“Zogu”, sot ndeshja e lamtumirës
Tirana do të përpiqet të shmangë humbjen e katërt rresht në kampionat, teksa përballë do të ketë në “Selman Stërmasi”, Teutën me të cilën ndanë sezonin e kaluar edhe dy vendet e para, me bardheblutë kampionë. 23-herë kampionët kanë bërë një sezon të varfër edhe pse në drejtim kanë pasur tre trajnerë kampionë, të konsideruar edhe si më të mirët në tregun shqiptar: Starova, Hafizi e Mema. Ky i fundit ka dhe bilancin më të keq, teksa në 13 ndeshje të drejtuara prej ish-trajnerit të Partizanit ka pësuar 6 humbje, ku spikasin ato me ish-skuadrën e tij. Një humbje tjetër do ta bënte edhe më tragjike situatën në klubin më të pasur në Shqipëri, pavarësisht se opinioni pret një lëshim ndaj Teutës.
Me tre lojtarë të përjashtuar pas finales së Kupës: Duro, Sina e Vrapi dhe francezin Mohelebi të rikthyer, për skuadrën rekordmene do të veshë për herë të fundit fanellën ikona Indrit Fortuzi. “Zogu”, pas 18 vitesh karrierë do të godasë për herë të fundit topin në një ndeshje zyrtare. Një nga gjashtë golat e këtij sezoni, Fortuzi ia ka shënuar pikërisht Teutës në fitoren e fazës së parë 2-1. Teuta barazoi ndeshjen e fundit me Elbasanin(1-1), por marrëdhëniet e mira historike me Tiranën (faza e dytë u mbyll 0-0) i japin një lloj qetësie trajnerit Kristaq Mile, aq më tepër që dy rivalet e tjera për mbijetesë Besëlidhja e Kastrioti do të luajnë në transfertë respektivisht kundër Besës e Elbasanit, që luftojnë nga ana e tyre për një vend në Kupën Intertoto.
Bilanci historik midis dy ekipeve: 142 ndeshje; 71 fitore Tirana, 33 fitore Teuta, ndërsa 38 takime janë ndarë në barazim.
Nurishmi: “Përjashtimi i Duros? Tirana të sjellë akuzat”
Kërkesa e 23-herë kampionëve të Shqipërisë, klubit të Tiranës për përjashtimin e tre lojtarëve Klodian Duro, Endri Vrapi e Ervis Sina nga ekipi Kombëtar për prishje të imazhit, nuk është parapëlqyer shumë jo vetëm nga futbollistët, por një kundërreagim bëri edhe Federata Shqiptare e Futbollit. Në fakt, vendimi përfundimtar i përket trajnerit të Kombëtares, holandezit Ari Han. Sipas zëdhënësit të Federatës, Lysjen Nurishmit, “qeveria” e futbollit shqiptar nuk mund të ndërhyjë në vendimet e teknikut. “Përderisa asnjë nga këto akuza nuk është vërtetuar, - tha Nurishmi, - ne nuk mund të bëjmë asgjë për të plotësuar kërkesën e klubit të Tiranës. Nuk është në kompetencën tonë që të ndërhyjmë në vendimet e trajnerit të kombëtares për sa i përket përzgjedhjes së futbollistëve që do të jenë pjesë e formacionit”.
Nurishmi jep edhe një këshillë: “Nëse klubi i Tiranës ka akuza konkrete në lidhje me kërkesën e bërë, atëherë duhet të na i çojë”.
Shkumbini, autokritikë për vendin 6
Shkumbini-Flamurtari vlerësohet edhe si ndeshja më e qetë e javës së 32-të, pasi të dy skuadrat ndodhen në “mesin e artë” të Kategorisë Superiore, pavarësisht se skuadra peqinase ka disa motive për ta fituar ndeshjen me vlonjatët e kroatit Slavko Kovaçiç. Shkumbini humbi me Kastriotin (1-0) katër ditë më parë, por pas pësimit të golit trajneri Magani dhe presidenti Ismaili në shenjë proteste u larguan pa përfunduar ndeshja. Një rikthim të fitorja - Shkumbini ka humbur vetëm një nga 15 ndeshje të luajtura në Peqin - përveç rigjetjes së humorit, do të thoshte edhe vendi i gjashtë, e kombinuar kjo edhe me një humbje të pritshme të Vllaznisë me Dinamon kryesuese. Flamurtari nga ana e tij të shtunën shkatërroi Skënderbeun 4-1 (75 gola të pësuar në 31 javë për korçarët) dhe një barazim i dytë në Peqin (faza e parë: 0-0), do t’i jepte kënaqësinë e radhës kryebashkiakut president Shpëtim Gjika, aq më tepër që edhe në takimin e zhvilluar në Vlorë përfundimi ishte i bardhë. Dy skuadrat janë ndeshur midis tyre 27 herë: 8 fitore Shkumbini, 10 fitore Flamurtari dhe 9 barazime.
