Miratohet skema e re e rimbursimit të akcizës
Qeveria shton burokracitë për marrjen e rimbursimit të akcizës së karburanteve
Qeveria ndryshon sërish skemën e rimbursimit të karburanteve, duke sjellë një pështjellim të ri për kategoritë që përfitojnë nga ky vendim. Sipas vendimit të marrë dje, vlera e akcizës së lëndëve djegëse, solar dhe mazut, të konsumuara në serrat me ngrohje, do të rimbursohet sipas kushteve të reja. Kështu gjatë tri viteve të para, rimbursimi bëhet në masën 100 për qind të akcizës së konsumuar për nevoja të prodhimit, në vitin e katërt rimbursimi bëhet në masën 80 për qind dhe në vitin e pestë, në masën 50 për qind të kësaj akcize. Vendimi parashikon që rimbursimi mund të realizohet vetëm nëse mazuti dhe solari janë të shitur me TVSH.
Ndërsa, përsa i përket furrave të bukës, do të ketë një rimbursim të plotë të akcizës që përfshin solarin, mazutin por edhe naftën.
Rimbursimi, në bazë të bukëve të shitura
Edhe në këtë skemë të re, të realizuar nga ana e qeverisë për rimbursimin e naftës dhe nënprodukteve të saj për furrat e bukës, kthimi i akcizës do të realizohet në përputhje me sasinë e bukëve të shitura. Një proces i tillë u kërkua që të realizohej edhe për peshkimin, duke sjellë një reagim të ashpër nga ana e peshkatarëve
Dokumentacioni i nevojshëm
Subjektet që kërkojnë rimbursimin e akcizës së lëndëve djegëse solar dhe mazut, të përdorura në serrat me ngrohje, në proceset teknologjike, sipas vendimit duhet t’i kenë të certifikuara kartat teknologjike. Vendimi i marrë nga qeveria përcakton si institucione që mund të realizojnë këtë proces, Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), Instituti i Materialeve të Ndërtimit, Drejtoria e Përgjithshme e Standardeve, Drejtoria e Patentave dhe Markave, institucione që miratojnë kartat e ndryshme teknologjike, apo çdo institucion tjetër që ka aftësitë dhe lidhet me proceset teknologjike të produkteve që përdorin këto lëndë djegëse.
Në këtë vendim përcaktohet si detyrim që çdo person juridik duhet të paraqesë pranë degëve të tatimeve ku janë regjistruar, Kartën Teknologjike, ku të shënohen lloji i lëndës djegëse, të përdorur në procesin teknologjik, fazat në procesin teknologjik, ku përdoret lënda djegëse, lloji i kaldajës apo i furrës, ku përdoret lënda djegëse dhe lidhja me procesin teknologjik, gjatë prodhimit të produktit dhe sasia e lëndës djegëse e përdorur për 100 kg (litra ose copë) produkt të gatshëm (final).