E Diel, 1 Nëntor 2026

Plagosen katër persona në aksin Fushë-Krujë-Kurbin

Autori i Lajmit: red.
Katër persona kanë mbetur të plagosur, kur automjetet me të cilat udhëtonin u përplasën me njëri-tjetrin. Ngjarja ndodhi dje aksin rrugor Fushë-Krujë-Kurbin, ndërkohë që mes të plagosurve është edhe një fëmijë 8 vjeç. Sipas burimeve të policisë rrugore që ka shkuar në vendin e ngjarjes një furgon është përplasur me një makinë tip “Opel”. “Një furgon me targa të Laçit, LA 6643 A u përplas me një automjet tip Opel me targa të huaja në afërsi të Laçit”- thanë burimet policore. Si pasojë e përplasjes mbetën të plagosur tre pasagjerë të furgonit dhe vetë drejtuesi i makinës. Burimet policore bëjnë me dije se të plagosur mbetën Gjergj Shpani, 53 vjeç dhe bashkëshortja e tij, 43-vjeçare. Së bashku me ta u dëmtuan rëndë edhe një fëmijë 8-vjeçar, Franko Preçi. Këta janë transportuar në spitalin e Laçit dhe po mbahen në trajtim intensiv, por duket se janë jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë në gjendje kritike ndodhet drejtuesi i makinës me targa të huaja, i cili është dërguar me urgjencë në spitalin e Tiranës. Ende nuk janë përcaktuar shkaqet e aksidentit, për të cilat policia thotë se do të priten përgjigjet e ekspertizës.

Ky lajm është publikuar: 31/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›