E Diel, 1 Nëntor 2026

Numri dy i Kuvendit, Gurakuqi propozon Nikollë Lesin



Zëvendësimi i Fatos Bejës në Kuvend hap mundësinë për një garë të fortë brenda së djathtës. Largimi i Fatos Bejës nga posti i nënkryetarit të Kuvendit, i ka hapur rrugën shumë emrave për pasardhës të tij në këtë institucion. Bëhet fjalë për deputetët Ilir Bano, Aldo Bumçi, Edmond Spaho, Leonard Demi. Por dy këta të fundit duket se janë tërhequr nga gara për zëvendësin e Topallit, pasi siç duket, ambiciet e tyre kanë qenë për ndonjë post ministror. Ndërkohë, mundësitë mbeten për Banon dhe Bumçin. Por, mësohet se në morinë e kandidaturave bëjnë pjesë dhe aleatët e PD-së. Demokristiani Anton Gurakuqi, i shkëputur nga PDK-ja, ka propozuar tek Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli, emrin e kryetarit të një partie tjetër, atë të LDK-së, Nikollë Lesi. Po ashtu, posti i nënkryetarit të Kuvendit iu propozua Nard Ndokës, nga sekretari i përgjithshëm i PD-së Ridvan Bode pas shkarkimit nga detyra e ministrit të Shëndetësisë. Por z.Ndoka refuzoi postin e nënkryetarit të Parlamentit, duke kërkuar një tjetër post ministror në kabinetin qeveritar. Ky refuzim i Ndokës nxori në pah ambiciet e shumë kandidatëve për të zënë postin e Fatos Bejës, i cili me ndryshimet në qeveri merr detyrën e ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Megjithatë, pas fluksit të kandidaturave të shumta, nuk dihet konkretisht se kush do jetë nënkryetari i ri i djathtës në Kuvend, ndërkohë që gara është përqendruar më tepër tek Aldo Bumçi dhe Ilir Bano, por që vetëm njëri do të mund të gëzojë vendin që mbante Beja në Kuvend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›