E Diel, 1 Nëntor 2026

Një izolim i ri?

Shqipëria ka ëndërruar hapjen ndaj botës prej më shumë se gjysmëshekulli. Këtë e kanë kuptuar e shfrytëzuar edhe elitat shqiptare, sado provinciale e të pagdhendura që mund të kenë qenë. Mirëpo, dëshira për hapje ka qenë po aq e fortë sa edhe refleksi i kundërt për mbyllje; ambicia për integrim ka qenë po aq e theksuar sa regresi. Kështu që, vendi i Shqipërisë sot në Evropë e më gjerë, është kontradiktor: e integruar në sferën e tregjeve dhe mediave, por ende e izoluar në sferën e ideve dhe të institucioneve demokratike.

Ndërsa duket sikur vendi shkon uniformisht drejt të magjishmeve "struktura euroatlantike" izolimi shqiptar, në fakt, nuk është zhdukur. Ai është tjetërsuar e përshtatur me kushte të reja. Një pohim i tillë mund të duket i tepruar: Si mund të flitet për izolim, pikërisht sot kur me qindra mijëra shqiptarë jetojnë e punojnë jashtë vendit? Kur në Tiranë boksi politik vishet edhe me sloganet e Obamës? Kur ka internet dhe DigitAlb?

Sigurisht, nuk bëhet fjalë për izolimin e dikurshëm. Ky i sotmi nuk është bërë me ligj. Nuk dënohen gjuhët perëndimore apo shfaqjet e huaja. Përkundrazi, shfaqjet e huaja kanë përparësi. Nuk është as çështje kufijsh e mallrash, edhe pse regjimi i vizave vazhdon t‘i përjashtojë shqiptarët nga lëvizja e lirë në kontinent (e cila nuk është më luks, por domosdoshmëri). Jo. Izolimi i sotëm është së pari çështje botëkuptimi, përveçse edhe pasojë e dështimeve institucionale. Ai del në pah më mirë po të krahasohen dy shembuj që në thelb tregojnë se sa i tkurrur ka mbetur botëkuptimi politik shqiptar dhe se sa vetëkufizuese është mungesa e vizionit për vendin që zë Shqipëria sot.

Shembulli i parë është aq i rëndomtë sa nuk kërkon shtjellim të gjatë. Të huajt vazhdojnë të përdoren në politikën shqiptare (por edhe më gjerë), sipas rastit, si gogolë, arbitra, protektorë, ose gjykatës. Ekspertiza e huaj është ose universalisht e pushtetshme, ose universalisht e poshtër, në varësi të interesave të ngushta që prek. Raportet mujore e vjetore të organizatave ndërkombëtare të monitorimit janë aktualisht arma më e fuqishme politike në vend. A thua shqiptarët kanë nerva apo dëshirë të edukohen për vështirësitë e tyre të përditshme nga grafikët dhe përqindjet e OJQ-ve perëndimore. Me një fjalë, marrëdhënia me ekspertizën e huaj karakterizohet nga vështrimi jo kritik dhe kushtëzohet pothuajse tërësisht nga përdorimi politik. Si e tillë, kjo marrëdhënie mbetet në kufijtë e spektaklit.

Krahasoni këtë me marrëdhënien e vendosur prej kohësh me shqiptarët jashtë kufijve. Po të shikosh gazetat virtuale, forumet e panumërta të diskutimit, blogjet, apo shkëmbimet e menjëhershme të informacionit, duket se shqiptarët e shpërndarë nëpër botë nuk kanë qenë kurrë më pranë se sot. Po t‘u shtosh këtyre edhe vërshimet sezonale drejt Shqipërisë apo, çfarë ka edhe më tepër rëndësi, kontributin thelbësor ekonomik të emigrantëve, të krijohet përshtypja se komunikimi ndërshqiptar është i frytshëm dhe i ndërsjellë. Në fakt, ky është një shkëmbim me një kah: shqiptarët jashtë vendit mbeten kryesisht të përjashtuar nga dinamikat më të rëndësishme të vendit.

Për të shfrytëzuar potencialet jashtë kufijve përpjekjet kanë qenë ose sipërfaqësore ose nuk kanë qenë fare. Nuk është fjala thjesht për të kthyer "trurin" e ikur, i cili ka arsye të shëndosha të qëndrojë atje ku është, por për gjithë atë potencial të ideve, njohjeve, marrëdhënieve shoqërore, ekonomike dhe akademike, të mbledhura e të testuara gjatë viteve nëpër vende perëndimore. Teknologjitë e reja të komunikimit i bëjnë të gjitha këto më të kapshme, por teknologjitë varen nga shfrytëzimi i mençur. Shtetet në zhvillim po ndjekin agresivisht këto potenciale. Në këtë aspekt, megjithatë, Tirana ka mbetur kokëfortësisht e painteresuar.

Por edhe këtu jemi para një spektakli. Media na bombardon vazhdimisht me arritje të shqiptarëve nëpër universitete, konkurse, kompani private e sipërmarrje të të gjitha llojeve. Mirëpo, pak gjëra konkrete bëhen për t‘i shfrytëzuar këto arritje. Ato mbeten kryesisht inskenime të largëta. Edhe notat patetike që shoqërojnë shpesh këto lajme (tanët dalin gjithmonë të parët!) tregojnë për një hendek që ndan vendin nga realiteti i shqiptarëve jashtë. Nga poltrona e spektatorit ne shohim studentë, biznesmenë, aktorë, balerina, regjisorë, tenorë, mjekë, shkencëtarë, futbollistë, boksierë, fotomodele që dalin nëpër ekrane për të marrë dekorata dhe hiperbola të sikletshme e për t‘u zhdukur pastaj në errësirë sapo shfaqen titrat.

Pra, shqiptarët, të cilët ende ëndërrojnë hapjen e vendit, përballen me imazhe të huajsh që përdoren politikisht dhe me imazhe shqiptarësh që shkëlqejnë si yje diku larg. Në thelb, të dy shembujt tregojnë se nuk duhet ngatërruar spektakli i integrimit me angazhimin kritik, sipërmarrjet institucionale, pjesëmarrjen.

Sfera politike shqiptare është e mbushur me të huaj, me koncepte ideologjike të imituara e të keqpërdorura, dhe me retorikë të adaptuar fshatarçe nga Brukseli. Jehonat periodike për arritjet e shqiptarëve gjithashtu maskojnë disi hendekun e thellë mes interesave në vend dhe potencialit jashtë tij. Teknologjitë e reja të komunikimit ngushtësojnë hapësirat e mendimit mes shqiptarëve, por janë të padobishme përballë mendjengushtësisë. Teknologjitë kushtëzohen nga botëkuptimi dhe institucionet e atyre që i përdorin. Në këtë kontekst, botëkuptimi politik ka mbetur i tkurrur, sipërmarrjes në vend i mungon inovacioni, dhe debati publik është një rreth vicioz që kalon nëpër të njëjtat fytyra.

E vështirë të flasësh për zgjidhje. Nevoja për zgjidhje presupozon një interes minimal për të zgjeruar botëkuptimin, për të prishur rrjedhën e spektaklit. Për të kuptuar njëherë e mirë se hapja e vendit nuk vjen nga Brukseli dhe liberalizimi i vizave, por duhet të fillojë këtu brenda.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›