E Diel, 1 Nëntor 2026

Beteja e përfaqësimit



Afrimi i zgjedhjeve ka rritur dukshëm interesin e opinionit publik për mënyrën e përfaqësimit elektoral të partive kryesore politike në garën e 28 qershorit. Megjithëse ligji elektoral e shmang përplasjen e drejtpërdrejtë të kandidatëve, burimet njerëzore ngelen sërish vendimtare për suksesin në zgjedhje. Ky sistem zgjedhor e çon përgjegjësinë e zgjedhjeve kryesisht tek lidershipet, gjë që automatikisht i bën ata përgjegjës edhe për kandidaturat për deputet që do t’i ofrohen elektoratit në të gjithë Shqipërinë. Në këtë situatë, duket se detyra më e vështirë do të jetë përzgjedhja e stafeve elektorale dhe të kandidaturave për deputet, gjë që ka çuar në pështjellim partitë kryesore politike. Duket se të dyja kampet janë përfshirë nga një garë e brendshme, ku fjalën e fundit, sipas të gjitha gjasave, do ta kenë lidershipet respektive. PD-ja në pushtet duket më e qartësuar për sa i përket trupës elektorale që do të ofrojë si alternative në 28 qershor. Qenia në qeverisje i ka dhënë mundësinë z. Berisha të provojë madje edhe t’i ndërrojë ndonjë nga “kuajt” e tij politikë gjatë këtyre katër vjetëve. Berisha mund të krenohet për suksesin në prodhimin dhe promovimin e politikanëve të rinj të suksesshëm që në këto katër vite kanë përballuar me sukses sfida nga më të mëdhatë. Ata që dje shiheshin me skepticizëm, për shkak të moshës se re dhe mungesës së përvojës politike, janë sot një ekip i pjekur politikisht, që pritet të përbëjë edhe thelbin e qeverisjes së ardhme të PD-së, gjë që duket paraprakisht e garantuar. Duket se zgjedhja e Berishës për në 2005-n ka qëlluar efikase dhe e suksesshme, duke ia lehtësuar dukshëm atij punën në zgjedhjet aktuale. Ajo që bie në sy në kampin e PD-së, është hapësira e krijuar për figurat e reja dhe sinkronizimi me të vjetrat, edhe pse dominimi i tyre është ngushtuar dukshëm pa krijuar ndonjë çarje apo krizë të dukshme në radhët e saj. Kjo, pa dyshim, është meritë e lidershipit jo vetëm për vlerat e përzgjedhura, por edhe për ruajtjen e mrekullueshme të ekuilibrave. Janë të gjitha gjasat që të rinjtë, kryesisht ata të ardhur prej KOP-it, të jenë pjesa thelbësore e stafit qendror elektoral të PD-së, ndërkohë që priten ndryshime thelbësore në përfaqësimin elektoral të saj. Me pak fjalë, PD-ja pritet të dalë në këto zgjedhje me pjesën më të suksesshme të saj, duke retushuar shumë nga përfaqësimi në masë të konsiderueshme i detyruar i 2005-s. Ndërkohë që opozita e majtë duket në një krizë të fortë përfaqësimi. Kasta e vjetër duket se shkon drejt asgjësimit politik, duke u zëvendësuar me të rinj shpeshherë anonimë, por gjithsesi brenda kontureve të kupolës historike të së majtës shqiptare. Z. Rama duket qartë se po kujdeset të rinovojë PS-në, por pa dalë dot nga tradita politiko-familjare e saj. Vetë emrat që po promovohen për të zëvendësuar kastën e vjetër, të kujtojnë ndonjë baba, gjysh apo farefis protagonist të pushtetit diktatorial komunist. Kjo taktikë ka pak gjasa të funksionojë, sidomos kur paraqitet si politikë e burimeve njerëzore “përtej të majtës dhe të djathtës”, pasi dëshmon se e majta nuk arrin të dalë dot nga gardhi historik i saj. Gjithsesi, në planin pragmatik z. Rama po punon qartësisht më shumë për të siguruar kontrollin në parti sesa për të fituar zgjedhjet. Ky synim diametralisht i kundërt me atë të Berishës detyron përzgjedhjen e një stafi politik e elektoral me njerëz pa përvojë dhe ego politike, gjë që do ta bënte më komod kontrollin e PS-së prej tij. Fakti që luan “për humbje”, i jep Ramës avantazhin të sakrifikojë figura të njohura politike të PS-së, duke spastruar kështu rrugën e pushtetit të tij në pritje të një mundësie në zgjedhjet e tjera parlamentare pa ndonjë kosto te madhe elektorale. Në këto kushte, beteja e përfaqësimit duket paraprakisht e fituar nga PD-ja, gjë që shprehet edhe nga debatet e deritanishme publike e mediatike të përfaqësuesve të kampeve respektive. Si përfundim, barra më e madhe bie mbi Berishën, të cilit i duhet të përzgjedhë një ekip përfaqësues të aftë për të rimarrë përsipër qeverisjen, natyrisht, jo vetëm duke korrigjuar gabimet, por edhe në funksion të një plani apo projekti perspektive afatgjatë për të ardhmen politike e elektorale të PD-së, madje edhe të krejt të djathtës shqiptare. Kjo, natyrisht, kërkon të dalësh mbi interesat e ngushta e ndoshta të sakrifikosh edhe miqësi, aleanca, detyrime dhe nostalgji të vjetra. Shenjat e para të kësaj politike janë shfaqur, mirëpo pritet që ato të konkretizohen tek ndërtimi i stafit të ri politik i PD-së dhe trupës elektorale që do t’i ofrohet zgjedhësve shqiptar si alternativa njerëzore për qeverisjen e ardhme.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›