Besa-Beselidhja, nga Intertoto te mbijetesa
Besa dhe Besëlidhja do të përballen në javën e parafundit të Kampionatit të 69-të Kombëtar në një sfidë për “jetë a vdekje”. Skuadra kavajase ka humbur në dy ndeshjet e fundit me Partizanin (0-1) në shtëpi dhe Dinamon (2-0) në kryeqytet dhe është në rrezik për vendin e tretë, që të çon në Kupën Intertoto, njëherësh edhe bileta e fundit për në Europë. Tri vendet e tjera janë ndarë: Vllaznia e ka merituar një vend në Kupën UEFA, ndërsa Dinamo e Partizani do të ndajnë midis tyre jo vetëm titullin kampion por dhe se cili ekip do të luajë në Ligën e Kampioneve dhe në vendin e dytë në Kupën UEFA. Skuadra kavajase ka vetëm dy pikë më shumë se Elbasani (pret Kastriotin në shtëpi) dhe përpara se të përballet në javën e fundit me Teutën, me të cilën diskutoi edhe finalen e Kupës së Shqipërisë një sezon më parë, synon tri pikët ndaj një Besëlidhje ambicioze e që luan kartën e fundit për të mos rënë direkt nga Kategoria Superiore. Skuadra kavajase e çifit Haxhiaj-Berati vuan nga disa mungesa: Ramadani e Mërtiri (të skualifikuar), Leci e Mihani (të dëmtuar, në dyshim). Blerja e bujshme Artim Shaqiri (i dëmtuar) ka javë që nuk duket në horizont. Në takimin e fundit skuadra lezhjane fitoi me kampionen në fuqi të Shqipërisë (matematikisht e shkurorëzuar) dhe Besëlidhja e Ilir Gjylës beson ende në mbijetesën e saj, parë faktin se dhe takimin e fundit e kanë me fqinjën, Vllazninë e Shkodrës. Dy përballjet se zonale dhanë këto përfundime: në fazën e parë Besa fitoi në shtëpi 2-0 (gola të Veliaj e Arapit), ndërsa në fazën e dytë në Lezhë takimi u mbyll në barazim 2-2 (Toma e Petrevski për Besëlidhjen, Alikaj e Shaqiri për Besën).
Dy ekipet janë ndeshur midis tyre 40 herë: 18 fitore Besa, 9 fitore Besëlidhja dhe 13 barazime.
Elbasani mendjen te Europa, Kastrioti do barazim
Elbasani, pas barazimit në “Niko Dovana” me Teutën (1-1) synon fitoren me Kastriotin në “Ruzhdi Bizhuta” e për të shpresuar në një hap fals të Besës kundër Besëlidhjes për të pasur mundësi për një vend në Europë, ku mungoi vitin e fundit. Trajneri Krenar Alihmehmeti nuk do të jetë në bankinë (u ndëshkua në ndeshjen me durrsakët), ndërkohë që zëvendësit e tij Filja e Gogunja do të vuajnë mungesën e mbrojtësit maqedonas Nikola Karçev (i skualifikuar). Skuadra krutane me 35 pikë në 31 javë dhe 2 e 4 pikë më shumë se Teuta e Besëlidhja kur kanë mbetur edhe dy ndeshje për t’u luajtur thuajse e ka të sigurt një vend në play-out, ku do të përballet më pas me një nga ekipet që do të renditet në vendet 3-4 të Kategorisë Superiore. Një barazim në Elbasan do ta kënaqte pa masë Kastriotin, që i ka zhvilluar të gjitha ndeshjet e këtij sezoni jashtë shtëpisë. Teknikut të Kastriotit, Ramazan Ndreu do t’i mungojë Erald Turdiu (i dëmtuar). Dy skuadrat në dy ndeshjet e para të këtij sezoni kanë ndarë nga një fitore me të njëjtin rezultat: 2-0. Kastrioti fitoi në fazën e parë me golat e Turdiut e Rizvanollit, ndërsa Elbasani në fazën e dytë me autogolin e Brahjas e golin e kosovarit Nallbani, aktualisht te Vllaznia. Në 14 përballjet historike bilanci është thuajse i barabartë: 6 fitore Elbasani, 5 fitore Kastrioti, 3 barazime.
Finalja
Kupa UEFA
Zenit- Rejnxhërs
14 maj 2008, ora 20:45
Direkt në Vizion Plus
Bastet
Betexplorer
Zenit-Rejxhwrs
2.21 3.09 3.21
William Hill
2.30 3.00 3.40
Unibet
2.25 3.20 3.20
14 Maj 2008