E Diel, 1 Nëntor 2026

Nëna: Më kanë rrëmbyer vajzën për prostitucion

Rrëmbehet për herë të dytë një vajzë e re, me qëllim shfrytëzimin e saj për prostitutë. Nëna e saj, e cila i është drejtuar për ndihmë policisë së kryeqytetit, ka treguar edhe dyshimet e saj se vajza është rrëmbyer nga të afërmit e personit, i cili e kishte shfrytëzuar 18-vjeçaren në rrugët e Greqisë. Sipas saj, ai ka dhënë urdhrin nga qelia në Greqi, ku vuan dënimin e dhënë për shfrytëzimin e adoleshentes. Ngjarja e rëndë është regjistruar mëngjesin e djeshëm në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Diana Ruçi, 51 vjeçe, është paraqitur para uniformave blu dhe ka treguar se vajza e saj është rrëmbyer. Ajo ka sqaruar se aktualisht, bashkë me vajzën banon në Greqi. Burimet policore bënë të ditur se ajo ka deklaruar se vajzën e saj, Elidonën, e kanë rrëmbyer të afërmit e Rrapi Myzeqarit.

Sipas 51-vjeçares, para disa vitesh, Rrapi Myzeqari, 26 vjeç, është martuar nëpërmjet mashtrimit me vajzën e re. Më pas, të dy bashkë kanë jetuar në Greqi, ku ndodhej edhe Diana Ruçi. Por pa kaluar shumë kohë, Myzeqari ka keqtrajtuar të bijën dhe e ka nxjerrë të prostituojë në Athinë. Por pas denoncimit për këtë person, policia greke ka arrestuar në Athinë shfrytëzuesin dhe drejtësia e ka dënuar me tetë vjet burg. Megjithatë, historia rrëqethëse për adoleshenten nuk ka përfunduar këtu. Edhe pas hyrjes në burg të Myzeqarit, ajo është kërcënuar nga të afërmit e tij, të cilët merrnin urdhra nga burgu. Kjo situatë ka ndodhur deri më datë 28 të muajit të kaluar, kur vajza e re është zhdukur. Nëna e saj ka marrë informacion se ajo është rrëmbyer nga të afërmit e Myzeqarit, me qëllim shfrytëzimin e saj si prostitutë. Në këto kushte, Ruçi i është drejtuar drejtësisë greke, por ata e kanë adresuar në Shqipëri. Në këto kushte, ajo është paraqitur në Policinë e Tiranës për të kërkuar ndihmë. Policia tha se ka regjistruar këtë kallëzim penal dhe menjëherë ka nisur puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë. Sipas informacioneve nga grupi hetimor, është kontaktuar me palën greke, ku është kërkuar bashkëpunim për gjetjen e 18-vjeçares shqiptare. Ndërkaq, çështja i ka kaluar Prokurorisë për Krime të Rënda për veprat penale të "rrëmbimit ose mbajtja peng e personit" dhe "shfrytëzimit të prostitucionit".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›