E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komiteti Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës takim në Elbasan



Komiteti Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës zhvilloi dje një takim në formë dialogu me qytetarët e Elbasanit në teatrin “Skampa”. Në këtë takim ishin të pranishëm Kryetari i Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës Artur Zheji, analisti i njohur dhe anëtar i këtij Komiteti të Mbrojtjes së Kushtetutës, Andrea Stefani, kryetari i LSI, Ilir Meta dhe Kryetari i PAD, Neritan Ceka dhe sekretari politik i PDS-së, Artur Duçkollari. Në takim merrnin pjesë edhe shumë përfaqësues të shoqërisë civile dhe intelektualë të qytetit të Elbasanit. Gjatë fjalës së tij Kryetari i Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, Artur Zheji kundërshtoi përqendrimin e pushtetit në duart e një grupi bipolar. “Çuditërisht është një grup bipolar, i kryesuar nga njëra anë nga Sali Berisha dhe një grup tjetër suprizë i kryesuar nga Rama dhe ca të tjerë të cilët po bëjnë ca marrëveshje që na çuan në këto ndryshime kushtetutore, që u votuan prej një mazhorance të sforcuar parlamentare. Kjo qeveri, mori mandatin e saj qeverisës në emër të reformave të mëdha, luftës kundër korrupsionit, rritjen e mirëqënies sociale etj, por tashmë kjo Qeveri ka dështuar përfundimisht. Dështimi i kësaj qeverie ndodhi në Gërdec, në një tragjedi të frikshme ku në mënyrë ilegale gjithë rezervat e ushtrisë shqiptare u përqendruan në një fshat jo shumë larg Tiranës. Kjo është një situatë anormale sepse Kushtetuta është dëmtuar në pjesën më jetike të saj. Ndaj ne themi se e vetmja mënyrë për të korrigjuar këtë krim të madh kundër Kushtetutës është nëpërmjet sovranitetit që ka populli për t’u shprehur. Prandaj ne si popull duam të drejtën për tu shprehur për të shpëtuar kushtetutën tonë” tha Zheji. Gjatë fjalës së tij në Elbasan, lideri i LSI, Ilir Meta shprehu dhe njëherë vullnetin e LSI për realizimin e referendumit, në mënyrë që të njihet e drejta e popullit të që të shprehet për Kushtetutën. “Kushtetuta për ne mbetet në plan të parë, jo si një çështje e një partie, apo disa partive, por si një çështje e gjithë qytetarëve shqiptarë, sepse për miratimin e saj janë shprehur gjithë shqiptarët”, tha Meta.

15 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›