E Diel, 1 Nëntor 2026

PLL: Votat tona, për kandidatin e PD-së në Kashar



Legalistët bashkojnë votat me PD-në në zgjedhjet e pjesshme vendore në zonën e Kasharit. Partia Lëvizja e Legalitetit do të mbështesë kandidatin e Partisë Demokratike, z. Besnik Fuçia, në zgjedhjet e pjesshme vendore që do të zhvillohen këtë të diel në Komunën e Kasharit. Në një deklaratë për shtyp, kryetari i PLL-së, Ekrem Spahiu, nënvizoi dje se forca politike që ai drejton i përmbahet pikëpamjes se mirëqeverisja qendrore e shndërruar në realitet pas zgjedhjeve të 3 korrikut 2005, duhet shoqëruar edhe me një mirëqeverisje vendore në dobi të komunitetit në çdo cep të Shqipërisë. Ai ftoi zgjedhësit e Komunës Kashar që të marrin pjesë masivisht në zgjedhje, duke votuar për kandidatin Besnik Fuçia, si alternativa më e mirë në dobi të tyre. “Strukturat e PLL-së të degës Tiranë, si dhe anëtarët e simpatizantët e saj në terren, po japin ndihmën e tyre për t'i kontribuar fitores së kandidatit tonë të përbashkët”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›