportet e fjalimet që mbante i përgatiste me dorën e tij! Për 20 vjet me radhë që unë kam punuar në aparatin e qeverisë, asnjëherë nuk e kam parë që ai të vinte në punë njerëz të ndryshëm për të bërë materialet e tij.
A mund të thuhet se Mehmet Shehu ishte më i kulturuar se Enver Hoxha?
Këtë krahasim nuk jam në gjendje ta bëj. Enver Hoxhën nuk kam patur rast ta takoj asnjëherë. Vetëm librat e tij kam lexuar. Bile kisha dëgjuar se dhe me to merrej një grup i besuar redaktorësh.
Juve ishit jurist me përvojë, cila ishte ndjesia që përjetuat kur përfunduan procedurat për miratimin e projektit të Kushtetutës?
Kam përjetuar vetëm ndjesi negative, por nuk isha në gjendje të rregulloja asgjë në atë lëmsh që u bë. E kam ndjerë veten të fyer sidomos kur Enver Hoxha mbajti fjalimin përmbyllës të miratimit të Kushtetutës. Mendoj se është vendi për të përmendur këtu dhe një vogëlsi: Punuam tre vjet si pjesëtarë të grupit të punës dhe askush nuk na tha qoftë edhe një moment “Faleminderit!”. Ca më keq, askush nuk u kujtua për të na dhënë një kopje të Kushtetutës si bashkautor, por u detyruam ta blejmë si të tjerët!
A morët pjesë në Kuvend kur u miratua Kushtetuta dhe a pati nga juristët e pranishëm aty vërejtje të ndryshme?
Ne pjesëtarët e grupit ishim të ftuar dhe morëm pjesë në punimet e Kuvendit. U vendosëm në lozhet e tij dhe i ndoqëm nga afër punimet e Kuvendit. Më shumë nga kushdo ne juristët e ndjenim karakterin e tejideologjizuar dhe frymën ekstremiste të saj, por nuk mund të flisnim. Mes nesh ishte vendosur një pakt i heshtur: Mbyll gojën të shpëtosh kokën! Shkurt, askush nuk mund të guxonte të sugjeronte qoftë edhe një redaktim gjuhësor. Më herët në nëngrupet e punës kishte patur ndonjë sugjerim, por ato ishin mbytur aty për aty...

Absurdi i ligjvënësit

Kuvendi Popullor ishte një institucion formal. Qeveria komuniste në kohën më të mirë të funksionimit të saj formulonte dhe  miratonte maksimalisht deri në 400 vendime. I ashtuquajturi parlament shqyrtonte e miratonte deri në 20 ligje në vit. Kuvendi Popullor si rregull mblidhej vetëm dy herë në vit, ku një herë miratonte buxhetin dhe herës tjetër mblidhej për ligjet e planifikuara. Vetëm në raste të jashtëzakonshme ai mund të mblidhej deri në tri herë në vit. E gjithë procedura e tij, vë në dukje profesor Elezi, bëhej nën një formalitet absolut, pasi gjithçka vendosej më parë nga organet partiake.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›