E Diel, 1 Nëntor 2026

Godo: Ligji i Dosjeve të rishihet, dënohet çiraku dhe jo ustai

 

BLEDAR HOTI

Për politikanin e njohur Sabri Godo, Ligji i Dosjeve i miratuar së fundmi nga Parlamenti duhet të rishihet. Godo bën gjithashtu apel për kujdes në marrëdhëniet me SHBA. Presidenti i Asamblesë së PR-së ka folur gjithashtu edhe për Kodin Zgjedhor, ligjin e Prokurorisë si dhe për bilancin e qeverisë Berisha.
Zoti Godo, jeta politike parlamentare e vitit që po mbyllet u karakterizua nga debatet mbi 3 ligje kryesore: Kodi Zgjedhor, ligji mbi dosjet dhe ligji mbi Prokurorinë. Cili është vlerësimi juaj rreth këtyre ligjeve?
Së pari Kodi Zgjedhor: Nuk pretendoj të jap gjykime prej eksperti. Kam thënë dhe e përsëris se Kodi Zgjedhor nuk më duket më i përshtatshmi për kushtet tona. Është një eksperiment i ri. Por me këtë Kod do të shkojmë në zgjedhje, sepse i tillë ishte vullneti i shumicës, kështu funksion demokracia. Për rrjedhim nuk mbetet veç të punojmë të gjithë, që të zbatohet sa më mirë, duke qenë zgjedhjet e ardhme të një rëndësie shumë të madhe.
Në votimin e këtij Kodi qëndruan së bashku PS dhe PD. A ka të bëjë kjo me një diversion ndaj LSI së Metës?
Është gjë e mirë kur forcat politike arrijnë marrëveshje për probleme madhore. Koha do të provojë nëse në rastin e dhënë u bë ajo që duhet. Do ta shohim pas qershorit. Përsa i takon Metës, ai u la jashtë, ndërsa duhej të përfshihej. Kjo buron nga konflikti ndërmjet tij dhe Ramës, nga i cili nxjerr një përfitim Berisha. Kjo është normale në politikë. Loja ka qenë e hapur dhe këtë tashmë e dinë të gjithë.
Ligji për pastrimin e figurave. A kemi të bëjmë në këtë rast me shkelje të Kushtetutës, siç pretendohet nga disa parti?
Mendoj se ky ligj duhet të rishihet, sepse në disa nene të tij, kemi të bëjmë me parime juridike e morale. Ligji duhej t'u hiqte mundësinë të bëhen deputetë e funksionarë, ish-drejtues të Partisë së Punës dhe Sigurimit të Shtetit. Nuk mund të arrestohej një qytetar pa firmën e sekretarit të parë të rrethit. Ishin krerët e partisë dhe të sigurimit, ata që organizonin dhe drejtonin, luftën e klasave dhe përndjekjen e armiqve politikë. Këta lihen mënjanë. Kurse kërkohen dosjet e rangjeve të dyta e të treta. Kësaj i thotë të ndëshkosh çirakun dhe jo ustanë.
Ky ligj prek një numër të gjyqtarëve dhe prokurorëve? A mendoni se bëhet për hir të disa proceseve në zhvillim lidhur me mazhorancën?
Gjyqtarë, hetuesë e prokurorë, që kanë shërbyer me zell në procese politike, duke shkelur edhe vetë ligjet e diktaturës duhet të flaken nga drejtësia. Të kihet parasysh se edhe në gjykimin e krimeve "të rënda" ekonomike, ka patur ndikim të fortë të politikës. Le ta zëmë se një ish-i përndjekur ka sot një problem me drejtësinë si do të ndjehej ai, po të delte tani para të njëjtit hetues, që e ka proceduar brutalisht e nën tortura edhe 20 vjet më parë? Drejtësisë nuk i duhen këta hetues e gjyqtarë. Mendoj se seleksionimi i tyre duhet të bëhet nën frymën e këtij ligji. Nga KLD, nënpropozimet e Ministrisë së Drejtësisë, ose të një komisioni të posaçëm.
