E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo kërkon respekt për mjekët

Pas thikës së radhës në shpinën e një mjeku ka reaguar ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo. Titullarja në krye të këtij sektori mjaft problematik shprehu dje shqetësimin për rastet e dhunës që janë shfaqur ndaj bluzave të bardha. Ministrja Godo në një dalje publike ditën e diel u bëri apel të gjithë qytetarëve që të mbështesin mjekët në punën e tyre. Madje, mjekja-ministre ka kërkuar edhe një rikthim të besimit te bluzat e bardha.
Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, u shpreh dje me mjaft shqetësim lidhur me shpeshtimin e këtyre rasteve të dhunës që në këto muajt e fundit ka nisur të shfaqet më së shumti ndaj bluzave të bardha. Duke i cilësuar si të papranueshme këto akte dhune, ministrja Godo i bëri apel shoqërisë dhe politikës të jenë në krah të mjekëve. Mes të tjerash, ministrja që ka premtuar të luftojë korrupsionin në radhët e personelit të shërbimit shëndetësor, por edhe të garantojë kushte pune normale për ta tha se "lufta kundër korrupsionit po nxjerr anën e saj më negative, dhe po prek bluzat e bardha".
Nga ana tjetër, drejtuesja e Shëndetësisë shtoi se ka besimin dhe mbështetjen e qeverisë për ndryshimin e kësaj gjendjeje në sistemin e shëndetësisë, me të cilin detyrohen të përplasen pjesa më e madhe e të gjithë shqiptarëve.
Mjeku Agron Ylli u qëllua dy ditë më parë me një armë të ftohtë në një klinikë private pranë zonës së "Shallvareve" në kryeqytet. Aktualisht, ai është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia arrestoi agresorin. Ministrja Godo ka qëndruar përgjatë gjithë kohës që ai iu nënshtrua operacionit në ambientet e Spitalit Ushtarak, deri në marrjen e lajmit se mjeku Ylli kishte dalë jashtë rrezikut për jetën.

"Nuk më dha raport për gruan e sëmurë". Ka qenë ky pretendimi i 35-vjeçarit që për pak i mori jetën mjekut Agron Ylli. Kjo ngjarje ku agresori qëlloi me thikë mjekun ndodhi në një lokal pranë qendrës së Tiranës. Agron Ylli ushtron funksionin e mjekut të përgjithshëm në Spitalin Ushtarak.

Nga hetimet paraprake të policisë u bë e ditur se fillimisht mjeku dhe autori i shoqëruar nga bashkëshortja e tij kanë qenë në një lokal pranë parkut "Rinia". Agresori Valiasi i ka kërkuar doktor Yllit që t‘ i japë raportin "kemp" për gruan e sëmurë me diabet. Mjeku që si duket ka refuzuar, ka hasur në zemërimin e 35-vjeçarit, i cili në grindje e sipër me doktorin e ka goditur këtë të fundit me thikë. Policia e cila mbërriti në vendngjarje ka vënë menjëherë në pranga autorin.

Vetëm pak kohë më parë në ambientet e qendrës spitalore universitare "Nënë Tereza" në Tiranë mjeku kirurg, Ali Refatllari, pati thuajse të njëjtin fat, teksa u godit nga i afërmi i një pacienti të tij. Ndërkohë që shumë të sëmurë dhe familjarë të tyre ankohen shpesh se nuk arrijnë të marrin shërbimin që kërkojnë nga ana e bluzave të bardha, madje në shumë raste përballen me neglizhencë të plotë mjekësore dhe në pjesën më të madhe të kohës edhe me mungesë të etikës mjekësore nga një pjesë e stafit mjekësor.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›