E Diel, 1 Nëntor 2026

“Godo të zhdukë korrupsionin nga sistemi shëndetësor”

Autori i Lajmit: Suela Topi
Kemi punonjës bluzëbardhë, të cilët shërbimin publik, të garantuar me Kushtetutë e ligj, si shërbim falas, e shesin si shërbim privat të tyre për të mbushur xhepat e llogaritë bankare dhe duke ndërtuar mirëqenien e tyre mbi fatkeqësitë e tjetrit”

Sistemi shëndetësor është ndër më të korruptuarit prandaj ai ka nevojë për reforma. Ky konstatim është dhënë dje nga Kryeminstri Sali Berisha gjatë mbledhjes së Qeverisë ku për herë të parë morën pjesë anëtarët më të rinj të kabinetit. Kyeministri, pasi ka uruar ministrat e rinj për detyrën, ka përcjellë menjëherë dhe detyrat e para dhe ka përcaktuar prioritetet e punës së tyre. Duke iu referuar veçanërisht sistemit të shëndetësisë, Berisha ka bërë të ditur se korrupsioni është evident tek bluzat e bardha. Sipas tij ministrja e re e këtij dikasteri ka para një punë të madhe. Po për Ministrinë e Shëndetësisë, Berisha ka këshilluar Godon që ajo të mund t i japë fund fenomenit të dypunësimit të mjekëve. I përqëndruar më pas tek reformat, Berisha i ka kërkuar ministrit të ri të Arsimit dhe Shkencës, Fatos Bejës të çojë deri në fund reformën në arsim të lënë përgjysëm nga Pollo. Për këtë të fundit, Berisha ka përcaktuar që në detyrën e zvendëskryeministrit, Pollo do të ndjekë ecurinë e reformës në shëndetësi dhe në arsim për moshën dixhitale. Gjatë mbledhjes u kërkua që të gjithë ministrat të dorëzojnë buxhetet përkatëse që në fund të muajit gusht.
Arsimi
Berisha uroi 3 anëtarët e rinj të Qeverisë, zëvendëskryeministrin Genc Pollo, Ministrin e Arsimit Fatos Beja dhe Ministren e Shëndetësisë Anila Godo për fillimin e detyrës së re. Duke uruar Pollon ai shprehu vlerësimet për punën e kryer prej tij gjatë periudhës që drejtoi Ministrinë e Arsimit për reformimin e sistemit arsimor. Kryeministri theksoi se reformimi i sistemit arsimor dhe konsolidimi i tij mbeten jetike për të ardhmen e shoqërisë shqiptare dhe si i tillë është përparësi e qeverisë, duke shprehur bindjen se Beja në detyrën e ministrit të Arsimit do të çojë përpara procesin e reformave të këtij sistemi. “Fatos Beja, një nga politikanët më të sprovuar, por njëkohësisht një personalitet që e njeh arsimin, do të vazhdojë thellimin e këtyre reformave të rëndësishme. Reformimi i arsimit, konsolidimi i tij është jetik për të ardhmen e shoqërisë shqiptare. Në këtë drejtim, jam i bindur se Beja do të shtyjë përpara këtë proces”, - tha ai.
Shëndetësia
“Qeveria do t ju japë të gjithë mbështetjen e nevojshme për t i dhënë përgjigjen e merituar korrupsionit aty ku ndodhet dhe pa asnjë hezitim për ata, të cilët bluzën e bardhë, betimin e Hipokratit, parimet e humanizmit dhe fisnikërinë e madhe të këtij profesioni marrin përsipër ta nxijnë dhe ta përlyejnë në mënyrën më të papranueshme”, - e nisi fjalën e tij Berisha duke iu drejtuar ministres së re të shëndetësisë. Ai theksoi se reforma në sistemin shëndetësor është e vështirë, por e domosdoshme dhe kërkoi angazhimin e personaliteteve të shquara në këtë fushë. Kryeministri theksoi se Godo ka një barrë të rëndë për reformimin e thellë të këtij sistemi. Duke e konsideruar një ndër prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë luftën kundër korrupsionit në këtë sistem, Kryeministri kërkoi qëndrim të hekurt dhe veprimin pa hezitim ndaj kujtdo që shërbimin shëndetësor publik e sheh si shërbim privat për përfitime personale. “Kemi punonjës bluzëbardhë, të cilët shërbimin publik, të garantuar me Kushtetutë e ligj, si shërbim falas e shesin si shërbim privat të tyre për të mbushur xhepat e llogaritë bankare dhe duke ndërtuar mirëqenien e tyre mbi fatkeqësitë e tjetrit. Lufta kundër korrupsionit në sistemin e shëndetësisë duhet të jetë përparësi për ju”, - u shpreh Berisha. Gjithashtu Kryeministri tha se nxitja e sektorit privat në shëndetësi është jashtëzakonisht e rëndësishme. Në këtë drejtim, duhet të shihet edhe dhënia e shërbimeve në këtë sektor me koncesion, duke shfrytëzuar ligjin për partneritetin privat publik që e vendos këtë proces mbi baza të ndershme dhe transparence.
Ky lajm është publikuar: 31/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›