E Shtunë, 31 Tetor 2026

ARMO siguron 1,3 miliard lekë në 6 muaj

Autori i Lajmit: red.
Kompania publike e përpunimit dhe tregtimit të produkteve të naftës, ARMO, edhe pse në prag të privatizimit të saj, ka siguruar rezultate ekonomike mjaft të larta nga programi në 6 muajt e parë të këtij viti. Fitimi i siguruar nga ARMO në 6 muajt e parë, arrin në 1,3 miliard lekë, nga 53 milionë lekë të programuar. Sipas burimeve të kësaj kompanie, të ardhurat u realizuan në masën 122.17%, ose me vlerë rreth 1,6 miliard lekë më shumë nga programi. “Në buxhetin e shtetit u derdhën të gjitha detyrimet, u realizuan në masën 100% sigurimet shoqërore, ndërsa nuk ka asnjë detyrim të prapambetur”, - tha dje, drejtori ekonomik në ARMO, Kujtim Osmënaj. Në 6 muajt e parë të këtij viti, prodhimi i përgjithshëm industrial u realizua në vlerën e rreth 4,5 miliardë lekë, prodhimi për mallin e shitur rezulton me një tejkalim nga programi ose në masën 140%, në vlerën prej rreth 5,3 miliardë lekë, ndërsa është ulur kostoja e shpenzimeve të prodhimit në 539 lekë/ton. Dy janë treguesit pozitivë ekonomiko-financiarë që prej tre vitesh, kanë ndikuar pozitivisht në arritjet e ARMO-s: menaxhimi më efektiv i kompanisë dhe ndjekja në mënyrë të vazhdueshme e koniunkturave të çmimeve të tregut të brendshëm dhe të jashtëm. Fitimi i kompanisë publike ARMO, në vitin 2007, arriti në 1,717 miliard lekë, kundrejt 307 milionë lekëve të programuar. Rentabiliteti i shoqërisë publike në fund të vitit 2007, rezultoi 11.57%, nga 2.22% i programuar me një rritje prej 9.35% më shumë. Të ardhurat u realizuan në vlerën 14.837 milionë lekë, ose në masën 107% nga programimi. Në buxhetin e shtetit u derdhën 3.461 miliardë lekë, ose 42 milionë USD, ndërsa si detyrime të prapambetura për akcizën, në vlerën 352 milionë lekë.
Ky lajm është publikuar: 14/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›