E Diel, 1 Nëntor 2026

“Nuk heqim ligjin 7510, edhe PR-ja dakord”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Qeveria shqiptare, në mbledhjen e saj të radhës, ka miratuar ligjin përfundimtar për “Titujt e pronësisë”, një ligj, i cili sipas kryeministrit Berisha, u jep fund vjedhjeve dhe bastisjeve të tokës në Shqipëri. Sipas Kryeministrit, ligji, i cili do të kalojë për miratim në Parlament sesionin e ri parlamentar në shtator, u jep titujt përfundimtarë të pronës të gjithë poseduesve të ligjshëm dhe ia heq ato mafjes së tokës. Berisha iu referua dhe çështjes së abrogimit të ligjit 7501, duke thënë se të gjithë ata që kanë përfituar tokën sipas këtij ligji nuk do të preken absolutisht, madje, do të jetë pjesa më e privilegjuar për sa i përket ligjit të ri të “Titujve mbi pronësinë”. Duke u prerë kështu njëherë e përgjithmonë shpresat republikanëve, të cilët shpresonin në një veprim konsensual me PD për heqje ose abrogim të ligjit 7501, ai tha se “çdo përpjekje për t i trembur dhe frikësuar është thjesht përpjekje që mafia grabitqare e tokës bën kundër këtij ligji. Partia Demokratike dhe koalicioni i partive të mazhorancës nuk ka pranuar dhe nuk do të pranojë të ndryshojë ligjin 7501”. Ai në fjalën e tij, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave theksoi: “Dua të garantoj të gjithë fermerët dhe qytetarët shqiptarë që kanë marrë tokë në përputhje me ligjin 7501, në përputhje me kriteret dhe në zbatim të këtij ligji, se ky proces nuk u cenon atyre asnjë centimetër tokë. Partia Republikane, partia jonë aleate, e hershme dhe tradicionale, ka pranuar gjithnjë këtë qëndrim të aleatëve të saj. Ndaj është jashtë çdo lloj spekulimi që, me këtë ligj, ne synojmë të prekim qoftë edhe një pëllëmbë tokë, të marrë në mënyrë korrekte nga ligji 7501. Por do të ishte një krim shumë i rëndë, në qoftë se ne do të titullonim abuzimin e madh të bërë me ligjin, abuzim që arrin në miliarda dollarë.
Grabitësit dhe ndëshkimet, implikimi i pushtetarëve
Me dhjetëra mijëra hektarë janë përvetësuar në mënyrë të pandershme dhe në kundërshtim me ligjin. Ata që kanë grabitur tokën, në radhë të parë, janë pushtetarë dhe unë garantoj qytetarët shqiptarë se në këtë shqyrtim nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë tendencë politike, të cilësdo ngjyrë apo grupim. Cilido pushtetar vendor apo qendror, që e ka përvetësuar tokën në kundërshtim me ligjin, do të përballet me ligjin dhe humbjen përfundimtare të pronësisë mbi të. Grupi i dytë i abuzuesve të mëdhenj janë kryetarë bashkish dhe kryesisht komunash që, me pusulla dhe kundrejt korrupsionit, në kundërshtim me ligjin 7501, kanë ndarë dhe u kanë dhënë të tjerëve, qoftë edhe vjet, sasi të mëdha toke pa asnjë bazë ligjore dhe jetimë mbeten pronarët.
Dhënia përfundimtare e titullit të pronësisë
Prandaj askush të mos përpiqet të dezinformojë 400 mijë familjet shqiptare që kanë marrë tokë në përputhje me kriteret e ligjit 7501. Ligji që kemi kaluar u sanksionon atyre, në mënyrë përfundimtare, titullin e pronësisë dhe nuk i mban ata pezull, për shkak të grupeve grabitqare të tokës, por i pajis me shpejtësi dhe përfundimisht me titullin e pronësisë. Në këtë proces, e ritheksoj, ne nuk synojmë të cenojmë askënd që e ka marrë tokën në përputhje me ligjin, por synojmë sipërfaqet e shitura me korrupsion nga qeveritarët vendorë, sipërfaqet e pushtuara me dhunë nga qeveritarët qendrorë dhe vendorë apo nga zyrtarë dhe ato të kalojnë në fondin e kompensimit të tokës, për t ua kthyer pronarëve dhe për ta shtyrë përpara këtë proces. Në zona të tëra janë bërë padrejtësi të mëdha, në një kohë kur ato ishin tërësisht të shmangshme. Ligji 7501 ishte një ligj shumë i qartë se kujt i takon toka dhe sa i takon për frymë. Tani ligjit do t i bëhet verifikimi i fundit.
Verifikimi nëpërmjet hartave dixhitale
Ky proces është i një rëndësie shumë të madhe, ndaj duhet të mobilizojmë të gjitha resurset financiare dhe njerëzore, si dhe të përcaktojmë të gjitha rregullat e bashkëpunimit. Harta dixhitale që disponohet nga fotografia ajrore dixhitale e vitit të kaluar është një ndihmë e madhe për këto komisione, e cila lejon matjen centimetrike. Duhet të merren masa për pajisjen e çdo komisioni me hartën e territorit, me specialistë, gjeometra, topografë, në mënyrë që të fillojnë nga puna.
Grabitësit të dorëzojnë pronën brenda 3 muajsh, ndryshe i pret ndëshkimi
Unë do të bëj një thirrje që të gjithë ata që e kanë marrë tokën në mënyrë të pamerituar ta dorëzojnë atë. Le të përcaktojnë një periudhë, të cilën ne t ua njohim: dy muaj ose tre muaj, - dhe ta dorëzojnë vetë tokën. Në të kundërt, duhet të veprojnë fuqishëm të gjitha prerogativat penale, si ndaj atyre që e kanë dhënë padrejtësisht, ashtu dhe ndaj atij që e ka marrë abuzivisht tokën. Ne nuk kemi synim ndëshkimin, por rivendosjen e së drejtës. Për këtë të caktojmë një periudhë, në të cilën çdo posedues i pamerituar e dorëzon në komision tokën e përfituar pa të drejtë. Kjo sigurisht do të jetë një zgjidhje më e mirë, se sa të fillohet me prerogativat ligjore, nga më seriozet, për të rivendosur këtë ligj”, - ka përfunduar kreu i qeverisë me tone të ashpra fjalën në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.
Ky lajm është publikuar: 14/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›