E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria, gjatë gjithë mandatit, ka bllokuar masterat

Pas tre vjet rraskapitjeje për arsimin e brishtë shqiptar, i doli boja edhe "brain gain"-it, i cili në fakt u zëvendësua me "brain washing", e thënë shqip me shpëlarje truri. Kjo ka qenë deklarata e djeshme e përfaqësueses së Partisë Socialiste, Ledi Shamku. Sipas saj, arsimdashësve u bëhet çdo ditë lavash truri për kushte më të mira në shkollë, për tekste më bashkëkohore, për reforma universitare, për moshën e internetit, e kështu vargu i premtimeve çuditërisht nuk mbaron. "Por e vërteta është shumë e shkurtër dhe qëndron e ulur këmbëkryq mes nesh. Qëkurse këta njerëz kanë marrë në dorë fatet e vendit, kanë bllokuar kërkimin shkencor universitar dhe nuk kanë energjinë e as po janë në gjendje ta zhbllokojnë atë", sqaroi Shamku. Sipas saj, kjo do të jetë qeveria e parë e cila përfundon një mandat të plotë me mastera e doktoratura të bllokuara, duke shënuar një standard obskurantist, që mund të krahasohet veç me politikën antishqiptare të Fanariotëve. Sipas Partisë Socialiste, stafet që merren me problemet e arsimit dhe të kërkimit shkencor, apo më saktë që nuk merren, po pozicionohen vetëm në ato iniciativa ku kryhet trafik influence, qoftë i nivelit financiar, apo dhe qeverie.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›