E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo Jemi te papergatitur per te kapur peshqit e medhenj

Politikani veteran komenton qëndrimin e BE-së pas rastit “Sanader”

Shqipërisë do t’i duhen edhe shumë vite për të arritur standardin e vendosur nga Kroacia, e cila arrestoi ish-kryeministrin e saj, Sanader, për shkak të aferave korruptive që kishte organizuar gjatë kohës që qeveriste. Kjo është përshtypja që shfaq politikani i vjetër, Sabri Godo i pyetur nga “Shqip”, për kohën në të cilën vendi ynë do të ketë mundësi të ndjekë shembullin e vendeve të rajonit tonë, ku drejtuesit e qeverive po përndiqen për fenomenin e korrupsionit. Sipas Godos, aktualisht janë të vakëta mundësitë për nisma të tilla në vend, nisur nga fakti se institucionet e shtetit shqiptar janë të kompromentuara dhe e kanë gjetur të lehtë të bëhen palë për sa i përket mosdënimit të atyre personave që realisht i hapin rrugë korrupsionit. “Do të vijë dita edhe kur ata që quhen ‘peshqit e mëdhenj’ të korrupsionit të shohin derën e burgut, por me thënë të drejtën, kjo nuk më duket një perspektivë shumë e afërt. Kjo, sepse ne nuk kemi institucionet e duhura. Këtu institucionet e kanë më të lehtë të merren me ndonjë doganier ose nëpunës të thjeshtë dhe nuk merren me ata që i hapin rrugë korrupsionit”, - shprehet Godo, duke theksuar në mënyrë të qartë se, “ka një komprometim të institucioneve qendrore”. Politikani veteran, që është dhe bashkëkryetari i Komisionit për Hartimin e Kushtetutës, në mënyrë të veçantë ndalet tek institucioni i Prokurorisë, duke e cilësuar edhe atë si palë të këtij “komprometimi” të madh të institucioneve. Sipas tij, Prokuroria shqiptare vijon ende të jetë e mefshtë në luftën kundër korrupsionit. Godo theksoi se, mosluftimi i korrupsionit do t’i sjellë pasoja të rënda për vendin tonë dhe vështirësi në procesin e integrimit. Kjo, sepse siç thekson Godo, korrupsioni është problematik edhe në çështjet e pronësisë në vend. “Ne kemi disa vështirësi serioze për të hyrë në Europë, ne kemi dy probleme serioze: atë të korrupsionit dhe atë të pronave, dhe ne nuk jemi vënë seriozisht në zbatimin e këtyre kërkesave”, - del në konkluzionin e tij Godo. Neglizhencën në luftën kundër korrupsionit, kreu i nderit i Partisë Republikane, Sabri Godo, e sheh edhe si arsyen kryesore për sa i përket refuzimit që iu bë Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE. Madje, ai parashikon që Europa do të bëhet edhe më e ashpër për sa i përket deklaratave të saj për korrupsionin, dhe në këtë rast Godo parashikon se nga ana e institucioneve europiane nuk do të ketë më mbështetje politike. “Kapja e këtyre standardeve është e vështirë, dhe në këtë rast ne nuk do të kemi më mbështetje politike. Në përmbushje të këtyre kërkesave ne vazhdojmë e sillemi si diletantë dhe Europa do të fillojë ta ndryshojë gjuhën, duke i artikuluar më qartë kërkesat që ka ndaj nesh. Fakti që nuk na i dhanë statusin duhet të kuptohet kështu, dhe jo vetëm me ngërçin politik”, - arsyeton Godo në lidhje me efektet e korrupsionit edhe për integrimin e vendit tonë. Prej kohësh në vend nuk ka pasur asnjë arrestim të zyrtarëve të lartë për sa i përket çështjeve të korrupsionit. Të vetmit që kanë pësuar dënim për aferat kanë qenë nëpunësit deri në nivelin e kryekomunarëve, por jo deputetët, ministrat apo drejtuesit e tjerë të lartë të institucioneve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›