E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: Premtimet për ilaçet në spitale, të parakohshme

Edhe pse jemi pothuajse në fundin e stinës së vjeshtës, problemi i ilaçeve të munguara në spitale është ende i pranishëm. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, deklaroi, pas takimit me grosistët, se fillimi i vjeshtës do të shënonte shpëtimin e madh për pacientët që blejnë barna privatisht dhe për qendrat spitalore, që vazhdojnë të dërgojnë pacientët në farmaci. Por, edhe pse kanë kaluar dy muaj e pak që pas kësaj deklarate zyrtare, ministrja e Shëndetësisë ka thënë dje se këto premtime kanë qenë të parakohshme, pasi mungesat kanë qenë të mëdha dhe për ta përballuar këtë situatë të vështirë në të gjithë vendin nevojitet më shumë kohë. Dje, gjatë vizitë së ministres në spitalin e Lushnjës dhe Beratit, ajo ka thënë: "Edhe pse jemi në fund të vjeshtës, problemet e mungesave me ilaçe ende nuk janë zgjidhur në të gjitha spitalet e vendit. Premtimet e mia kanë qenë të parakohshme". Sipas saj, janë rreth 20 spitale, të cilat kanë probleme me ilaçet dhe mungesa në pajisje mjekësore të nevojshme për punën.
Sakaq, një vendim i Këshillit të Ministrave, marrë dy javë më parë, ka shtyrë afatin e tenderimeve për Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", në mënyrë që fondet që janë parashikuar për t‘u blerë ilaçe të mos digjen deri në fund të këtij viti. Muaji dhjetor do të shënojë edhe fundin e afatit për blerjet e mëdha. Deri atëherë, pacientët shpresojnë të gjejnë më shumë ilaçe në spitale, pajisje mjekësore, filma për aparatura të ndryshme diagnostikuese, si dhe më shumë medikamente me cilësi më të mirë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›