Vendimi, nis dëmshpërblimi për 1100 ish të përndjekur
ADI SHKEMBI
Qeveria nis dëmshpërblimin e ish të përndjekurve dhe të dënuarve politikë. Në mbledhjen e djeshme u miratua vendimi për 1100 ish të dënuar dhe të përndjekur politikë, të cilët do të përfitojnë 2 miliardë lekë, ose 20 milionë dollarë. "Kjo mbledhje është thirrur sepse janë disa vendime shumë të rëndësishme dhe ligje kryesore për t`u miratuar, por unë do të ndalem në njërin prej tyre: vendimin për miratimin e listës së 1100 të përndjekurve politikë, me të cilët nis dëmshpërblimi me një vlerë totale prej 2 miliardë lekësh", u shpreh dje Kryeministri Berisha. Në fjalën e tij në mbledhjen e fundit të qeverisë për vitin 2008, kreu i Ekzekutivit i bëri thirrje ish të përndjekurve që të plotësojnë dokumentacionin përkatës, ndërkohë që bëri të ditur se shpërndarja e fondit për 1100 ish të përndjekurit nis në ditët e para të vitit të ri. "Kjo shumë do të kalojë në llogari dhe do të fillojë shpërndarja e tyre ditët e para të janarit. Miratimi i listës në përputhje me ligjin është kusht i domosdoshëm për disbursimin e kësaj shume, shuma më e madhe që është disbursuar ndonjëherë. Me këtë rast u bëj thirrje të përndjekurve politikë të bëjnë çdo përpjekje për plotësimin e dokumentacionit. E kam fjalën jo për këta 1100, por edhe për të tjerë të mund të përfitojnë sa më shpejt nga fondet që qeveria ka përcaktuar dhe do të përcaktojë për dëmshpërblimin e tyre. Këto 2 miliardë i përkasin këtij viti", u shpreh Kryeministri Berisha. Prej kohësh shoqatat e ish të përndjekurve politikë kanë akuzuar qeverinë se e ka përdorur këtë shtresë për qëllime elektorale. Në të njëjtën kohë ish të përndjekurit dolën kundër një vendimi të qeverisë pak muaj më parë, sipas të cilit, nga vlera totale e dëmshpërblimit do të zbriten letrat me vlerë të marra në fillimet e demokracisë. Sipas këtij akti nënligjor të përgatitur nga ministri Ridvan Bode, Ministria e Drejtësisë gjatë shqyrtimit të dosjeve për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë i kërkon Financave të verifikojë nëse ish i dënuari politik ka përfituar me ligjet e mëparshme dëmshpërblim dhe të përllogarisë në lekë masën e këtij përfitimi. Përgjigjja e Ministrisë së Financave jepet brenda 30 ditëve nga depozitimi i kërkesës. Në pr/vendim është e paraqitur edhe teksti që duhet të plotësojë Ministria e Financave, ku saktësohet nëse ish i dënuari apo i përndjekuri politik ka përfituar gjatë viteve të mëparshme vlerë pasurore në zbatim të ligjeve që janë miratuar nga viti 1992 për këtë kategori. Ndërsa, nëse ish i përndjekuri nuk ka përfituar vlerë pasurore në të holla, në përgjigjen e Ministrisë së Financave do të shkruhet se, "Pas verifikimit dhe përllogaritjeve të kryera nga institucioni ynë, ju informojmë se ish i dënuari politik nuk ka përfituar dëmshpërblim në bazë të ligjeve të mëparshme".