Ka shkelje të Kushtetutës në ligjin për dosjet?
Meqë kjo lë shteg për interpretime, duhet t'i nënshtrohet debatit. Fjala e fundit duhet të thuhet kur të ketë kaluar edhe në filtrin e presidencës, e cila duhet të bëjë konsultime dhe eventualisht, pasi të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.
Ambasadorët e SHBA, Anglisë dhe OSBE kanë shprehur haptas rezervat e tyre lidhur me këtë ligj. Këmbëngulja e Berishës në këtë rast, a u shërben interesave të vendit?
Përshëndes Berishën kur thotë se jemi një vend sovran. Me vendet miq mund edhe të diskutohet. Nuk është e ndershme dhe e dobishme të thuash "Yes Ser", edhe kur ke pikëpamje të kundërta. Kjo as që kërkohet, por kundërshtimet publike të palëve nuk lënë shije të mirë. Rrethanat politike të 100 vjetëve të fundit, veçanërisht Kosova, e kanë vënë Shqipërinë vendosmërisht në krah të SHBA e kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Ndonjë keqkuptim për çështje të ditës duhet të zgjidhet si ndërmjet miqve të vërtetë e jo me fërkim brinjësh. Këtë nuk e pranojnë shqiptarët.
Lidhur me ligjin për prokurorinë, përsëri pamë një akordancë midis PS dhe PD.
Ti më ndihmo për Kodin Zgjedhor, unë ta shpërblej me Prokurorinë. Ndodh edhe kështu. Gjithsesi prokuroria nuk mund të qëndrojë mbi Kuvendin dhe mbi shtetin në tërësi. Mendoj se ligji është i mirë.
Si e vlerësoni punën e deritanishme të Prokurorisë së Përgjithshme?
Prokuroria ka zvarritur tej limiteve disa hetime të dorës së parë. Atëherë kam të drejtë të mendoj se të njëjtin fat do të kenë pësuar edhe çështjet të dorës së dytë dhe të tretë. Prokuroria duhet të ecë me hapa të sigurta, por jo duke numëruar në vend. Zgjatja e proceseve pa mbarim krijon pasiguri, dëmton klimën politike dhe dëmton moralisht personin nën hetim.
Viti që po mbaron u shpall nga PD si një vit i mbushur me sukses, ndërsa opozita thotë krejt të kundërtën. Cili do të ishte vlerësimi juaj?
Është krejt normale që shumica qeverisëse të brohorasë për sukseset, dhe pakica në opozitë të thërrasë për dështimet. Unë them se u bënë përparime, sidomos në infrastrukturë dhe në disa sektorë. U hodhën themelet për investime serioze në të ardhmen. Pati një ngritje të rrogave dhe pensioneve megjithëse jo realisht në nivelin që pretendohet. Pati zhvillim të përgjithshëm. Ishte një vit i mbarë edhe në rrugën e integrimit. Të gjitha këto janë pozitive. Lufta ndaj korrupsionit nuk dha rezultatet që priteshin, papunësia dhe varfërimi i një pjese të madhe të popullsisë mbeten shqetësuese, biznesi has vështirësi, bilanci tregtar mbetet problem. Këto jam qartësisht negative. Jemi ende larg nga dita kur mund të themi se e hodhëm hendekun.
Çfarë do të veçonit si mangësi kryesore të qeverisjes?
Pronat. Çdo gjë ecën si nën bluarjen e një mekanizmi të madh që vërtitet e nuk nxjerr miell. Ende nuk është kuptuar se pa u kthyer prona tek i zoti themelet e shtetit mbeten si në rërë dhe integrimi në Evropë do të jetë i vështirë.
Çfarë mund të bëhet aktualisht për pronat?
