E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo: Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, po bën punën e gjykatëses

Republikanët, të revoltuar nga qëndrimi i Prokurores së Përgjithshme për heqjen e imunitetit të Fatmir Mediut. Presidenti i nderit të Asamblesë së PR-së, Sabri Godo, në një intervistë për "Shqip" e ka cilësuar të nxituar vendimin e prokurorisë, duke u shprehur se prokurorja po bën punën e gjykatëses. "Në përgjithësi, hetimet janë të mbuluara nga sekreti dhe bëhen publike nga momenti që i kalojnë gjyqit", tha Godo.

Zoti Godo, si e komentoni kërkesën publike të prokurores Ina Rama për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediut?

Nuk e kuptova pse duhet të bëhej kjo deklaratë publike, nuk më duket korrekte kjo as në formë dhe as në përmbajtje. Kjo, sepse në përgjithësi hetimet janë të mbuluara nga sekreti dhe bëhen publike nga momenti që i kalojnë gjyqit. Për sa i takon përmbajtjes, them se ajo kishte më tepër ton akuze sesa një pretence, dhe meqë bëhet publike është një lloj ftese për palën tjetër që edhe të përgjigjet dhe të mbrohet. Se kështu duket se gjykimi i një çështjeje transferohet në një plan tjetër, bëhet publik në vend që të zhvillohet në sallën e gjyqit. Nga kjo anë m‘u duk një veprim i nxituar i Prokurores së Përgjithshme, duket sikur ajo shpall një fushatë për të tërhequr në anën e vet opinionin publik dhe kjo nuk ka se çfarë i duhet organit të prokurorisë.

A besoni ju në pafajësinë e kryetarit të republikanëve?

Kjo duhet t‘i lihet deri në fund gjykatës, e cila do të vlerësojë materialet dhe më pas do të marrë një vendim të vetin. Në këtë pretencë publike që u bë nga prokuroria, kishte një lloj anësie sipas meje, sepse Fatmir Mediu nuk është se i thuri në zyrën e tij të gjitha urdhrat, vendimet që u morën. Dikush ia ka servirur dhe është e provuar që këto janë dhënë me firma nga struktura të ndryshme të Ministrisë së Mbrojtjes, sidomos nga strukturat ushtarake që janë drejtpërdrejt të interesuara. Ndaj nuk ka se si të përqendrohet e gjitha kjo në një pikë të vetme. Nuk jam për atë që të shpërndahet përgjegjësia. Jam për atë që të përgjigjet për mangësitë e veta secilido që i ka konsumuar dhe që të bëhet kjo nuk mund të thuash që më parë apriori që të gjitha gjërat i ka bërë një njeri i vetëm. Është një gjë që nuk funksionon nga ana logjike. Më duket se Kuvendi e ka vënë veten e vet në një pozitë disi të pakuptueshme lidhur me këtë. Se nëse thuhet se çdo kërkesë që do të vijë nga prokuroria do të miratohet, atëherë pse na duhet ne komisioni i mandateve. Ky ka dalë tërësisht jashtë funksionit derisa është vendosur që më parë. Nuk më duket që prokuroria të vendoset në një pozicion të privilegjuar mbi Kuvendin, dhe Kuvendi t‘i nënshtrohet çdolloj kërkese që të vijë nga prokuroria. Atëherë duhet të ndryshohen rregulloret e Kuvendit dhe duhet të ndryshohen ligjet, jo të krijohet situata të tilla të pakuptimta. Për sa i takon Fatmirit, ai nuk ka nevojë për imunitetin, e ka deklaruar që pas ngjarjes së Gërdecit. Ai do të vihet në dispozicion të organeve të hetimit dhe se është i disponuar që të japë tërë ndihmën që kërkohet nga ana e tij. Nuk është problemi i Fatmir Mediut apo i Lulzim Bashës që i është hequr që më parë imuniteti. Them që kjo duhet të shikohet se ka diçka që nuk funksionon.

Deputetë të PD-së kanë folur për një kufizim të pjesshëm të imunitetit. A është kjo një mënyrë e duhur.

Propozimi i PD-së më duket një propozim i arsyeshëm, nuk mund të lihet krejt pa imunitet deputeti, sepse duhet të gëzojë një mbrojtje për incidentet që mund t‘i ndodhin në publik. Kurse për hetimin duhet të vihet në dispozicion. Duhet parë tani nëse do kemi një komision të heqjes së imunitetit të deputetit apo jo. Duhet të biem në një mendje për të ndryshuar rregulloren ose për t‘i respektuar ato. Unë besoj se me këtë frymë që ekziston në Kuvend do të hiqet imuniteti i kujtdo. Sepse funksionon kjo ide që çdo gjë që vjen nga prokuroria duhet apriori////////////// duhet të zbatohet. Prandaj, them se do t‘i hiqet imuniteti Fatmir Mediut, edhe pse ai nuk ka nevojë për atë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›