E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahiu: “Gjyqtarët t’u rezistojnë presioneve politike”

KLD-ja mbledh kryetarët e gjykatave pas analizave në të gjithë vendin. Përfundojnë analizat në të gjitha gjykatat, për herë të parë evidentohet puna e një viti

Laureta Rryçi

Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka mbledhur dje në një takim anëtarët e gjykatave në vend. Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, kërkoi nga ana e gjyqtarëve që të gjejnë forma reagimi ndaj cenimeve që u bëhen. Ai mbështeti ambasadorin amerikan duke u shprehur se kusht për shtetin e së drejtës është pavarësia. Spahiu shprehu mirënjohje për qeverinë amerikane, për ndihmën në këshillim dhe investime reale që ka bërë kundrejt gjykatave. “USAID-i investoi në 10 gjykata të rëndësishme në vend. I shprehim mirënjohje qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, - iu drejtua Spahiu ambasadorit Uidhers. “Tri javët e fundit të angazhimit të Këshillit në analizat e punës njëvjeçare në të gjitha gjykatat e dy shkallëve të para të gjykimit në Shqipëri, në vlerësimin tim personal, kanë konfirmuar ndjeshmërinë e lartë të Gjyqësorit shqiptar, si ndaj problematikave me të cilat ai përballet, ashtu dhe ndaj mundësive të përmirësimit të tyre”, - tha Spahiu. Në mbledhje mësohet se kryetarët jo vetëm janë njohur me punën e secilit, por kanë marrë dhe këshillat e duhura nga përfaqësuesit e KLD-së.
Investimi
Sipas numrit dy të KLD-së, që prej një viti, programi i shtetit ligjor i USAID-it (Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar) ka investuar në mbështetje të Gjyqësorit shqiptar.
Ky program ka dhënë asistencë konkrete në dhjetë gjykata pilote të rretheve gjyqësore dhe konkretisht në përmirësimin e infrastrukturës së gjykatës nëpërmjet pajisjeve me mjete logjistike, në realizimin e trajnimeve për rritjen e eficencës se sekretarisë gjyqësore gjatë gjykimeve, apo dhe në trajnime me vetë gjyqtarët dhe stafin administrativ. “Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka adoptuar një praktike tashmë të konsoliduar, në të cilën iniciativat e grupit të punës, të ngritur pranë këtij këshilli, shoqërohen edhe nga opinionet dhe vlerësimet e trupës gjyqësore që ju përfaqësoni. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka konsideruar zërin e Gjyqësorit tashmë në disa vendime të tij, siç është ai mbi procedurat e shortit apo solemnitetin në gjykim”, - u shpreh Spahiu. Sipas këtij të fundit, ky takim është vazhdimësi e traditës konsultative që Këshilli ka nisur me gjyqtarët, me qëllim jo vetëm formatimin e akteve nënligjore me standarde profesionale, por edhe përmirësimin e mëtejshëm të tyre.
Këshillat
Pas një muaji analizash në të gjitha gjykatat, përfaqësuesit e KLD-së kanë dhënë dhe këshillat e duhura për kryetarët e gjykatave. Ata kanë pasur mundësi të njihen me të gjithë problematikën në këto gjykata. Sipas Spahiut nuk duhet harruar se gjykatat shqiptare duhet të japin drejtësi duke garantuar: paanësinë objektive dhe subjektive të gjykatës, gjykimin me dyer të hapura, kontradiktorialitetin në proces, barazinë e armëve mes palëve dhe çdo shmangie nga principet e së drejtës duhet të arsyetohet nga gjykata. “Sistemi i drejtësisë është guri i themelit në një shtet, ai është në mënyrë të pashmangshme stacioni i fundit ku marrin drejtim konfliktet e shoqërisë, është forma më statike e ushtrimit të autoritetit shtetëror, që nuk vepron me mandat dhe as ndryshon strategji”, - vijoi më tej numri dy i KLD-së. Së fundi, edhe Spahiu u ka kujtuar gjyqtarëve se duhet të gjejnë mënyrat e duhura për t’iu shmangur tundimit apo presioneve politike.

3 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›