KB, 10.7 milionë dollarë për “Shqipëria, një OKB”
Shqipëria përfiton fondet e para nga programi i OKB-së me vlerë 10.7 milionë dollarë dhe financuesi i parë në këtë drejtim është qeveria e Spanjës. Në mjediset e Kryeministrisë u prezantuan edhe tri projektet që do të financohen me këtë shumë. Të pranishëm me këtë rast veç Kryeministrit Berisha ishin edhe koordinatorja e Kombeve të Bashkuara, Gylden Terkez Koslet dhe ambasadori spanjoll, Manuel Montobio. Qeverisja ekonomike, programi për rininë, punësimin dhe migrimin dhe programi për kulturën dhe zhvillimin janë tri fushat ku do të fokusohet fillimisht projekti “Shqipëria, një OKB”. Kryeministri Berisha theksoi se këto programe nënshkruhen në një moment të rëndësishëm të procesit të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare. “Programet trajtojnë probleme të një rëndësie të veçantë për zhvillimin e Shqipërisë, të cilat kërkojnë angazhimin e një spektri të gjerë aktorësh dhe ekspertize nga agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe ministritë përkatëse të linjës”, - u shpreh z.Berisha.
Programi i përbashkët i qeverisjes ekonomike, me vlerë 2 milionë e 97.564 dollarë, do të zbatohet nga PNUD-i dhe Banka Botërore, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Ky program do të mbështesë reformën rregullatore në sektorët e energjisë dhe ujit, si dhe do të ketë një komponent të veçantë në sektorin e mbrojtjes së konsumatorëve.
Ndërsa, programi i përbashkët për Rininë, Punësimin dhe Migrimin, me vlerë 3,3 milionë dollarë, do të zbatohet nga ILO, IOM, PNUD dhe UNICEF, në bashkëpunim Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ky program i përbashkët ka si synim të sigurojë më shumë mundësi punësimi për të rinjtë dhe të vendosë në një linjë strategji kombëtare për rininë, punësimin dhe migrimin.