E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: ”Nuk mund të ndërhyhet në Kushtetutë



Kryetari i Nderit i Partisë Republikane dhe një nga hartuesit e Kushtetutës, Sabri Godo, i ka cilësuar ndryshimet në Kushtetutë si të pamenduara mirë nga ana e partive të mëdha. Godo, nga ana tjetër, shfaqi rezerva në lidhje me ndërhyrjet e tjera që mund t’i bëhen Kushtetutës dhe kjo sipas tij nuk është serioze. Politikani Godo tha më tej se ai nuk është kundër heqjes së imunitetit, por është kundër ndërhyrjes në Kushtetutë në mënyrë të shpeshtë. Nisur edhe nga debati politik aktual, Godo shtoi se do të preferonte që të mbahej një referendum ku qytetarët të vendosin për ndërhyrjen që janë bërë, por edhe që kërkohen të bëhen. “Ndërhyrja nuk do të jetë vetëm në nenin 73, pasi duke u nisur nga deklarata e djeshme e kryetarit të opozitës, Edi Rama, do të duhen dhe ndërhyrje të tjera për të zbatuar në tërësi atë që quhet reforma në Drejtësi. Kështu që nuk ka siguri që nuk do të vazhdojë të ndërhyhet në Kushtetutë herë pas here. Atëherë duhet të themi që Kushtetuta praktikisht nuk ekziston, por mbetet vetëm si skelet, kurse me brendinë e saj lëvizim si na vjen për mbarë. Në këto kushte do të përkrahja referendumin, duke u pyetur populli a mund të ecet kështu me të vërtetë me Kushtetutën”, - tha Godo. Kryetari i Nderit për republikanët ka analizuar edhe marrëdhëniet me aleatin kryesor në qeverisje, Partinë Demokratike. Ai tha se PR-ja është në pritje të gjykimit të kryeministrit Berisha në momentin që ky i fundit ta cilësojë si të domosdoshme. “Ne e kemi thënë mendimin tonë dhe tani pritet që kryeministri Sali Berisha të thotë fjalën e tij. Ne kemi durim të presim, pasi ai mund të ketë projektuar një ribërje të kabinetit qeverisës dhe me këtë rast të zgjidhë problemin e hapur që ka me PR-në”, - u shpreh Godo. Republikani Godo foli edhe për kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të kryetarit të PR-së, Fatmir Mediu. Sipas tij, Prokuroria nuk ka pasur një sjellje serioze në këtë proces, ndaj dhe kërkoi nga ana e Presidentit të Republikës Bamir Topi që të ndërhyjë. “Jemi dëshmitarë që dy herë brenda një kohe të shkurtër, Prokuroria e Përgjithshme ka bërë dy dalje të pakuptimta në publik, nën pretekstin se do të bëjë transparencë lidhur me akuzat ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes e kryetarit të PR-së, Fatmir Mediu. Unë do t'i kërkoja presidentit Topi që të rishikonte këtë veprimtari të fundit të Prokurorisë, në mënyrë që me të vërtetë të ecim në këtë drejtim, duke pasur një prokurori që i trajton çështjet në mënyrë të mbarë”, - tha më tej themeluesi i PR-së, Sabri Godo.

15 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›