E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimi i ligjit bllokon procesin e legalizimeve në Qarkun e Beratit



BERAT – Bllokohet procesi i legalizimit në Qarkun e Beratit si pasojë e përplasjes mes Drejtorisë së ALUIZNI-it dhe njësive. Tashmë që ka përfunduar afati i paraqitjes së objekte që kualifikohen për hyrë në rrugën e ligjërimit, kreu i ALUIZNI-it të Beratit, Aleksandër Melonashi ka akuzuar kryebashkiakët dhe kryekomunarët, të cilët nuk kanë sjellë ende konfirmimin e tyre zyrtar për kualifikimin e mbi 7500 objekteve në të gjithë qarkun. Në lidhje më këtë deklaratë, ka reaguar kryetari i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i KRRT-së së qytetit, i cili ka pohuar se i gjithë procesi është bërë konform ligjit të vjetër. Sipas tij, problemet e ngritura nga Meloshani i përkasin ligjit të ri, i cili ka hyrë pak muaj më parë në fuqi. Më datë 15 shtator ka përfunduar afati i dorëzimit të të gjitha objekteve nga njësitë vendore që fitojnë të drejtën për tu legalizuar.
Problemi
Drejtori i ALUIZNI-t të Qarkut të Beratit , Aleksandër Melonashi pohon se në qoftë se këto njësi vendore nuk do të veprojnë sipas kërkesave të ministrisë përkatëse për kualifikimin e objekteve që do të legalizohen, këto kompetenca do ti kalojnë automatikisht Agjencisë së Përgjithshme të Legalizimeve. Drejtoria e ALUIZNI-t të Qarkut Berat ka filluar dy ditë më parë procesin e legalizimit të objekteve të ndërtuara në të gjithë qarkun. Aktualisht ky proces është përqendruar fillimisht në zonën informale në lagjen "Uznovë", në të cilën ndodhen rreth 220 objekte dhe 3 blloqe banimi në Bashkinë e Beratit, ku edhe do t'u përcillen pronarëve të këtyre objekteve tarifat e pagesave për taksën e ndikimit në infrastrukturë, tarifën e shërbimit, si dhe pagesat për kalimin e pronësisë mbi tokën, nga tokë-shtet tek poseduesi, ku në tokat me ish-pronar do të fillojë edhe kompensimi në lekë të këtyre të fundit. Melonashi ka pohuar se në zonën informale të lagjes "Uznovë", janë 15 objekte, të cilat nuk mund të legalizohen sepse janë ndërtuar afër Ujësjellësit të Bogovës, janë themele të ngritura ose ndërtesa pa çati, të cilat në përputhje me kriteret e parashtruara në Ligjin për Legalizimet, nuk duhet të ishin pranuar që në fillim si kërkesa për legalizim nga njësitë përkatëse vendore, pasi nuk plotësojnë kushtet më minimale urbanistike.
Procesi
Melonashi pohon se nga 7500 objekte, pronarët e të cilëve kanë paraqitur kërkesën për tu legalizuar pranë Drejtorisë së ALUIZNI-t të Qarkut të Beratit, do të përjashtohen në mënyrë kategorike nga ky proces të gjitha 40 ndërtime pa leje në zonat muzeale Kala, Mangalem e Goricë të qytetit të Beratit, si dhe një pjesë e ndërtimeve të ngritura në zonat naftëmbajtëse e mbi kolektor. Po kështu, nuk do të legalizohen në mënyrë kategorike dhe do të skualifikohen të gjitha objektet që janë ndërtuar në shtretërit e lumenjve, mbi kolektorë, brenda territoreve të mjediseve publike, në zonat e ndotura; siç janë Uzina e Baterive, Guroret, në zonat e naftës. Nga verifikimet në terren rezulton se janë rreth 100 objekte, të cilat janë ndërtuar më afër se 15 metër nga gryka e pusit. Heqjen nga lista të objekteve që duhej të përjashtohen nga legalizimi duhet ta kishin kryer njësitë vendore, duke pasur parasysh studimet urbanistike dhe rregullat e caktuara me ligj. Në lidhje me këtë shqetësim të ngritur nga Drejtoria e ALUIZNI-t të Qarkut të Beratit, kryetari i Bashkisë, Fadil Nasufi, njëkohësisht kryetar i KRRT-së së rrethit të Beratit, ka pohuar se KRRT-ja, gjatë procesit të kualifikimit të objekteve që do i nënshtroheshin procesit të legalizimit është bazuar në kërkesat e ligjit të vjetër, ndërkohë që nuk ka dashur të japë asnjë koment në lidhje me ndryshimet e mundshme që mund të kishte bërë KRRT-ja për shfuqizimin e vendimeve të marra më parë, në përputhje me kriteret e reja të ligjit për Legalizim.

E. Petova

17 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›