Problemi kërkon zgjidhje me themel. Zgjidhjet gjysmake janë gjithnjë të dëmshme. Duke meremetuar diçka të ngritur shtrembër, veç shtyn kohën, duke mbartur të keqen, megjithatë them se duhet nisur sa më parë revizionimi i ligjit 7501 dhe ligji mbi ish- fermat shtetërore, siç ka premtuar qeveria. Të lëvizë shpejt e drejt Agjencia e Kthimit të Pronave. Kështu lehtësohet pjesërisht e keqja.
Le të ndërrojmë temë. Kohët e fundit dhe juve jeni përfshirë në një debat mbi figurën e Skënderbeut, mit apo realitet. A mund të shtoni diçka mbi këtë?
I njoh të drejtën gjithkujt të thotë të tijën. Nuk duhet të na ngrihen përpjetë qimet e kokës, kur dikush shfaq një mendim të ndryshëm nga mendimi sundonjës. Por kur kalohen caqet atëherë duhet të ndalë. Del njëri dhe thotë se mbase Skënderbeu u hodh në kryengritje ngaqë ra në dashuri me të bijën e sulltanit. Del një tjetër dhe thotë se unë nuk e kam dashur Skënderbeun derisa lexova një libër aktual, ndërsa nuk i kishin mbushur mendjen njëmijë vepra të shkruara deri më sot për të. Një tjetër thotë se në vend të monumenteve për të kaluarën, le të ndërtojmë në qendër të qyteteve objekte të bamirësisë. Bota është e bukur pikërisht sepse ka nga të gjitha. Por ama duhet bërë edhe kujdes, që përçartjet të mos dëmtojnë të vërtetën dhe atë që është pasuri e përgjithshme. Për Skënderbeun, bëra sa munda në një libër prej 500 faqe, të botuar 4 herë në 45.000 kopje të rishikuar në botimin e fundit. Dua të shtoj vetëm këtë: Sot si komb jemi nën vëzhgim dhe rreth nesh zhvillohet një lojë, për shkak të Kosovës e pjesërisht edhe Maqedonisë. Nuk është rasti të përbaltim historinë tonë të vërtetë e të ngrejmë dyshime rreth identitetit kombëtar, se këto i bëjnë me tepricë disa qarqe mjaft të interesuara për të na sulmuar.
Këto që thatë, a kanë lidhje me zhvillimet në Kosovë e Preshevë, dhe si e shikoni të ardhmen?
Pavarësinë e Kosovës po e mbrojnë më së miri politikanët dhe drejtuesit e saj. Ne si shtet duhet t'i qëndrojmë në krah siç kemi bërë në muajt e fundit. Gjendja aty mbetet e rrezikshme. Agresiviteti serb është shtuar, ka ende paqartësi ndërmjet OKB dhe Evropës. Pra duhet përqendrim dhe vëmendje e lartë. Në Preshevë u dha një goditje anësore, brenda planit të përgjithshëm ruso-serb,  dmth krahu sllavo-ortodoks. Nëse serbët do të shkojnë edhe më tej në Preshevë, do të thotë se do të kemi një shtim të mëtejshëm të agresivitetit edhe ndaj Kosovës. Mendoj se qeveria jonë duhet të bëjë një ankim në Këshillin e Sigurimit në BE dhe OSBE. Kërcënohet pa qenë në rajon.
Më në fund çfarë do t'u uronit politikanëve tanë dhe shqiptarëve në tërësi për vitin e ri?
Uroj që politikanëve t'u bëhen pësimet mësim, që të kthejnë mendjen nga e mbara dhe të kenë kohë të dëgjojnë njerëzit, sepse vetëm kështu do të kenë kohë të drejtojnë; uroj që gjithë shqiptarët kudo që janë të kujdesen për njëri-tjetrin, të kenë punë, shëndet e gëzim, e të ruajnë familjen si gjënë më të shtrenjtë. Nga Mot Gëzuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›