PDK: Stop sulmit ndaj bluzave të bardha
Partia Demokristiane dënon ashpër aktin e përsëritur të dhunës ndaj bluzave të bardha. "Akti i pashembullt i goditjes me rrezik për jetën e mjekut Agron Ylli, përbën episodin më të fundit në varg ngjarjesh të njëjta, si dhe të një fushate mediatike e politike kundër bluzave të bardha", shprehet Partia Demokristiane. Nënkryetarja e kësaj partie, Aida Joanidhi sqaron se nuk ka asnjë dyshim se kur në një shtet dhe shoqëri sulmohen me armë mjekët, kemi të bëjmë me një krizë të thellë morale dhe të sigurisë publike. "Ne vlerësojmë masat e marra nga forcat e sigurisë për arrestimin e agresorit, por njëherësh bëjmë thirrje që ai dhe çdo person tjetër i evidentuar kohët e fundit në sulmet verbale kundër personelit mjekësor, duhet të marrë përgjigjen e merituar ligjore nga organet e drejtësisë", shprehet ajo. Sipas Joanidhit, kohë më parë një mjek u godit në QSUT, një tjetër mjek i shpëtoi vdekjes në Vlorë, raste ka pasur në Tropojë, Korçë, Librazhd, Elbasan, por deri tani reagimi zyrtar i institucioneve të ngarkuara nga ligji, si Ministria e Shëndetësisë, qeveria, organet e hetimit dhe të gjykimit, kanë qenë formale. "Këto institucione më shumë kohë harxhojnë të kontrollojnë dhe selektojnë lajmet në media apo të bëjnë emërim-shkarkime me motive të pastra politike, sesa të merren realisht me detyrën që u ngarkon ligji dhe Kushtetuta", shprehet ajo.