Këshilltarët e LSI-së, kundër Ramës për parkingjet nëntokësore
Këshilltarët e LSI-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës janë shprehur publikisht kundër politikës së kryetarit të bashkisë Edi Rama, për sa i përket ndërtimit të parkingjeve nëntokësore. Zëdhënësi i këshilltarëve të LSI-së, Petrit Vargu, deklaroi se kryetari Rama ka thyer transparencën. “Por kjo nuk do të thotë që të thyhen të gjitha rregullat, ligjet si në rastin konkret, dhe vendimet të merren pa ndjeshmërinë më të vogël ndaj pasojave që mund të ketë një ndërtim i tillë në një nga ambientet e fundit të gjelbra që ka Tirana. Së pari, për mënyrën e realizimit të tyre, kërkohet transparencë shumë më e madhe. Këto parkingje nuk ka arsye të jepen me koncesion dhe të mos jenë të menaxhuara nga bashkia. Si biznese mjaft fitimprurëse kjo do t’i jepte shumë më tepër të ardhura bashkisë për të kryer investimet e nevojshme publike e jo të ngrejë taksat si ka bërë me ato të pastrimit, apo me gjelbërimin. Gjithashtu, duam të theksojmë që kjo procedurë është totalisht në kundërshtim me ligjin e prokurimit për koncesionet, pasi referuar ligjit, “me koncesion jepen terrene dhe ambiente që nuk shfrytëzohen dot nga shteti”, si dhe koncesionet jepen vetëm me procedurë tenderimi”, - tha Vargu.