E Diel, 1 Nëntor 2026

Godo premton skaner të ri për spitalin

Skaneri i spitalit të Korçës do të zëvendësohet me një pajisje të re. Kjo do t‘u japë fund ecejakeve të qytetarëve të juglindjes së vendit, që kanë nevojë për një shërbim skaneri. Kështu është shprehur ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, gjatë vizitës së saj në spitalin rajonal të Korçës. "Jemi në dijeni të faktit se skaneri ka pësuar disa herë defekte. Pas kontakteve me firmën është diskutuar për sjelljen e një skaneri të ri, për ta zëvendësuar këtë aparaturë", ka thënë Godo gjatë vizitës në repartin ku mbahet kjo pajisje jashtë funksionit. Godo ka vizituar me radhë të gjitha pavijonet dhe laboratorët e spitalit të Korçës dhe nga ana e personelit mjekësor është vënë në dijeni për mungesat që ka në disa nga pajisjet e nevojshme dhe që do të ndihmonin në cilësinë e shërbimit dhe të ekzaminimeve më të specializuara. Godo, e cila është njohur nga afër me situatën në këtë spital, nuk ka lënë pa përmendur as krizën e medikamenteve, që sipas saj do të marrë fund në muajin janar me decentralizimin dhe reformën në shëndetësi, që u lë hapësirë spitaleve për vetadministrim. Godo u shpreh se nëpërmjet reformës dhe me decentralizimin e buxhetit që u kalon spitaleve, këto të fundit do të kenë shansin të vetadministrojnë fondet për blerje ilaçesh e pajisjesh mjekësore, të cilat e kanë ndier mungesën. Mungesa e medikamenteve elementare në spitale, sipas Godos, do të marrë fund, por duhet që ky buxhet të menaxhohet me ekonomi. "Nuk është normale që në një spital të ketë mungesa të theksuara të medikamenteve bazë, që janë pjesë e punës së përditshme dhe tepër të nevojshme për anën njerëzore të këtij profesioni, për t‘u ardhur në ndihmë të sëmurëve. Por kriza e medikamenteve është drejt zgjidhjes dhe tani me reformën dhe decentralizimin e buxhetit çdo spital do të planifikojë fondet sipas nevojave", tha ministrja. "Kjo reformë do t‘i bëjë spitalet të pavarura dhe do të rrisë eficensën e tyre. Prej janarit do të jenë vetë spitalet rajonale ato që do të përcaktojnë se çfarë medikamentesh dhe aparaturash do të blejnë me buxhetin që u ka dhënë Ministria e Shëndetësisë dhe në këtë mënyrë në spitalet tona nuk do të ketë më mungesa, siç ka ndodhur deri tani", tha ajo. Godo ka përmendur gjithashtu edhe kujdesin ndaj prokurimeve. Sipas saj, deri tani planifikimet dhe prokurimet kanë qenë në drejtime të kundërta, pasi tjetër gjë planifikohej dhe tjetër gjë prokurohej.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›