E Diel, 1 Nëntor 2026

Godo pranon ryshfetet në spitale dhe korrupsionin me tenderat

Autori i Lajmit: red.
Ministrja e Shëndetësisë garanton se në shtator do të përmirësohet furnizimi i spitaleve me medikamente, por shton se problematik mbetet korrupsioni në tendera. "Ryshfetet që marrin mjekët dhe infermierët është vetëm pjesa e dukshme e korrupsionit, por më problematik është korrupsioni me tenderat", - ka deklaruar dje ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, gjatë një vizite në spitalin rajonal të qytetit të Durrësit ku zhvilloi një takim me shefat e shërbimeve dhe mjekët e këtij spitali. Për ministren Godo, reforma në sistemin mjekësor duhet të bëhet me hapin e duhur për të mos gabuar me emërimet politike, por duke u mëshuar cilësive profesionale të drejtuesve. Ministrja e re siguroi se janë marrë të gjitha masat që, brenda muajit të ardhshëm, të ndryshojë plotësisht gjendja e rëndë e krijuar në furnizimin me medikamente mjekësore në spitalet e vendit. “Në vjeshtë do të normalizohet dhe situata e medikamenteve në spitalet e vendit tonë”, - tha ministrja Godo. Ministrja e Shëndetësisë informoi se po në shtator në Kuvendin e Shqipërisë do të paraqitet një paketë ligjore që synon përmirësimin e shërbimit shëndetësor. Duke folur për luftën ndaj korrupsionit në sistemin e shëndetësisë, ministrja Godo cilësoi se "kjo reformë duhet të zhvillohet jo vetëm aty ku personeli mjekësor merr ryshfet për shërbimin spitalor, por kudo ku është e pranishme". Për ministren Godo, reforma në sistemin mjekësor duhet të bëhet me hapin e duhur për të mos gabuar me emërimet politike, por duke u mëshuar cilësive profesionale të drejtuesve. Gjatë vizitës së saj në spitalin e Durrësit, ministrja vlerësoi infrastrukturën e tij dhe tha se në të ardhmen ky spital mund të jetë një Qendër Universitare me të gjitha elementet e saj. Gjithashtu, ajo premtoi se specialistëve do t u vihen së shpejti në dispozicion aparaturat e nevojshme që mungojnë dhe që i shërbejnë shëndetit të qytetarëve. Gjithashtu ministrja zhvilloi takime dhe me autoritetet vendore, gjatë të cilave u diskutua për problematikat e shëndetësisë në qytetin bregdetar. Prefekti i qarkut, Klodjan Pajuni, kërkoi pajisjen sa më të shpejtë të spitalit rajonal me aparaturat e skanerit dhe të dializës, mjaft të rëndësishme për këtë zonë me rreth 400 mijë banorë. Ndërsa kryetari i Bashkisë, Vangjush Dako, e informoi ministren e Shëndetësisë rreth problematikave të qytetarëve e veçanërisht pensionistëve që u drejtohen strukturave spitalore dhe shërbimit të mjekut të familjes.
Ky lajm është publikuar: 15/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›