E Diel, 1 Nëntor 2026

Godo u kërkon grosistëve të furnizojnë spitalet me ilaçe

Autori i Lajmit: red.
Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, u ka kërkuar grosistëve farmaceutikë që të bashkëpunojnë për furnizimin e spitaleve me medikamente. Këtë kërkesë ministrja Godo e ka bërë gjatë takimit të djeshëm me grosistët farmaceutikë, të cilëve u ka kërkuar edhe respektim të kontratave nga afatet minimale. Në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë deklarohet se procedurat e prokurimit kanë përfunduar për 104 nga 183 medikamente për nevojat spitalore, me një fond limit prej 845.568. 000 lekë. Në përfundim të këtyre procedurave, të cilat u zhvilluan gjatë muajit korrik, u arrit që të shpalleshin oferta fituese 20 kompani farmaceutike për kontraktimin e 104 medikamenteve me një vlerë prej 688.170.600 lekë nga 707.387.800 lekë që ishte fondi limit i planifikuar. Prej disa muajsh QSUT është përfshirë nga kriza e ilaçeve. Asnjë prej spitaleve nuk mund të kishte ilaçe për nevojat e veta, pasi farmacia e spitalit ishte boshatisur prej kohësh. Spitali Onkologjik, Pediatria, Infektivi, Kardiologjia apo edhe spitale të tjera filluan të ofronin për pacientët vetëm bërjen e serumeve, ndërsa për sa u përket ilaçeve, ata u sugjeronin atyre që t i blinin në farmaci private. Para se të lirohej nga detyra, ish-ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, akuzoi drejtorin e përgjithshëm të QSUT, Mati Pepa, se ka shpërdoruar miliona lekë me medikamentet, duke shkaktuar kriza të vazhdueshme të barnave në spitalin më të madh në vend. Por një tjetër deklaratë, edhe më e rëndë, ka qenë ajo e përdorimit të medikamenteve të skaduara për pacientët. Pas ankesave të pacientëve për mungesë të barnave në spital, drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë pohojnë se QSUT-së i është akorduar gjysma e buxhetit të shtetit që ai jep për spitalet në të gjithë vendin.

Godo: “Jemi vetëshpallur në gjendje emergjence për ilaçet”

“Duhet të pranoj se asnjëherë nuk kemi qenë tërësisht të kënaqur me furnizimin. Protokollet e unifikuara të trajtimit që ofrohen nga shërbimet tona, shpesh janë të niveleve më të mira të kohës, por kanë një kosto që tejkalon mundësitë buxhetore. Por këtë vit në veçanti kemi qenë “zbuluar” pothuaj gjatë tërë vitit, për pjesën më të madhe të medikamenteve. Vit vërtet i vështirë. Aktualisht, jemi duke u përpjekur fort për të shtyrë e shpejtuar në maksimum prokurimet, etj. Jemi vetëshpallur në gjendje emergjence dhe falënderoj bashkëpunëtorët për impenjimin maksimal. Besoj që vjeshta do të na gjejë më mirë. Më pas do të fillojmë në kohë procedurat përkatëse për vitin e ardhshëm. Do të diskutojmë nëse do të duhet të propozojmë ndryshime në ligjet prokuruese etj”, - ka thënë dje ministrja Godo.

Ky lajm është publikuar: 14/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›