E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sindikata: Remontet e dritave nga OSSH janë të rreme

Sipas sindikalistit Taf Koleci, është teknikisht e pakuptimtë të hiqen dritat për lagje të tëra

Gjatë tre viteve të fundit, kanë qenë të shpeshta rastet kur kompanitë e energjisë elektrike kanë njoftuar “fushata remontesh” ose “ndërprerje për shkak të mbingarkesës”. Fushata me lajme të tilla çuditërisht kanë ndodhur para krizave të mëdha, si ajo e vjeshtës së vitit 2006 dhe ajo e verës dhe dimrit të vitit 2007. Këtë verë, fushata të tilla njoftimesh për “remonte” kanë qenë pothuajse të vazhdueshme, ku disa zona periferike të Tiranës si Paskuqani, Kamza e Bathorja, kanë kaluar shumë më shpesh se pjesa tjetër e vendit në remonte. “Këtu nuk bëhet fjalë për remonte sepse teknikisht është e pakuptimtë që remontet të jenë kaq masive”,- deklaroi dje Taf Koleci, sindikalist. “Nuk ka kuptim që të ndërpritet energjia në të gjithë zonën duke ulur fiderin, për shkak se çdo fider ka mbi 40 kabina dhe nuk ka mundësi që remonte të kryhen në 40 kabina njëkohësisht”,- deklaroi Koleci. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, e cila është kompania përgjegjëse për furnizimin e rregullt me energji, vijon të këmbëngulë se kufizimet janë pasojë e remonteve që po kryhen për t’u përgatitur për përballimin e dimrit. Por nga ana tjetër, rritja e konsumit si pasojë e vapës, ka shtuar shqetësimin në KESH për sigurinë e furnizimit deri në fund të vitit. Niveli i Fierzës gjendet në kuotë të lartë, por rezerva hidrike e vendit mund të shterojë në rast se shirat e vjeshtës vonojnë. “Ata po e shesin energjinë elektrike”,- deklaroi sindikalisti Koleci. KESH, ka eksportuar gjatë javëve të shkuara sasi të vogla energjie drejt Greqisë, deri në 100 mega/wat në ditë, në kuadër të marrëveshjes së shkëmbimeve në rast emergjence.

Kufizime të planifikuara

Në një dokument të qeverisë, për këtë vit janë planifikuar kufizime në masën 4% të furnizimit normal, gjë që nënkupton kufizim të furnizimit të rregullt së paku me një orë në ditë për të gjithë vitin, në të gjithë vendin. Por zyrtarët refuzojnë ta komentojnë këtë plan dhe parapëlqejnë të thonë se furnizimi këtë vit është rritur me 30%. Plani i masave të qeverisë kërkon kufizime në furnizim për 250 milionë kilovat/orë për këtë vit, shifër kjo me 15 ditë konsum. Konsumi i energjisë elektrike këto ditë ka arritur në 16.3 milionë kilovat/orë në ditë, nga 17.5 milionë kilovat/orë që duhet të jetë mesatarja ditore e furnizimit për vitin 2005. Duket se edhe në këtë pikë, parashikimi ka qenë i pasaktë. Konsumi gjatë muajve të verës është 5-7 milionë kilovat/orë më i lartë se gjatë dimrit, gjë që do të thotë se ka pak gjasa që shqiptarët që shpëtojnë nga kriza energjetike gjatë vjeshtës dhe dimrit të këtij viti. Edhe më parë, kufizimet e furnizimit të rregullt të energjisë janë prezantuar në shumë raste si “remonte” ose “mbingarkesë”. Pavarësisht se çfarë emri i vënë autoritetet, shqiptarët vijojnë të vuajnë mungesën e dritave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›