E Diel, 1 Nëntor 2026

Plagoset, bie në Mat makina e policit të burgut



LEZHË – Një efektiv i sigurisë në burgun e Shënkollit mbeti i plagosur dje në një aksident automobilistik, si pasojë e reshjeve, të cilat e vështirësonin qarkullimin në rrugë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Lezhës bëjnë të ditur se në aksin rrugorë Rubik – Milot, ka ndodhur një aksident automobilistik, ku një makinë tip benz që drejtohej nga Lazër Përlesi, punonjës i burgut të Shënkollit, ka dalë nga rruga, duke rënë në lumin Mat. Sipas policisë, ngjarja ndodhi dje në afërsi të fshatit Fang, të Bashkisë Rubikut të rrethit të Mirditës. Pas disa rrotullimesh të mjetit, Përlesi ka mbetur i plagosur, duke pësuar disa fraktura të rënda. Sipas policisë, shkak i aksidentit ka qenë pamja e kufizuar si rezultat i reshjeve që po binin në atë moment, si dhe
terreni i rrëshqitshëm.

Shpallen në kërkim 2 të rinjtë, dhunuan 46-vjeçarin

DURRËS - Dy të rinj janë shpallur në kërkim nga forcat blu të Durrësit, pasi sipas burimeve zyrtare të policisë, të rinjtë mbrëmjen e dy ditëve më parë, rreth orës 20:00 kanë goditur me mjete të forta një 46-vjeçar në konflikt e sipër, duke i shkaktuar atij dëme të rënda në kokë, ngjarje kjo e ndodhur në qendrën e fshtatit Maminas të rrethit të Durrësit. Ndërsa i dëmtuari ka përfunduar në spitalin e Durrësit, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia ka kryer të gjitha veprimet procedurale dhe ka filluar ndjekjen në gjendje të lirë për Orges dhe Adis Hushin pas denoncimit të mbërritur në komisariatin e Shijakut nga autori i dhunuar.

Gjendet e varur në pemë 45-vjeçarja

KRUJË – Në grua është gjendur e varur në oborrin e banesës së saj. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se viktima është identifikuar si 45-vjeçarja H.B, e cila është gjetur e varur në oborrin e shtëpisë së saj rreth orës 22:00 të ditës së hënë. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat lokale të Krujës, të cilët janë duke mbledhur provat materiale dhe janë duke kryer të gjitha veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe motivet që mund të kenë shtyrë 45-vjeçaren t'i jepte fund jetës së saj. Burime zyrtare cilësojnë se nga të dhënat e para dyshohet për një vetëvrasje, por duhet të pritet përfundimi i hetimeve për të hedhur dritë të plotë mbi këtë ngjarje.

Vetëhelmohet me fostoksinë i sëmuri mendor

DURRËS – Një 32-vjeçar, i cili vuante nga depresioni prej shumë kohësh, i ka dhënë fund jetës, duke pirë një substancë vdekjeprurëse. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se shtetasi S.O., lindur dhe banues në komunën e Ishmit të rrethit bregdetar, ka mbërritur në Spitalin Ushtarak në kryeqytet në gjendje të rëndë. Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se 32-vjeçari vuante edhe nga sëmundja e epilepsisë. Ai ka gëlltitur një sasi të konsiderueshme substance helmuese të llojit fotoksinë. Sipas të njëjtave burime viktima ka qenë në kushtet e depresionit kur ka gëlltitur sasinë e helmit, megjithatë priten përfundimet e hetimeve për përcaktimin e plotë të shkaqeve që shtynë 32-vjeçarin të kryente këtë veprim.

17 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›