PS, grup pune për ndryshimet në Kodin Zgjedhor
Partia Socialiste ka ngritur një grup të posaçëm pune, që do të hartojë propozime konkrete përsa u përket detajeve dhe çështjeve të tjera të rëndësishme që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore dhe me zgjedhjet elektorale të vitit 2009. Pasi gjetën mbështetjen e maxhorancës për të miratuar në Parlament sistemin proporcional rajonal si dhe përdorimin e listave të mbyllura, të cilat u ndryshuan në Kushtetutë, tashmë socialistët janë duke punuar për të realizuar edhe ato propozime, të cilat kanë rëndësi të veçantë për reformën zgjedhore, por që për realizimin e tyre nuk është e nevojshme ndërhyrja në Kushtetutë. Për këtë arsye, në selinë rozë është krijuar një grup pune, i kryesuar nga deputeti socialist, Fatmir Xhafaj, ndërkohë që në përbërje të këtij grupi janë juristë dhe ekspertë zgjedhorë të Partisë Socialiste. Objekti kryesor i këtij grupi pune është përmirësimi i disa pikave të Kodit Zgjedhor, të cilat synojnë realizimin korrekt dhe të suksesshëm të fushatave dhe proceseve elektorale. Partia Socialiste pritet të ketë gati propozime konkrete që kanë të bëjnë me përmirësimin konceptual e cilësor të administrimit të zgjedhjeve dhe institucioneve zgjedhore. Propozime të tjera gjithashtu janë të lidhura me përmirësimin e procesin e ankimimit të institucioneve dhe procedurave të ankimimit. Gjithashtu synohet garantimi i thjeshtësisë e transparencës për financimin e fushatave elektorale si dhe sigurimin e barazisë dhe pavarësisë së medias së fushatës elektorale. Grupi i punës për reformën zgjedhore në Partinë Socialiste do të shqyrtojë gjithashtu propozimet për përbërjen e komisioneve të numërimit të votave si dhe mundësinë dhe mënyrën e pjesëmarrjes së emigrantëve shqiptarë në procesin e votimit, listave të votuesve etj.
Propozimet e PS-së
Partia Socialiste pati të drejtën ekskluzive për të propozuar sistemin zgjedhor, që do të zhvillohet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri. Reforma zgjedhore ishte një nga pikat kryesore që Shqipëria duhet të përmbushte për të marrë ftesën e anëtarësimit në NATO dhe për këtë arsye kryeministri Berisha deklaroi se do të mirëpriste çdo propozim të opozitës përsa i përket sistemit zgjedhor. PS nuk arriti të gjente gjuhën e përbashkët me aleatët e saj të së majtës, megjithatë kjo nuk e pengoi selinë rozë që të propozonte sistemin proporcional rajonal dhe përdorimin e listave të mbyllura. Edhe pse pati kundër votat e aleatëve si LSI, PAD e PDS, Partia Socialiste gjeti mbështetjen e deputetëve të maxhorancës, të cilat nga ana e tyre si shkëmbim ofruan disa amendamente për ndryshimin e Kushtetutës.
Proporcionali rajonal
Sipas përfaqësuesve të Partisë Socialiste, sistemi proporcional rajonal përmbante disa avantazhe të rëndësishme. Sipas tyre, ky sistem eliminon përfundimisht dukurinë negative të "Dushkut”, Krijon mundësi të "peshohen" drejt të gjitha partitë politike, siguron një procedurë të thjeshtë votimi, zhduk iluzionin e diferencave Veri-Jug, i krijon mundësinë votuesit që të përzgjedhë programin, ekipin, liderin, forcon rolin dhe kohezionin e partive politike, krijon mundësi reale për promovimin e grave në politikë dhe demotivon gjeneruesit individualë të tensioneve zgjedhore.
15 Maj 2008