E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, 15 kandidatë për drejtues të prokurorisë

Këshilli i Prokurorisë merr në shqyrtim listën. Do të votohet në 12 mars

Prokuroria e Përgjithshme ka përzgjedhur 15 kandidatë për postin e kryeprokurorit të Durrësit, pas dorëheqjes së Arian Ndojës disa muaj më parë. Emrat për kandidatë kanë mbërritur në Këshillin e Prokurorisë së Përgjithshme, i cili pritet të zhvillojë një votim për t’i rekomanduar kryeprokurores disa emra për kandidatë të mundshëm të një nga prokurorive më të lakmuara në radhët e prokurorëve. Votimi është parashikuar të zhvillohet në datën 12 mars në mbledhjen e radhës me rend dite votimin e kandidaturave për kryeprokurorin e qytetit të Durrësit. Aktualisht, postin e drejtuesit të Prokurorisë së Durrësit e mban prokurori Bujar Sheshi, i cili është komanduar pas largimit të titullarit të mëparshëm, Arian Ndojës. Ky i fundit dha dorëheqjen disa orë para se akuza qendrore ta shkarkonte, pasi u gjet me shkelje në detyrë. Si rrjedhojë, funksioni i kryeprokurorit të Durrësit mbeti bosh dhe për këtë shkak, kryeprokurorja Ina Rama komandoi përkohësisht në drejtimin e organit të akuzës në këtë qytet, prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme, Bujar Sheshi. Hapja e “ankandit” për drejtuesin e ri të Prokurorisë së Durrësit ka shfaqur interesin e prokurorëve nga i gjithë vendi. Këshilli i organit qendror të akuzës pritet të marrë në shqyrtim gjatë mbledhjes së datës 12 mars plot 15 kandidatura. Mes tyre mësohet se janë prokurorë të Krimeve të Rënda, prokurorë të Prokurorisë së Shkodrës, Beratit dhe disa rretheve të tjera. Këshilli i Prokurorisë pritet të shqyrtojë rast pas rasti kandidaturat dhe në fund me votim, pritet t’i propozojë Prokurores së Përgjithshme emërimin e drejtuesit të Prokurorisë së Durrësit. Një emërim i tillë duhet të bëhet me dekret të kreut të shtetit në rast se kandidati shkon nga një prokurori në tjetër, ndërsa nëse kandidati fitues është aktualisht në Prokurorinë e Durrësit, emërimi brenda institucionit bëhet me anë të një urdhri të Prokurores së Përgjithshme. Prokuroria e Durrësit konsiderohet si një nga institucionet më të rëndësishme të akuzës shqiptare pas asaj të Tiranës dhe Krimeve të Rënda për shkak të numrit të popullsisë, figurave të kriminalitetit dhe përqendrimit të veprimtarisë ekonomiko-tregtare në këtë qytet.

Ndërkohë, në Këshillin e Prokurorisë janë në proces edhe katër procedime disiplinore ndaj prokurorëve të Durrësit. Drejtoria e Inspektimit dhe Kontrollit e cila zhvilloi një verifikim të punës në Prokurorinë e Durrësit vitin e kaluar ka gjetur shkelje dhe mangësi në detyrë për katër prokurorë. Kjo drejtori i ka propozuar Këshillit fillimin e procedimit disiplinor për pesë prokurorët.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›