E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet në Tiranë “mjeshtri” i vjedhjeve të lokaleve dhe dyqaneve

Plot 17 vjedhje të dokumentuara, kryesisht lokale e dyqane, por policia dyshon se numri i grabitjeve në bashkëpunim është edhe më i madh. Fabjan Laci, 21 vjeç, me banim në Paskuqan, Tiranë, me sa duket nuk i kanë bërë përshtypje tre dënimet e mëparshme po për vjedhje, ku menjëherë pas lirimit ka “rekrutuar” tre adoleshentë, duke i nxitur të vidhnin bashkë me të. Në këtë mënyrë, Laci ishte kthyer në tmerrin jo vetëm të pronarëve të dyqaneve e lokaleve, por edhe të shumë firmave të ndryshme private, të cilat çdo ditë e më shumë denonconin vjedhjet e konstatuara.

Një gjë e tillë ka shërbyer si indicie që specialistët e Seksionit të Posaçëm Kundër Vjedhjeve të Tjera në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr .3 në kryeqytet, të përveshin mëngët për zbulimin e autorëve të vjedhjeve të njëpasnjëshme në zona të ndryshme të Tiranës. Ndërkohë, arrestimet e disa javëve më parë të dy minoreneve, 17-vjeçarit A. B, dhe E. P, 14 vjeç, ka çuar gjithnjë e më shumë në gjurmët e “trurit” të serisë së vjedhjeve.

Derisa falë një pune intensive profesionale, në drejtim të zbardhjes, dokumentimit ligjor dhe kapjes së autorëve me tendencë vjedhjen e pasurisë, dy net më parë, rreth orës 20:00, kanë realizuar me sukses operacionin e koduar “Plazma”, duke zbatuar kështu urdhrin e ndalimit për 21-vjeçarin Laci dhe 17-vjeçarin D. Ç.

Pas kësaj, policia ka bërë me dije se ndalimi i tyre u bë pasi në bashkëpunim edhe me A. B., 17 vjeç dhe E. P., 14 vjeç, tashmë të arrestuar, në kohë e vende të ndryshme, kanë realizuar vjedhjen në datën 12 mars të këtij viti të lokalit të një shtetasi; më 15 prill kanë vjedhur dyqanin e një shtetasi ku kanë marrë 5.000 lekë, një televizor dhe paketa të llojeve të ndryshme; më 24 prill, në rrugën “Gjergj Legisi”, kanë vjedhur lokalin e një shtetasi.

Jo vetëm kaq, por policia ka zbuluar se më 11 korrik, po në rrugën “Gjergj Legisi”, kanë vjedhur banesën e një shtetasi, ku kanë marrë dy ora dore dhe një celular; më 2 gusht, në rrugën “Don Bosko”, pallati “Nokaj”, kanë vjedhur me thyerje firmën “End-Trend”, pronë e një shtetasi, ku kanë marrë dy kompjuterë, një ekspres kafeje dhe një fotokopje.

Ndërkohë që dokumentimi i vjedhjeve të vjetra vijon me atë të datës 7 mars, tek ish-kombinati “Josif Pashko”, kanë vjedhur dyqanin e një shtetasi, ku kanë marrë 5 boljerë uji dhe një sasi mallrash ushqimore; më 17 prill, tek Nish Tulla 3 kanë vjedhur një sasi kablli në pronësi të një shtetasi; më 14 qershor, në rrugën “Don Bosko”, kanë vjedhur lokal “Kontinent”; më 13 gusht, në rrugën “Josif Pashko”, tek shinat kanë vjedhur banesën e një shtetasi, ku kanë marrë një trapan, dy telefona celularë dhe një portofol me 3.000 lekë; më 15 gusht, në rrugën “Bogdani” kanë vjedhur në pallatin e firmës “Bimo”, pronë e një shtetasi, ku kanë marrë 5 boljerë dhe pajisje të tualeteve të pallatit dhe një vinç, ndërsa më 21 gusht, në rrugën “Josif Pashko” kanë vjedhur banesën e një shtetasi, ku kanë marrë një gjenerator dhe disa pajisje.

Gjithashtu, vjedhje të tjera janë ato të datës 21 gusht, në rrugën “Don Bosko”, tek pallati i “Vizion Plus” kanë marrë një sasi të konsiderueshme tubash bakri; më 28 qershor, në rrugën “Vangjel Noti” kanë vjedhur dyqanin e një shtetasi, ku kanë marrë dy televizorë “Plazma” dhe tri karta “Dixhitalb”; më 4 gusht, tek stacioni i autobusëve Laprakë kanë vjedhur një dyqan, ku kanë marrë 2.500 lekë dhe 15 karta rimbushëse “Vodafone” dhe “AMC”; më 10 gusht, tek ish-kombinati “Josif Pashko” kanë vjedhur banesën e një shtetasi, ku kanë marrë 20.000 lekë; më 21 gusht kanë vjedhur një minimarket, në rrugën “Gjergj Legisi”; si dhe më 22 gusht, në rrugën “Gjergj Legisi”, kanë vjedhur dyqanin e një shtetase, ku kanë marrë 800 lekë dhe 16 karta rimbushëse “Vodafone” dhe “AMC”.

Të arrestuar

Fabjan Laci, 21 vjeç, banues në Paskuqan, i dënuar 3 herë për vjedhje

D. Ç., 17 vjeç, banues në Tiranë

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›